Bie besimi në ekonomi, të pashpresë për të ardhmen

Nga Neritan Gjergo

Banka e Shqipërisë zbardh raportin e besimit të biznesit dhe konsumatorit për ecurinë e ekonomisë. Në periudhën prill-qershor pesimizmi për ekonominë u rrit në të gjithë sektorët e ekonomisë. Konsumatorët nuk shfaqin shenja optimizmi

Situata ekonomike dhe gjendja e biznesit në vend janë vlerësuar në përkeqësim gjatë tremujorit të dytë të këtij vit, duke çuar në një rënie të besimit në sektorët e ekonomisë. Sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë mbi treguesin e ndjeshmërisë ekonomike (TNE), në periudhën prill-qershor, ky tregues u ul me 9.9 përqindje. Me përkeqësim kanë rezultuar të gjitha degët e ekonomisë, përfshirë dhe buxhetin e familjeve, ku përpos rrëfimit për përkeqësim të situatës financiare dhe pritshmëritë për të ardhmen qëndrojnë të vakëta. Balanca më negative në këtë indeks që mat Banka është shënuar te konsumatori, i cili qëndron poshtë mesatares historike, ku indeksi i besimit në ekonomi është në nivelin negative: -12.5 pikë përqindje, më i ulëti i raportuar në dy vitet e fundit.

Besimi i konsumatorëve

Treguesi i besimit konsumator (TBK) vazhdoi të bjerë në tremujorin e dytë, me 1.8 pikë përqindje. Kjo dinamikë rënëse e zhvendosi treguesin lehtësisht më poshtë mesatares historike të tij, me 0.2 pikë përqindje. Niveli më i ulët i TBK-së u ndikua nga rënia e të katër balancave përbërëse të tij, me përkatësisht: 3.8 pikë përqindje situata financiare e pritur e familjes, 2.6 pikë përqindje situata e të ardhurave dhe shpenzimeve, 0.6 pikë përqindje blerjet e mëdha dhe 0.3 pikë përqindje situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend.

Industria

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë ra me 3.7 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Me gjithë rënien e shënuar, TBI-ja vazhdon të qëndrojë rreth 6.2 pikë përqindje mbi mesataren historike të saj. Kjo dinamikë e treguesit reflektoi përkeqësimin e të tre balancave formuese të tij: prodhimit, me 8.2 pikë përqindje; kontratave porositëse, me 2.2 pikë përqindje; dhe, gjendjes së inventarëve, me 0.6 pikë përqindje. Rënie shënuan edhe balancat e tjera, si gjendja financiare, kontratat porositëse nga eksportet, si edhe pritjet për ecurinë e prodhimit dhe punësimit në tremujorin e ardhshëm. Gjithashtu, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve, ra si krahasuar me tremujorin e mëparshëm, me 1.1 pikë përqindje, ashtu edhe kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, me 0.4 pikë përqindje. Megjithatë, niveli i saj rreth normës 73.8% mbetet mbi mesataren historike përkatëse.

Ndërtimi

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit vazhdoi rënien edhe gjatë tremujorit të dytë, duke qenë 1.9 pikë përqindje poshtë nivelit të shënuar një tremujor më parë. Kjo ecuri e zhvendosi treguesin rreth 8.4 pikë përqindje nën mesataren historike të tij. Edhe në këtë tremujor, rënia e TBN-së u drejtua nga përkeqësimi i balancës së kontratave porositëse, me 4.2 pikë përqindje, ndërkohë që balanca tjetër përbërëse, aktiviteti ndërtues, shënoi rritje të lehtë me 0.5 pikë përqindje. Midis balancave të tjera, rënie shënuan edhe balancat e lidhura me gjendjen financiare dhe punësimin.

Shërbimet

Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve shënoi rënie me 8.9 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë. Megjithatë, TBSh-ja mbetet 9.0 pikë përqindje mbi mesataren historike të saj. Niveli më i ulët i treguesit u përcaktua kryesisht nga rënia e balancës së kërkesës, me 15.9 pikë përqindje, dhe në një masë më të vogël nga rënia e balancës së ecurisë së biznesit, me 1.9 pikë përqindje. Edhe balancat e tjera të vrojtimit si: gjendja financiare, pritjet për kërkesën dhe punësimin në tremujorin e ardhshëm, rezultuan të përkeqësuara. Ndërkohë, balanca e punësimit dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënuan rritje. Më konkretisht, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi rreth 75.5%, duke qenë 0.2 pikë përqindje mbi nivelin e një tremujori më parë dhe 2.9 pikë përqindje më lart se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky tregues rezulton rreth 5.2 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij.

Tregtia

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë ra me 3.3 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë, duke vijuar të qëndrojë mbi mesataren historike të tij me 2.2 pikë përqindje. Rënia e TBT-së pasqyroi kryesisht përkeqësimin e balancës së pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, me 6.7 pikë përqindje. Balanca tjetër formuese e treguesit, ecuria e biznesit, qëndron rreth 0.1 pikë përqindje më lart vlerës së një tremujori më parë. Për sa i takon balancës së punësimit në tremujorin në analizë, ajo shënoi rritje, ndërkohë që ecuria e biznesit në tremujorin e ardhshëm qëndroi në të njëjtin nivel me tremujorin e mëparshëm. Në të kundërt, balanca e gjendjes financiare rezulton të ketë rënë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve u rrit me 2.7 pikë përqindje kundrejt tremujorit të mëparshëm dhe me 2.6 pikë përqindje krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Megjithatë, kjo normë prej rreth 72.6% në tremujorin në analizë, qëndron 3.6 pikë përqindje më poshtë mesatares historike të saj.

Inflacioni pranë objektivit

Për herë të parë pas dy vitesh, niveli i çmimeve të shportës po i afrohet objektivit që ka Banka e Shqipërisë. Inflacioni për muajin qershor arriti nivelin 2.4%, nga 3% që është optimali i vendosur për Shqipërinë. Sipas shifrave të INSTAT, ky është niveli më i lartë i inflacionit i regjistruar që nga janari i vitit të kaluar. Në atë periudhë, rritja erdhi kryesisht nga një valë e pazakontë të ftohti që shkaktoi shtrenjtim të produkteve bujqësore. Ndërkohë, rritja e muajit qershor duke të ketë baza më të qëndrueshme dhe është e shpërndarë në disa grupmallra. Përveç një rritje të çmimeve në grupin e ushqimeve, një ndikim në rezultatin e muajit qershor dhanë edhe çmimet e qirave, ato të karburanteve dhe të veshjeve. Brenda grupit të ushqimeve, rritja më e lartë erdhi në të nëngrupi i zarzavateve, ndërsa shtrenjtim u regjistrua dhe te peshku dhe vaji. Rritja e çmimeve të karburanteve e ka rritur me 1 pikë përqindje inflacionin e grupit “transporti”, duke e çuar në 3.1%.Lëvizja shumë e ngadaltë e inflacionit drejt objektivit prej 3% e detyroi muajin e kaluar Bankën e Shqipërisë të ulte sërish normën bazë të interesit, në minimumin e ri historik prej 1%.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet