Bizneset, 1 javë afat për deklaratën e TVSH-së ose gjobë

Nga Neritan Gjergo

Tatimpaguesit e vegjël me qarkullim nga 2 deri në 5 milionë lekë, kanë si afat të fundit për deklarimin e  librit të shitjes dhe blerjes, datën 16 korrik. Deri tani detyrimin e kanë përmbushur 60% e subjekteve

Tatimet shtyjnë afatin për dorëzimin e deklaratës së TVSH-së për biznesin e vogël, që u përfshi në skemë nga data 1 prill. Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero deklaroi, se afati ligjor përfundon me 14 korrik. Por, për të ndihmuar të gjithë tatimpaguesit, do t’iu lihet kohë edhe një javë. “Nuk është data e fundit për të deklaruar dhe paguar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Sot është data 10 ku të gjithë tatim paguesit që bëjnë pjesë në TVSH kanë për detyrim që të plotësojnë dhe dorëzojnë librat e blerjes dhe të shitjes. Kemi të bëjmë me një detyrim që nuk ka penalitet, por detyrim që duhet plotësuar pasi këto të dhëna përbëjnë dhe bazën për plotësimin e deklaratës për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Duke qenë se afati përfundon në fundjavë, ne do ta shtyjmë deri në fillim të javës tjetër. Ka ende kohë për të plotësuar dhe dorëzuar deklaratën” ka deklaruar Vjero. Deri tani, në skemën e TVSH-së janë përfshirë 11.700 biznese të vogla. “Deri tani janë më shumë se 11.700 tatim pagues të cilët duhet të plotësojnë deklaratën për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, këto janë deklarata që janë gjeneruar në mënyrë automatike. Ne i kemi krijuar lehtësi tatimpaguesve duke i gjeneruar automatikisht deklaratën. Deklarata është gati dhe tatimpaguesit duhet ta plotësojnë. Nga këto 11 700 deklarata, që janë gjeneruar vetë nga sistemi, janë rreth 60% e tyre janë të plotësuara nga tatim paguesit që i përkasin fashës 2-5 milionë që hyjnë për herë të parë në skemën e TVSH. Është shifër e mirë, por është data 14 data e fundit kur kjo deklaratë plotësohet dhe dorëzohet. Deri tani pjesë e skemës janë 11.700 tatimpagues. Ka një rritje të tatim paguesve, që kanë qenë diku më shumë se 9 mijë”, tha ajo.

Kosto ose përfitim

Futja në skemën e TVSH-së mund të krijojë kosto të shtuara apo rritje të çmimeve për një biznes, por ai edhe mund të përfitojë nga kjo masë. Ana e mirë e medaljes është se tashmë sipërmarrësit që janë pjesë e këtij zinxhiri mund të mbartin TVSH të kredituar, lehtësi të cilën nuk e kanë pasur më parë. Por çfarë është TVSH-ja kreditore? Në rastin që një minimarket pakice blen një shishe uji me çmim 120 lekë plus TVSH, ai e shet atë me 130, ku diferenca është 10 Lekë. TVSH-ja në blerje në këtë rast është 20 lekë, dhe në shitje 22, pra në total biznesi paguan 2 Lekë TVSH. Por nëse këtu llogarisim edhe koston e shpenzimeve për njësi të këtij produkti siç është karburanti, transporti, dhe energjia elektrike, të cilat për shembull kanë një vlerë TVSH-je për njësi 10 lekë, sipërmarrësit të vogël i lind e drejta ta kreditojë diferencën prej 8 lekësh, në blerjet që ai do të bëjë në të ardhmen, 8 lekë do t’i zbriten.

Tatimet sqarojnë se për këtë arsye është shumë e domosdoshme që biznesi të tërheqë faturën e blerjeve për çdo mall dhe shërbim që blen. Në rastin që teprica e tatimit mbi vlerën e shtuar është mbi kufirin 400 mijë Lekë për tre muaj rresht, në këtë moment sipërmarrësit bëjnë kërkesë për rimbursim të parave të kësaj takse. Bizneset e degës së shërbimeve, mund të jenë më të prekur se ata që tregtojnë mallra në rastin e përfshirjes në TVSH, pasi shpenzimet që zbriten për efekt të kreditimit të kësaj takse janë më të rralla në llojin e aktivitetit që ushtrohet.

Penalitetet

Drejtoresha e Tatimeve ka bërë të ditur, se kush nuk deklaron në kohë deklaratën e TVSH-së, edhe pas shtyrjes së afatit, do të gjobitet me 5 mijë lekë. “Ne iu bëjmë thirrje tatimpaguesve që të mbyllin deklaratat dhe administratën tatimore, ku mbi 8 mijë aplikues janë pritur, 900 tatimpagues janë asistuar për ta plotësuar deklaratën.  Kemi bërë 13 mijë vizita në gjithë territorin. Në rast se do të ketë tatimpagues që nuk do të plotësojnë e dorëzojnë deklaratën, administrata tatimore do kalojë në përgjegjësi tatimore me TVSH, do të ketë penalitet 5 mijë lekë për deklaratat e pa dorëzuara në kohë” deklaroi numri një i tatimeve.

Kreu i Tatimeve ka shpjeguar, se nuk do të ketë gjoba, për deklaratat e plotësuara me gabime. Këtyre tatimpaguesve do t’iu jepet mundësia të korrigjohen. “Nuk do të ketë penalitete për tatimpagues që plotësojnë me gabime deklaratën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Nga vrojtimet tona, për deklarata e dorëzuara, është një numër shumë i vogël deklarata të plotësuara në mënyrë të gabuar, tatimpaguesit janë kontaktuar dhe janë këshilluar për korrigjimin e deklaratave” tha ajo. Nga 1 prilli i këtij viti, të gjitha bizneset me xhiro vjetore 2-5 milionë lekë janë përfshirë në skemën e TVSH-së. Kjo i ngarkon me detyrimin ligjor për të mbajtur libra shitje e blerje dhe deklarim të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet