Bizneset e vogla: Rritja e TVSH-ja do të na fundosë

Publikuar më 22. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Ledina Loga

Reportazhi/ Frika e aktiviteteve private, ku kanë punësuar veten apo pjesëtarët e familjes. Bizneseve të ashtuquajtura të vogla po iu ngushtohet laku me përfshirjen në skemën e TVSH-së. Shumica e tyre nuk janë të informuar se si do të veprohet dhe pranojnë se për të mbijetuar “do të manovrojnë” që të mos deklarojnë të ardhurat reale…

Biznesi i Besar Balliut ka hyrë këtë janar në vitin e dytë të aktivitetit. Kur vendosi që të blinte bar-kafenë në Qytetin e Studentit, i kishte menduar ndryshe “llogaritë” për të ardhurat që do të siguronte nga ky aktivitet. Aktualisht, pa u bërë ende pjesë e skemës së TVSH-së, Besari, kryefamiljar, thotë se ka një fitim prej 80 mijë lekësh në muaj. Lokali i tij ka një xhiro mesatare mujore prej 450 mijë lekësh në muaj, 190 mijë lekë janë shpenzime fikse, ku përfshihen: qiraja mujore 70 mijë lekë; 48 mijë lekë pagat e punëtorëve; 40 mijë lekë fatura e energjisë elektrike; 10 mijë lekë fatura e ujit; 20 mijë e 100 lekë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe 2 mijë lekë tarifa e ekonomistes. Sipas Besarit, aktivitetet e bar-kafeve operojnë me një marzh bruto prej 60% (çmim mesatar i aplikuar mbi furnizimet e lokalit). Për një xhiro mesatare mujore prej 450 mijë lekësh, ai do të duhet të paguajë rreth 45 mijë lekë në muaj TVSH, kur të hyjë në skemën e TVSH-së. Nëse deri sot (para përfshirjes në skemën e TVSH-së) prej aktivitetit përfitonte një pagë mujore prej 80 mijë lekësh, pas përfshirjes në TVSH, në rastin më të mirë, do t’i mbeten vetëm 35 mijë lekë në muaj. Për më tepër, atij do t’i nevojiten shërbime shtesë, gjë që do t’i rrisë kostot administrative. Sipas ekspertëve, një biznes i vogël do të shpenzojë rreth 7 mijë lekë më shumë çdo muaj për ekonomistë dhe për programet financiare, duke e çuar fitimin neto në 28 mijë lekë në muaj. Me këto nivele fitimi, Besari tha për “Monitor” se nuk ka ndër mend që ta vazhdojë aktivitetin. Edhe pse biznesin e bleu në fillim të vitit të kaluar për 8 mijë euro, duke marrë një kredi në bankë, Besari rrëfen se aktiviteti nuk ka nxjerrë as paratë e investimit në fillim. “Me përfshirjen në skemën e TVSH-së do të na vihet laku në fyt” – u shpreh ai. Pjesa më e madhe e bizneseve të intervistuar nga “Monitor”, në zona të ndryshme të Tiranës, nuk ishin të informuar se si do të vepronin. Si biznese të vogla nuk kanë shpenzuar shumë tek ekonomistët. Pjesa më e madhe e tyre i kanë kontaktet e rralla me ekonomistët dhe thanë se nuk janë vënë në dijeni se kur do fillojnë të paguajnë.

“Manovrat” e biznesit të vogël

Aida, 34 vjeçe, nga Tirana, është vetëpunësuar duke hapur një dyqan veshjesh pranë shkollës “Vasil Shanto”. Ajo pohoi për “Monitor” se me vendosjen e TVSH, për të mbijetuar, do të detyrohet që të mos i presë të gjithë kuponët tatimorë, ose kur t’i presë, t’u vendosë çmim më të ulët se ai real. Edhe pse e di mirë se nëse bën këtë shkel ligjin dhe se mund të përballet me gjoba të larta, ajo tha se vetëm kështu mund të mbijetojë, ndryshe do të duhet të mbyllë dyqanin. Pjesa më e madhe e bizneseve që u intervistuan pohuan se herë pas here detyrohen të bëjnë manovra për të mos deklaruar qarkullimin real. Ata thanë se, pavarësisht se kanë një qarkullim që ndonjëherë kalon pragun e vendosur nga shteti për t’u përjashtuar nga detyrimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, kanë kosto shumë të larta operative, kryesisht të qirasë, por edhe të energjisë elektrike dhe ujit. Dori, i cili ka një bar-kafe pranë sheshit “Ëillson”, tha se me rritjen e çmimit të ujit me 40%, shpenzimeve të tij mujore do t’i shtohet një zë tjetër. “E kemi kot emrin biznes”, – tha ai për “Monitor”, duke shtuar se nuk e ka të qartë përfshirjen si biznes me TVSH. “Disa thonë që ne jemi përfshirë që më datë 1 janar, të tjerë se do të fillojmë pas marsit. Ekonomisti që më mban letrat nuk është vetë i informuar, – tha Dori për “Monitor”. Të gjitha bizneset që realizojnë një xhiro mesatare ditore prej 5,500 lekë e lartë e kalojnë kufirin prej 2 milionë lekësh në vit, aq sa do të jetë pragu për t’u përfshirë në TVSH. Kjo është një shumë minimale e xhiros që e realizon pothuajse çdo biznes, çka nënkupton se pjesa më e madhe e tyre do të përfshihen në skemë. Aktualisht, sipas tatimeve, janë rreth 70 mijë biznese që nuk paguajnë TVSH.

