Biblioteka e lagjeve u kthyen në salla relaksi, mungojnë librat e rinj

Foto 2 nga 3 Pas Para

Bien kambanat e alarmit për funksionimin e bibliotekave publike. Mos furnizimi me botimet e reja si dhe shndërrimi në “Qendra Multifunksionale” po rrezikojnë rolin e tyre parësor. Pedagogë e studiues kërkojnë të merren masa

Anila Dedaj

Një patinim dhe një bojatisje nuk sjell ndryshime të mëdha dhe as bën që institucionet publike të funksionojnë si duhet, e konfirmojnë këtë njerëzit e librave. Kësaj here kambanat e alarmit bien për 8 bibliotekat e lagjeve të kryeqytetit, të përfshira në “operacionin” për rikonstruktim, por që nuk furnizohen me librat e rinj. Mjafton të hysh në ambientet e bibliotekës publike simbol “Musine Kokalari” dhe do ta kuptosh se “libra të rinj” konsiderohen ende ata të 2015-ës, që ndonjëra nga shtëpitë botuese i ka sjellë së fundmi. A e humbet kështu biblioteka funksionin e saj kryesor, si një ambient ku mund të kërkosh, lexosh dhe konsultosh libra, përfshirë botimet e reja? Tanimë këto ndërtesa shërbejnë edhe si Qendra Multifunksionale, e megjithatë nuk janë në gjendje të përmbushin kërkesat e frekuentuesve. Sipas pedagogut dhe gazetarit, Erion Kristo, situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe për këtë duhet një vizion tjetër i qeverisjes vendore. “Që situata të përmirësohet duhet të ndalojë vjedhja e fondeve publike”, shprehet ai. Për studiuesin Frano Kulli, funksionimi i bibliotekave të lagjeve qëndron në kornizat e propagandës. “Sikur ca thërrime të buxhetit të shpenzuar për fasadat e tyre të ishin shpenzuar për blerje librash, ato mund të ishin biblioteka shumë më tepër sesa janë sot këto qendrat multifunksionale”. Studiuesi shpreh nevojën për të bërë të qartë rolin e bibliotekave publike, duke shmangur përdorimin e tyre për funksione të tjera. Ai thekson se bibliotekat askund nuk janë vend pushimi e relaksi (janë arrestuar si kafene), por vendi ku mund të ushtrohet marrëdhënia e lexuesit me librin.

Zoti Kristo, ndërkohë që kambana alarmi po bien për rënien e numrit të lexuesve, si e shikoni rolin e bibliotekave të lagjeve në këtë mes?

Bibliotekat e lagjeve nuk mund të kryejnë më funksione të tilla. Duhen gjëra më të mëdha. Jo thjesht biblioteka. Duhet të bëhen kurse, duhen 1000 gjëra. Po ekzistenca e bibliotekave të vjetra të lagjeve është e kotë.

Probleme janë konstatuar edhe lidhur me pasurimin e bibliotekave me botime të reja. Sipas jush a mjafton vetëm rikonstruktimi i bibliotekave të lagjeve për të afruar lexuesin?

Nuk është thjesht çështja te botimet e reja. Kemi shumë shtresa të popullsisë që nuk kanë akses te libri dhe produkte të tjera kulturore. Duhet ndërhyrë me shifra të mëdha për të rregulluar këtë situatë. Duhet një vizion tjetër i qeverisjes vendore. Një patinim dhe një bojatisje nuk do sjellin asnjë ndryshim. Një bibliotekë që frekuentohet nga 30 vetë, më mirë të mos jetë.

Projekti bën të mundur që bibliotekat e lagjeve të kenë rolin e hapësirave multifunksionale. Nga ana e shtetit thonë se pas rikonstruktimit po rritet numri i frekuentuesve, nga ana tjetër numri i lexuesve vjen në rënie. Çfarë duhet bërë sipas jush, që situata të përmirësohet?

Nuk e di çfarë ndodh me këtë fjalën multifunksionale. Bibliotekat duhet të pajisen me literaturë shkencore, jo vetëm artistike. Që situata të përmirësohet duhet të ndalojë vjedhja e fondeve publike, si p.sh. 8 miliardë lekë për të zhvendosur rrugën e Pogradecit për të ruajtur një bunker nazist. Me këto 8 miliardë lekë të vjetra mund të bëhej një mrekulli kulturore në Tiranë. Mos të thotë kush se jemi të varfër. Jemi shumë të pasur përderisa politikanët tanë janë shumë të pasur. Jemi të varfër në ide. Festivali i balonave dhe i kaçkavallit na duket më interesant se sa libri.

Ju vetë a e frekuentoni Bibliotekën e lagjes suaj. Ç’mund të na thoni për gjendjen dhe funksionimin e saj?

Lagjja ime s’ka. Edhe në ka, s’ka atë që më duhet mua. Unë e marr literaturën në gjuhë të huaj.

Sipas jush ka ardhur koha të mendohet për një bibliotekë qyteti?

Unë kam jetuar në SHBA, Santa Monica, Los Angeles. Aty kishte një bibliotekë qytetëse. Shkoja shpesh. Ishte plot. Ishte qendër interneti, kishte libra, video, plot shërbime rekreative. Nuk duhet të mendojmë vetëm për një bibliotekë qytetëse, por për 20 të tilla. Jemi popull i pakultivuar. Prandaj kemi nevojë më shumë se sa gjithë të tjerët. Duhen qendra polifunksionale.

Gjendja është alarmante edhe në Bibliotekën Kombëtare. Prej më shumë se dy dekadash ndihet mungesa e hapësirave për materialet librore. Sipas jush, pse askush nuk ka marrë masa deri më tani?

Sepse udhëheqësit tanë, edhe pse shtiren si të lëçitur, në të vërtetë e kanë urryer librin dhe dijen. Dija do të ishte fundi i tyre, dhe ata kanë parapëlqyer padijen. Kjo duket dhe tek emërimet në institucionet kulturore. Rrallë kemi pasur ministra të kulturës, njerëz kulture. Marrëdhënia me librin e përkufizon një shoqëri. Ne jemi të papërkufizuar. Dhe moskujdesi për kulturën ka qenë pjesë e kulturës së atyre që na kanë qeverisur.

Drejtoresha e këtij institucioni, si dhe Instituti i Ndërtimit, e kanë konsideruar këtë godinë si të papërshtatshme për Bibliotekë Kombëtare, duke kërkuar një bibliotekë të re. Si mendoni ju rreth kësaj dhe faktit që përjashtohet mundësia për rikonstruktim e godinës?

Sepse planet për zhvillim, planet për kulla dhe betonizim janë në mendjen e largpamësit, Mr. Betonarmesë. As Drejtoresha, as Instituti nuk kanë tagër, as dijeni të plotë. Janë thjesht rrogëtarë. Godina nëse spastrohet nga bizneset që e kanë zaptuar, ka mjaft vend. Po për këtë nuk ka vullnet politik. Dhe vullnetin politik e zotëron vullnetari i betonit. Do kemi një bibliotekë të re nën shalët e 5 kullave. Mund të jetë diçka më e mirë se sa kjo që kemi, por do kemi një bibliotekë të re.

Vullnetin politik e zotëron vullnetari i betonit. Do kemi një bibliotekë të re nën shalët e 5 kullave.

Studiuesi Frano Kulli flet për bibliotekat e lagjeve dhe për (mos)funksionimin e tyre. Ai nënvizon faktin se një bibliotekë nuk duhet të dalë nga roli i saj dhe se “zhurma” që bëhet kur flitet për mirëfunksionimin e tyre është vetëm fasadë.

Zoti Kulli, çfarë mendoni për funksiononim e bibliotekave të lagjeve në Tiranë?

Ideja për t’i ringritur bibliotekat e lagjeve në Tiranë, padyshim ka qenë një ide për t’u përshëndetur dhe për t’u inkurajuar. Ringritja dhe funksionimi i tyre, për vetë rrethanat e reja të leximit sot që  ka sjellë stadi i zhvillimit, sidomos të teknologjisë së komunikimit, ato ofrohen si një mundësi shumë e mirë për të ruajtur, jo vetëm mënyrën klasike të leximit qyshse kur është shpikur, por edhe si një mënyrë që ende mbetet e pazëvendësueshme. Edhe për një tjetër arsye më shumë, gjithashtu, që lidhet me sistemin ende të pakonsoliduar të rrjetit të librarive, një hallkë që çedon keqas në gjithë mekanizmin e punën librore në Shqipëri, mendoj unë… Pastaj se si funksionojnë ato, për këtë mjafton të njihesh edhe përciptazi me eksperienca të qytetarëve të Tiranës, për të cilat edhe është shkruar dhe kupton se jemi vetëm në “fasadë” e propagandë, ashtu siç ajo dominon në të gjitha punët që bën Bashkia e Tiranës, e cila edhe kur ngul një gozhdë diku, më përpara përgatitet që zhurmat dhe të gërvishturat e saj t’i dëgjojë publiku…

Mendoni se rikonstruksioni i tyre si qendra multifunksionale ka qenë i domosdoshëm?

I domosdoshëm, jo e jo, por as edhe i nevojshëm jo, mendoj unë. Bibliotekat, kudo janë biblioteka. Bibliotekat askund nuk janë vend pushimi e relaksi, por vendi ku ushtrohet marrëdhënia e lexuesit me librin. E theksoj e lexuesit dhe jo e çdo individi, që në një moment të caktuar të ditës ka nevojë të çlodhet, të pushojë dhe diku duhet ta realizojë këtë nevojë… Bie fjala, dikush dëshiron ta realizojë një pauzë pushimi, duke treguar barcaleta. Po a është biblioteka vendi i përshtatshëm? Nëse është edhe bar-kafe, i bie të jetë. Dhe kjo, padyshim është, më së paku komike.

Po përsa u përket furnizimit të këtyre bibliotekave me libra të rinj, sa janë kujdesur institucionet përkatëse?

Mjafton të njihesh me inventarin e librave në këto biblioteka dhe do ta ndjesh boshllëkun që ekziston aty, përtej fasadave të reja. Sikur ca thërrime të buxhetit të shpenzuar për fasadat e tyre të ishin shpenzuar për blerje librash ato mund të ishin biblioteka shumë më tepër sesa janë sot këto “qendrat multifunksionale”.

Sikur ca thërrime të buxhetit të shpenzuar për fasadat e tyre të ishin shpenzuar për blerje librash ato mund të ishin biblioteka shumë më tepër sesa janë sot këto “qendrat multifunksionale”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Libri që jeton

Natasha Lako Nuk e di përse, para se të flas për Panairin e sivjetmë të librit, veçoj menjëherë nga shkrimtarët…

Abissnet