Biznesi nuk pajtohet me taksat, shpall 10 propozime të reja

Paketa Fiskale/ Unioni i Dhomave të Tregtisë i kërkon qeverisë rishikim të pragjeve për tatimin mbi pagën dhe heqjen e pragut të TVSH-së te biznesi. Ndërtuesit kërkojnë ndërhyrje urgjente në 4 taksa

Neritan Gjergo

Pasi ka marrë draftin zyrtar të Ministrisë së Financave për ndryshimet e paketës fiskale, biznesit tashmë i kërkohet mendim, të cilin duhet ta pasqyrojë deri në datën 17 tetor. Grupet e interesit në fakt kanë reaguar shpejt, duke mbështetur parimisht qeverinë, por paralelisht kanë shpallur edhe një listë të gjatë propozimesh, me besimin se do të merren në konsideratë nga qeveria. Më kryesoret dhe më të rëndësishmet prekin TVSH e bizneseve, tatimin mbi pagat dhe tatimin mbi fitimin. Sa i takon TVSH-së, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë propozon heqjen e pragut dhe taksimin me 1 për qind të qarkullimit tregtar për të gjitha bizneset. Po ashtu, Kreu i Dhomës, Nikolin Jaka propozon që të rishikohet ndryshimi i tatimit mbi pagat në mënyrë të krijohet shtresa e mesme dhe pagat deri në 35 mijë lekë të mos taksohen. Bizneset propozojnë taksim progresiv mbi fitimet e kompanive, në mënyrë që kush fiton më shumë të paguhet më shumë. Në propozime është përfshirë edhe vendosja e taksës së luksit për rezidencat e shtrenjta në bregdet dhe ulja e taksë së infrastrukturës për ndërtuesit, si dhe transformimi i taksës 3 për qind për banesat sociale. Ndërkohë, paketa duke ndjekur rrugën e saj, do të kalojë në Komisionet Parlamentare për diskutim dhe votim në fund të muajit.

Propozimet e Biznesit

  1. TVSH të ketë një prag zero, pra të gjithë të përfshihen në TVSH. Por deri në një qarkullim 10 milionë lekë të reja, aplikimi i TVSH-së të ketë efekte financiare zero, si në rimbursim ashtu dhe në pagesa. (Pra përjashtimi nga TVSH për subjektet që kanë deri në 10 milionë lekë xhiro, por që janë të detyruar që të marrin dhe dorëzojnë fatura me TVSH në shitjen e mallit të tyre). Për këtë kategori biznesi është menduar të aplikohet taksa fikse që do të jetë 1% e qarkullimit tregtar. Në rastin konkret të përjashtohen nga kjo taksë komisionerët dhe agjencitë që punojnë për të tretët.
  2. Të ketë një taksë luksi, që është për të gjitha rezidencat mbi 200 metra2 dhe në vlerë mbi 300 mijë euro në bregdetin shqiptar. Kjo taksë të jetë 500 lekë të reja për metër2 në vit.
  3. Normat e tatimit mbi pagat të jenë si vijon: a. Për pagat deri 35.000 lekë/muaj: 0%, b. Për pagat mbi 35.000 – 335,000 lekë/muaj: 10%, c. Për pagat mbi 335,000 lekë/muaj: 20%,
  4. Tatim fitimi progresiv për korporatat: a. Për kompanitë deri në 200 milionë lekë apo 2 milionë dollarë fitim i realizuar: 15%, b. Për kompanitë nga 200 milionë në 400 milionë lekët fitim i realizuar: 20%; c. Për kompanitë mbi 400 milionë lekët fitim i realizuar: 30%

