Bisedimet në Kretë/ Ish-ambasadori: Ja çfarë nuk pranojnë grekët

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Rama vlerëson ministrin e jashtëm dhe ekipin për bisedimet me palën greke. Por diplomati shqiptar bashkim Zeneli shprehet skeptik për rezultatet e takimit. Deputetët kërkojnë Bushatin: Na trego çfarë bisedove!

Kryeministri Rama falenderoi përpara anëtarve të grupit parlamentar të PS-së Ministrin e Jashtëm dhe ekipin e tij për atë që ai e cilësoi “punën e kryer në funksion të adresimit të problemeve të mbartura për dekada të tëra, në raport me fqinjin tonë jugor.” Sipas tij bisedimet e zhvilluara në Kretë kanë shënuar një moment shumë të rëndësishëm për diplomacinë tonë, por edhe për dinamikën e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Greqia për ne është një partner strategjik. Ne me Greqinë duam të kemi një traktat partneriteti strategjik dhe jo një sërë çështjesh që shfaqen e rishfaqen në rrugën e të ardhmes, herë pas here për arsye të brendshme në të shumtën e herës, herë si gurë, e herë si gjarpërinj dhe pengojnë përparimin e këtyre marrëdhënieve, pengojnë konsolidimin e këtyre marrëdhënieve, pengojnë pikërisht ecurinë e një partneriteti që është strategjik për ne, për Shqipërinë, por njëkohësisht dhe për Greqinë”.

Rama u shpreh i kënaqur palët ishin në tryezë dhe që diskutimi nuk bëhet me deklarata të lëshuara në distancë. “Ne na vjen mirë që më në fund, të gjitha çështjet adresohen në mënyrë racionale dhe kjo ndihmon jashtëzakonisht shumë, në lehtësimin e domosdoshëm të klimës, në radhë të parë në funksion të njerëzve, të popujve tanë. Sigurisht që është një proces që vazhdon, është një proces jo i lehtë, por nga ana tjetër është një proces që vjen si rezultat i këmbënguljes, i durimit dhe i qetësisë që na kanë shpërblyer në fund me këtë mundësi për t’u parë sy më sy e për t’i folur njëri tjetrit hapur, për çështje që pikërisht pse u mbajtën anash apo u bënë sikur nuk ekzistonin për vite të tëra, u kthyen në një tërkuzë që krijoi edhe probleme dhe momente të panevojshme nxehtësie, në marrëdhëniet mes dy vendeve tona.

Duke e inkurajuar ministrin e Jashtëm dhe skuadrën e tij për të ecur përpara në këtë rrugë, duke  e siguruar për gjithë mbështetjen dhe njëkohësisht edhe për vënien në lëvizje të gjithë atyre komponentëve institucionale të këtij procesi që duhet të përfshihen tanimë për të shkuar më tutje, kam shumë besim se këto çështje do të adresohen deri në fund, ashtu siç duhet dhe midis Shqipërisë e Greqisë do të hapet një kapitull i ri, një sezon i ri dhe ne do të bëjmë gjithçka mundemi që kjo situatë krizash në marrëdhëniet tona të kthehet në një situatë mundësisht për të dy vendet tona, duke arritur deri në nënshkrimin e një traktati të partneritetit strategjik, pasi për ne ka qenë e qartë që në krye të herës se Shqipëria ka partneritet strategjik me Italinë, Turqinë dhe Greqinë”0u shpreh kryeministri i Shqipërisë përpara anëtarëve të grupit parlamentar të PS-së.

Skepticizmi i ish-ambasadorit

Diplomati Bashkim Zeneli deklaroi dje se nuk ka arsye për entuziazëm në lidhje me takimin mes Kotzias dhe Bushatit. Ai tha se ende nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur në këto bisedime përveç spekulimeve mediatike. Zenali tha se është mirë që janë takuar dy ministrat dhe çështjet janë hedhur në tavolinë, por nuk beson se Greqia ta pranojë çështjen çame, madje edhe për ligjin e luftës asgjë nuk është e qartë pasi grekët thonë që është e hequr. Sipas diplomatit shqiptar Greqia është një aleat i rëndësishëm strategjik dhe se duhet gjetur konsensus pasi marrëdhënia mes dy vendeve duhet të ketë parasysh komunitetin shqiptar në Greqi dhe minoritetin grek në Shqipëri. “Është për t’u përshëndetur takimi, ndonëse nuk është hera e parë, 17-18 herë janë takuar, por takimi është për t’u përshëndetur se u ulën për të kapërcyer ngecjet e viteve që nuk janë vetëm të Ramës. Por edhe pa biseduar nuk zgjidhet. Ne përjetuam një periudhë aspak normale me Greqinë, një vend që e ka mbështetur Shqipërinë, erdhi një moment që kemi 7-8 vjet që nuk kemi një marëveshje me Greqinë, kjo tregon që nuk është punuar.

Marrëdhëniet mbetën peng i së kaluarës, me deklarata populiste dhe nacinalite, të gjitha këto e tensionuamn situatën por Greqia është një aleat serioz në rajon dhe këtë nuk duhet ta harrojmë. Rama e tha se kemi replikuar në distancë. Dakord, por ka 4 vjet. Unë kujtoj që vizitën e parë që e bëri Venizellos, nga ana e jonë u deklaruan që kemi këto probleme dhe topi është në anët tuaj, nuk mund të flitet kështu në diplomaci. Ato qindra mijëra shqiptarë nuk janë dakord me ftohjen e marrëdhënieve, dhe efektet duken që në kufij. Duhet kapërcyer kjo situatë. Në Kretë u bë shumë mirë që u ulan për të biseduar, kësaj here janë ulur për të trajtuar probleme të së kaluarës e të sotme. Duket sikur ka një vullnet për ti tejkaluar. Nuk mund të them me detaje.

Problemet janë disa: Ligji i luftës, Çamëria, Deti, varret greke, minoriteti. Por po marrim problemin e ligjit të luftës. Greqia thotë që nuk kemi. Ne kemi kërkuar që të diskutohet në parlamentin grek. Pala greke thotë që nuk ekziston. Me traktatin e miqësisë është hequr, pra nuk është e qartë. Grekët thonë nuk ka një problem çam, ne themi që ka. Unë nuk besoj se e ka njohur çështjen çame. Ajo që është kryesorja është marrëveshja e detit, sepse marrëdhëniet kanë mbetur të tensionuar më shumë për këtë kohët e fundit. Ka patur spekullime sikur Greqia e ka pranur për të bërë një marrëveshje tjetër. Rruga e jonë për në BE është e qartë, ne duhet të bëjmë detyrat tona dhe nuk janë vetëm problemet e brendshme. Në këtë rrugë ka kërkesa, principe, frymë. Ne duhet të njohim kompromisin përgjegjësinë, duhet të dimë të kapërdijmë. Raportet me Greqinë duhet të ndikohen nga një dy elementë shumë të rëndësishëm, nga minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti shqiptarë në Greqi”, tha diplomati Zeneli në ‘Fax News’.

Deputetët kërkojnë Bushatin: Na trego çfarë bisedove!

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati do të raportojë për takimet me ministrin e Jashtëm grek Nikos Kotzias. Kërkesa u bë nga deputetja e LSI, Klajda Gjosha në Komisionin për Politikë të Jashtë dhe është mbështetur edhe nga deputetja e PS, Mimi Kodheli. Nga negociatat nuk ka ende asnjë marrëveshje përfundimtare për disa nga çështjet që mbeten pezull mes dy vendeve. Pandeli Majko tha se takimi i Bushatit me Kotzias në Kretë krijoi një klimë miqësore, por nga çështjet që mbeten pezull mes dy vendeve nuk ka ende asnjë zgjidhje. Për disa ditë, qindra qytetarë shqiptarë që udhëtonin drejt Greqisë u bllokuan në kufi, në pikat doganore të Kapshticës dhe Kakavijës për arsye që nuk dihen. Kjo nuk e pengoi Ministrin tonë të Jashtëm të hidhte valle greke me disa nga bashkëkombasit e Kocias, në një nga takimet që kishin në Kretë.

Debatet në komision

Tritan Shehu: Është më racionale që ministri Bushati para se të bëjë takime të rëndësishme të paraqesë, qoftë dhe me dyer të mbyllura, platformën e atyre bisedimeve.

Klajda Gjosha: Në takimin e Kretës janë diskutuar tema të rëndësishme dhe është shume e nevojshme që ministri Bushati të raportojë në Komisionin e Jashtëm për të na treguar për marrëveshjet që janë bërë.

Mimi Kodheli: Edhe unë mendoj se do të ishte shumë e nevojshme për informimin tonë dhe të publikut se cilat janë hapat që janë ndjekur dhe cilët janë ata që do të ndiqen më pas.

Pandeli Majko: Duhet ta pranojmë që ky takim krijoi një klimë miqësore në raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Mimi Kodheli: Do ta thërrasim në komision Bushatin për atë takim.

Pandeli Majko: E drejta e votës së emigracionit dhe diasporës kërkon konfidencën e të dyja palëve, por mbi të gjitha transparencën e qeverisë.

Klajda Gjosha: Ne do të ishim të gatshëm t’ju ndihmonim me çfarëdolloj fondi që kjo qendër të hapet sa më parë dhe vota e emigrantëve të bëhet realitet.

Tritan Shehu: Ka ardhur momenti që ne të bëjmë këtë hap të rëndësishëm duke u dhënë të drejtën e votës shqiptarëve aty ku janë.