Rritja e çmimeve largon klientët

Një nga mundësitë më të diskutuara është transferimi i TVSH-së tek çmimi për të ruajtur të njëjtat nivele fitimi. Sipas bizneseve të intervistuara në një treg ku konkurrenca është e fortë, lëvizja e çmimit çon drejt largimit të klientëve. Mariel Hoxha punon prej kohësh si kontabilist. Ai thotë se problemi më i madh i bizneseve është mbi stokun e inventarit që ata kanë krijuar dhe që janë blerje pa TVSH. Kur bizneset e vogla të bëjnë shitje me TVSH, do t’ju transferohet e gjithë kostoja (duke qenë se nuk përfitojnë nga TVSH-ja e zbritshme). Sipas Marielit, bizneset do të detyrohen që ta transferojnë atë në çmim. Për këtë shqetësim të biznesit, “Monitor” kontaktoi me operatorin e vendosur nga Tatimet në numrin e tyre pa pagesë. Sipas operatorit, biznesi nuk do të ketë zgjidhje tjetër, përveçse të mbajë të gjithë TVSH-në në shitje vetë.

Problemi i faturave fiktive, problem zinxhir

Aida tregoi për “Monitor” se shpeshherë bizneset e mëdha ku ajo bën furnizimet, nuk i japin fatura të sakta tatimore, në të cilat shënojnë vlerë më të ulët të mallit të blerë. Për një fustan që ajo e blen 4500 lekë/copa tek grosisti me shumicë i ishte dhënë një faturë blerje me çmim vetëm 900 lekë/copa. Nëse ajo deklaron çmimet reale të shitjes, TVSH e pagueshme do të ishte shumë më e lartë se ajo reale. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar aplikohet në diferencën midis çmimit të shitjes dhe çmimit të blerjes. Sa më e madhe diferenca, aq më i lartë është detyrimi i bizneseve të vogla. Për çdo blerje që kryen një biznes, paguan edhe TVSh-në për mallin, ndryshe TVSH e rimbursueshme (e zbritshme). Ndërsa për mallrat që shet, biznesi mbledh TVSH-në (TVSH e mbledhshme). TVSH-ja e pagueshme është rezultati i diferencës së TVSH-së së mbledhshme (e mbledhur nga shitjet e aktivitetit) dhe TVSH-së së rimbursueshme (që ka paguar biznesi nga furnizimet). Pjesa më e madhe e bizneseve të vogla të intervistuar nga “Monitor” nuk ishin të qartë se kur do të duhet të fillonin që të mbanin librat e blerjeve me TVSH. Në rast se bizneset e vogla nuk fillojnë që tani me inventarizimin e mallrave me TVSH, do t’iu duhet që pas datës 1 prill të paguajnë TVSH për mallrat që kanë blerë pa TVSH nga data 1 janar deri më 30 mars. Thënë ndryshe, do t’iu shtohet një kosto prej 20%. Ahmet Gjinishi, kontabilist, thotë se aktualisht, asnjë biznes që ai ka në portofolin e tij të klientëve, nuk ka ndërmarrë hapa për të kryer procesin e inventarizimit të mallrave me TVSH dhe se një pjesë e tyre po shpresojnë që në datën 1 prill, i gjithë malli që kanë në magazina të inventarizohet si mall me TVSH. Deri atëherë mbeten në pritje të ndonjë vendimi të dytë nga administrata tatimore.

Kostot administrative

Sipas Ahmet Gjinishit, kontabilist i cili punon edhe me bizneset e vogla, bizneset janë në amulli, duke qenë se nuk kanë orientim me skemën e re. Sipas zotit Gjinishi, përveç TVSH-së, bizneseve do t’iu shtohen edhe kosto administrative. Deri më tani, bizneset e vogla nuk kanë pasur një ekonomist me kohë plotë. Kontabilisti përllogarit një kosto shtesë minimale vjetore prej 30 mijë lekësh për të. Ai thotë se bizneseve do t’iu lindë nevoja për të blerë dhe programet financiare si Bilanc, Alfa apo Financa 5, të cilat kushtojnë rreth 50 mijë lekë në vit. Në total, përllogaritet një kosto mujore shtesë prej 7 mijë lekësh, përveç TVSH-së së pagueshme (nëse nuk transferohet TVSH në rritjen e çmimeve).

Tatimet sqarojnë

Të kontaktuar në numrin e vendosur pa pagesë në faqen zyrtare të Tatimeve si një biznes i vogël, operatorët e qendrës telefonike thanë se nuk është saktësuar periudha kohore se si do të kryhet pagesa e TVSH-së. Operatori që u përgjigj në telefon tha se ishin në pritje të një Vendimi nga Këshilli i Ministrave që do të përcaktonte periudhën. Ndërsa për sa i përket ndryshimit të përgjegjësisë tatimore, Tatimet u përgjigjën pyetjeve të biznesit se do të duhet që të paraqiten para datës 1 prill në sportelet e zyrave të Shërbimit të Tatimpaguesve të Rajonit përkatës për t’u regjistruar me TVSH. Para datës 1 prill, të gjitha bizneset duhet të lidhen me shoqërinë e kasave fiskale për të bërë konfigurimin e tyre.

Si do të bëhet deklarimi

Tatimet njoftuan javën e kaluar se tatimpaguesit, të cilët kanë realizuar një qarkullim mbi 2.000.000 (dy milionë) lekë, për vitin kalendarik 2017, si dhe ata që parashikojnë të realizojnë këtë qarkullim gjatë këtij viti, nga data 1 prill 2018 duhet të regjistrohen me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar). Çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në duhet të komunikojë me shoqërinë e autorizuar që e ka furnizuar me pajisjen fiskale për të bërë ndryshimin e shkallës tatimore të TVSH brenda datës 31 mars 2018, për qëllim të lëshimit të kuponit tatimor me TVSH; Çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në brenda datës 31 mars 2018 duhet të furnizohet me faturat tatimore me TVSH, të përdorshme për çdo shitje mbi 40.000 (dyzet mijë) lekë, ose kur blerësit do t’i kërkojnë një të tillë. Paraprakisht këta tatimpagues duhet të përpilojnë (inventarizojnë) listën e mallrave stok të specifikuar në sasi dhe në vlerë. Ky inventar duhet të dorëzohet në Drejtorinë Rajonale, brenda datës 31 mars 2018. Çdo mall i përfshirë në inventar duhet të jetë i justifikuar me faturë tatimore të blerjes me TVSH, i blerë jo më parë se 12 muaj nga data që është bërë regjistrimi në TVSH. Ky proces i jep të drejtën çdo tatimpaguesi, që në muajin e parë kur bëhet subjekt i regjistruar në TVSH, të njohë TVSH-në e zbritshme për mallrat e inventarit gjendje në datën e regjistrimit në këtë regjim. Administrata Tatimore është në shërbimin tuaj në sportelet e saj të shërbimit, si dhe me Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 00 02. Një program gjithëpërfshirës seminaresh trajnimi me grupe tatimpaguesish, është programuar gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018.

 

BE ul TVSH-në për biznesin e vogël, qeveria shqiptare e rriti dy javë më parë!

Bashkimi Europian ka lehtësuar barrën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për biznesin e vogël duke ulur normën, por edhe duke thjeshtuar procedurat. Përmes një direktive të posaçme, Komisioni Europian u ka dhënë vendeve anëtare të drejtën për të ulur TVSH-në mbi bizneset e vogla, dhe paralelisht ka miratuar procedura më të thjeshta për deklarimin dhe pagesën e TVSH-së për të ulur koston e këtyre bizneseve. Sipas përllogaritjeve të bëra publike në direktivën e re, përmes ndryshimeve të reja kostoja e deklarimit dhe pagesës së TVSH për bizneset e vogla do të ulet me 18 për qind në vit. Komisioni Europian deklaron se kjo masë synon të stimulojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë 98 për qind të numrit të bizneseve në Bashkimin Europian. Lëvizja vjen vetëm dy javë pasi qeveria shqiptare ka bërë të kundërtën, duke futur të gjitha bizneset e vogla me xhiro mbi dy milionë lekë në vit në skemën e TVSH-së. Sipas draftit të ri, të gjitha bizneset e vogla edhe ato të mbijetesës do të paguajnë taksë në masën 20 për qind për çdo të ardhur që realizojnë nga shitja e produkteve apo shërbimeve të tyre. Masa pritet të çojë në mbylljen e shumë bizneseve të vogla, pasi taksa e re do të rrisë kostot e tyre në treg duke i bërë jo konkurruese.