Ndërtimi

  • Taksa e infrastrukturës nga 8% e çmimit të shitjes të jetë 5% dhe kjo të paguhet me këste (30 % në momentin e marrjes së lejes së ndërtimit, 30% në përfundimin e karabinasë dhe 40% në çastin e marrjes së lejes së shfrytëzimit).
  • Taksa 3% për banesat sociale të hiqet. Ta përkufizojmë si taksë solidariteti dhe të mos jetë vetëm për ndërtuesit, por për të gjithë sipërmarrjen shqiptare dhe të jetë 1% e fitimit jo e detyrueshme.
  • Taksa e pronës për apartamentet dhe njësitë e destinuara për shitje të mos aplikohet, pasi janë mallra dhe produkte të destinuara për shitje, të njëjta me çdo prodhim të bizneseve të tjera.
  • Të rishihet dhe të mos rifutet akciza për zhavorrin bituminoz sepse është një taksë që shtohet dhe rrit jashtëzakonisht kostot, pasi qeveria pretendon që kjo taksë të jetë 2 mijë lekë për ton
  • Ulje të taksës së pasurisë për bizneset nga 0.5% në 0.3% dhe propozojmë që për magazinat me sipërfaqe të mëdha për të gjitha ndërmarrjet e përpunimit apo të prodhimit apo fasonerinë, kjo taksë të jetë 0.05%.

Transporti rrugor

Të zgjerohet zbatimi i normës së reduktuar prej 6% për pagimin e TVSH-së për Transportin Publik.

Kërkesat e Dhomës së Tregtisë

  1. Rimbursimi automatik i TVSH-së së paguar tepër pas kalimit të afatit 30 dhe 60-ditor si dhe vendosja e parimit universal për TVSH në çdo faturim, duke rimbursuar edhe TVSH-në për ato që deri tani kanë qenë përjashtime.
  2. Të rishkruhet udhëzimi TVSH-së duke u organizuar sipas strukturës së ligjit, për të mënjanuar konfuzionin e krijuar gjatë zbatimit të tij.
  3. Të rregullohet kategorizimi si subjekte të biznesit të vogël për të gjitha ato subjekte që kanë një xhiro deri në 10 milionë lekë dhe të sanksionohet heqja e detyrimit të tyre për të përgatitur pasqyra financiare dhe mbajtja prej tyre e kontabilitetit të thjeshtuar “Cash basis”.
  4. Të shkrihen strukturat e Hetimit Tatimor si një hallkë jo produktive dhe abuzive që dublon dhe deformon sistemin e kontrollit tatimor. Bazuar në eksperiencat më të mira, mund të konsiderohet që kjo të jetë një strukturë inteligjence fiskale pa autoritet ekzekutiv dhe marrëdhënie me biznesin.
  5. Të bëhet një amnisti fiskale e përgjithshme, e cila të bazohet në deklarimin personal të individëve dhe bizneseve, garantimin e privatësisë, mbrojtjen nga mosdeklarimet apo deklarimet e gabuara në të kaluarën dhe ndërprerjen e kontrolleve tatimore për periudhat e kaluara për të cilat janë bërë deklarime të bazuara mbi amnistinë.

Prodhimi vendas në vështirësi, kërkohet ndërhyrje

Edhe Shoqata e Prodhuesve ka dalë me një listë propozimesh të shtuara, pasi ka vërejtur propozimin e Financave, duke konsideruar se ndryshimet taksore nuk favorizojnë zhvillimin e prodhimit vendas.

Kërkesat

Të rishikohet në mënyrë integrale ligji për procedurat tatimore

Pas ndërhyrjeve pothuajse çdo vit të këtij ligji, ka ardhur koha që ky ligj të rishikohet në mënyrë integrale. Të bëhet një vlerësim juridik duke marrë në konsideratë të gjithë ndryshimet e kryera ndër vite, si dhe të gjitha problematikat e marrëdhënies tatim pagues – autoritet tatimor, me qëllim shmangien e të gjithë mbivendosjeve/përplasjeve që ndodhin gjatë aplikimit të ligjit dhe udhëzimit përkatës. Ka ardhur momenti të kemi një ligj të procedurave tatimore më të thjeshtë, më të kuptueshëm nga ana e tatim paguesve, si dhe më të mirë implementueshëm nga ana e organeve tatimore.

