Bizneset në hall, edhe falimenti me kosto të lartë

Sipërmarrjet që aplikojnë në QKR për të mbyllur aktivitetin, nuk pranohen në rast se nuk kanë paguar detyrimet. Tatimet e argumentojnë me kufizimin e evazionit fiskal. Në 2018 falimentuan 15 340 biznese

Neritan Gjergo

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka dhënë informacion lidhur me ndryshimet kryesore në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, që tashmë kanë hyrë në fuqi. Ndryshimet synojnë të kufizojnë mundësitë për të kryer evazion fiskal, si për shembull rasatet kur individët mbyllnin një biznes për të shmangur detyrimet apo moskalimin në TVSh dhe hapnin një tjetër, apo kur një subjekt hapte disa NIPT për të ulur fiktivisht xhiron. Një ndër ndryshimet e tjera lidhet me faktin që tatimpaguesit, të cilët do të aplikojnë në Qendrën Kombëtare të Biznesit për të kaluar në status pasiv, do të duhet që më parë të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore. Numri i bizneseve që kalojnë në status pasiv u rrit ndjeshëm në 2018-n. Më konkretisht, tatimet njoftojnë se ndryshimet kryesore në ligjin për procedurat lidhen me: Një person fizik me të njëjtin numër të identifikimit personal regjistrohet vetëm një herë nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Atij i lind e drejta të regjistrohet dhe të pajiset me një NIPT/NUIS të ri nga QKB vetëm pas çregjistrimit të NIPT-it/NUIS-it ekzistues. Tatimpaguesit, të cilët do të aplikojnë në Qendrën Kombëtare të Biznesit për të kaluar në status pasiv, do të duhet që më parë të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore. Administrata Tatimore ka të drejtë të përdorë mënyra alternative vlerësimi të detyrimit tatimor të tatimpaguesit dhe të nxjerrë një vlerësim kur tatimpaguesi me status “person fizik tregtar”, i cili, për qëllime të shmangies tatimore dhe minimizimit të detyrimit tatimor, regjistron/mban më tepër se një numër identifikimi unik të subjektit, dhe dorëzon deklarata të veçanta për çdo NIPT/NUIS. Personi fizik tregtar i pajisur me NIPT/NUIS, për çdo veprimtari të re që kërkon të regjistrojë, pajiset me një certifikatë, me numër unik identifikimi të njëjtë me atë të regjistrimit, por me numër serial të ndryshëm, me qëllim identifikimin e vendndodhjes të veprimtarisë së re. Njoftimi dhe kërkesa për të paguar mund të bëhet edhe në rrugë elektronike. Nuk është më detyrim pagesa e kamatëvonesës, në rastet e apelimit/ankimimit. Deklarim i pasaktë konsiderohet edhe rasti kur, si rezultat i një kontrolli tatimor, bëhet rivlerësim në ulje i tepricës kreditore të tatimpaguesit. Në këtë rast tatimpaguesi penalizohet me gjobë 20 % të diferencës ndërmjet tepricës kreditore të deklaruar me tepricën kreditore që duhej deklaruar. Nëse një person juridik nuk njofton administratën tatimore lidhur me ndryshimet e pronësisë, ai është përgjegjës dhe dënohet, si më poshtë vijon: – 15% për qind të vlerës së tregut të aktiveve të trajtuara si me ndryshim pronësie; -5% të vlerës së tregut të aksioneve ose interesave të ngjashme që u ka ndryshuar pronësia. Në rastet e kundërvajtjeve në lëshimin e faturave tatimore, dëftesave tatimore dhe dokumentimin e transaksioneve, nëse tatimpaguesi pranon vlerësimin tatimor dhe e paguan detyrimin, gjoba zbritet me 30%. Në çdo rast, shuma e gjobës që zbatohet për bankat kur ato nuk bllokojnë llogaritë e tatimpaguesit sipas kërkesës së administratës tatimore, nuk mund të jetë më e madhe se shuma e kërkuar për t’u bllokuar. Parashikohen penalitete, si për shitësin ashtu edhe për blerësin, nëse kryejnë transaksione me subjekte në statusin “Pasiv”. Nuk është më detyrim pagesa e kamatëvonesës, në rastet e apelimit/ankimimit.  Bizneset e deklaruara si pasive në tatime, por që në të vërtetë vazhdojnë aktivitetin do të kalojnë në vlerësim tatimor nga zyra. Administrata tatimore thotë se ka identifikuar të gjitha subjektet, të cilat edhe pse deklarohen si pasive nuk e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre. “Kategoria e tatimpaguesve që rezultojnë me importe në dogana, por me status pasiv, për ata, bazuar në importe, do të llogaritet detyrimi tatimor”, citon Drejtoria e Tatimeve. Vlerësimit tatimor nga zyra do ti nënshtrohen edhe ato bizneset me aktivitet, të cilat kanë bërë blerje ose shitje tek subjektet pasive.

Falimentimi

Viti 2018 është shënuar në llogaritë e ekonomisë shqiptare si një nga vitet më të këqija të qeverisjes së Edi Ramës. 15 340 biznese kanë falimentuar nga janari deri në dhjetor. Kush thotë se këto janë kompani bixhozi, gënjen! Të tilla, të regjistruara në Qendrën e Bizneseve numërohen me gishtat e një dore. 15 340 bizneset e mbyllura në një vit janë të qytetarëve të zakonshëm, sipërmarrës të vegjël e të mesëm që e kanë ulur qepenin nga taksat dhe tarifat lokale të rritura 2-3 herë, nga energjia 30% më e shtrenjtë, nga fatura e ujit 44 % më e shtrenjtë! 2018-a është edhe më keq se një vit më parë. Mbi 15 mijë biznese të falimentuara do të thotë 62 % biznese të mbyllura më shumë se një vit më parë. Janë mbi 15 mijë familje shqiptare që nuk i kanë mbijetuar gjobave të taksidarëve, që nuk i kanë mbijetuar skemës dërrmuese të TVSH-së. A ka patur kompani të reja, që janë hapur, ndërkohë që biznesi i ndershëm falimentonte? Të gjithë e dimë që po!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Edhe unë

Koço Kokëdhima Nisma #Edheunë, e frymëzuar nga deklarata e mjeshtrit të mirënjohur Bujar Kapexhiu për të bojkotuar 30 qershorin, prej ditësh…

Abissnet