Për produktet dhe ambalazhet e qelqit dhe plastikës të prodhuara brenda vendit nga riciklimi i mbetjeve të qelqit dhe plastikës, taksa të caktohet në masën 1 lekë për kg, me kusht që subjekti ta provojë këtë fakt me anë të kartës teknologjike të prodhimit. Kjo taksë mblidhet nga administrata tatimore sipas afateve dhe procedurave të deklaruara në këtë ligj. Administrata tatimore monitoron dhe kontrollon lëndët e para që përdoren për prodhimin e produkteve dhe ambalazheve prej qelqi dhe plastike nga procesi i riciklimit të mbetjeve që gjenerohen brenda vendit.

Taksa mbi ambalazhet dhe produktet plastike, të bëhet 15 lekë/kg taksa për të gjithë produktet plastike, kodi doganor 39. Ky rregullim do të sillte disa efekte pozitive: Do të çlironte industritë prodhuese nga një super taksë; Do të ulte çmimet në treg dhe do të stimulonte konsumin; Do të ndalonte evazionin; Do të arkëtonte 200 % të ardhura në arkën e shtetit.

Ndarja e OSHEE, Enti e Energjisë transferon licencat

Bordi i Entit Rregullator të Energjisë miratoi dje dy vendime që sanksionojnë transferimin e dy licencave nga kompania mëmë OSHEE te dy prej kompanive të reja. Konkretisht bëhet fjalë për transferimin e licencës së furnizimit të energjisë elektrike dhe detyrimit të shpërblimit universal të furnizimit të energjisë elektrikë të shoqërisë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a te shoqëria “Furnizuesi i Shërbimit Universal” sh.a e vlefshme deri më datë 8 korrik 2021. Kjo shoqëri duhet që të paraqesë pranë ERE-s listën e personelit sipas profilit në përputhje me aktivitetin, për të cilin kërkohet licenca pasi të përfundojë transferimi i personelit për këtë shoqëri nga strukturat përkatëse. ERE në bazë të kërkesës së OSHEE dhe operatorit të sistemit të shpërndarjes ka miratuar transferimin e licencës së operimit të sistemit te shpërndarjes së energjisë elektrike nga kompania e parë tek e dyta. Kjo licencë ka vlefshmëri të saj deri më 27 tetor 2044. Operatori i sistemit të shpërndarjes duhet që të paraqesë te ERE listën e personelit sipas profilit në përputhje me aktivitetin për të cilin kërkohet licenca pasi të përfundojë transferimi. “Në lidhje me afatin se kur do të fillojnë të funksionojnë realisht, kompanitë e krijuara, parashikohet data 1 janar. Shoqëria “Furnizuesi i Shërbimit Universal” të paraqesë në ERE listën e personelit sipas profilit, në përputhje me aktivitetin për të cilën kërkohet licenca. Transferimi i licencës së operimit  të sistemit të OSHEE-së, te OSSH do të ketë vlefshmëri deri më datë 27 tetor 2044”, deklaron Rezart Vaqari, drejtor juridik në ERE. Më herët, Enti Rregullator i Energjisë licencoi dhe Furnizuesin e Tregut të Lirë, që është operatori që do të kryejë furnizimin e konsumatorëve që janë pjesë e tregut të parregulluar e ku aktualisht bëjnë pjesë bizneset e lidhur në tensionin 35 KV. Këto biznese do të kenë çmim të luhatshëm të energjisë, në bazë vendimeve të ERE-s pra jo si abonentët e tjerë të cilët kanë çmim fiks të përcaktuar nga Enti Rregullator. Ndërkohë që, të gjithë abonentët e tjerë do të furnizohen me energji nga kompania tjetër e krijuar që është Furnizuesi i Shërbimit Universal. Kompania e tretë e krijuar është Operatori i Sistemit të Shpërndarjes që ka për detyrë, zhvillimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të të gjitha nivel.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet