Betonizohet zona arkeologjike në Durrës, nis ndërtimi i 4 pallateve

Betoni po hidhet mbi rrënoja, ndërsa objektet arkeologjike që kanë dalë në sipërfaqe gjatë gërmimeve të ekskavatorëve janë mbuluar me mushama, por pa penguar vijimin e ndërtimit

Ka nisur ndërtimi i katër pallateve 5-katëshe në zonën arkeologjike të kategorisë së parë në qytetin e Durrësit. Ky është një skandal, po të kihet parasysh rëndësia e kësaj zone, e cila ndodhet pranë asaj që njihet nga banorët e Durrësit si “Vila e Zogut”. Madje betoni po hidhet mbi rrënojat, ndërsa objektet arkeologjike që kanë dalë në sipërfaqe gjatë gërmimeve të ekskavatorëve janë mbuluar me mushama, por pa penguar vijimin e ndërtimit. Boldneës.al sjell pamjet mbi masakrën që po ndodh në zonë, ndërsa mësohet se policia është mjaftuar me një shërbim 24 orësh për të ruajtur objektet, dhe më pas është larguar.

Ndërtimi i 4 objekteve, 5 katëshe, ka nisur pavarësisht protestave të banorëve, por edhe urbanistëve, që kanë ngritur shqetësimin se zbatimi i një projekti të tillë në këtë zonë, rrezikon objekte të tjera, por njëkohësisht dëmton edhe rëndësinë që ka ajo, si zonë arkeologjike.

Pak javë më parë në media, Adhurim Qehajaj, shef i zyrës së urbanistikës në Durrës, deklaronte për mediat se firma para se të merrte lejen plotësoi një sërë kriteresh e detyrimesh ligjore duke nisur nga studimi arkeologjik, mjedisor, sizmologjik etj.

Punimet në zonë u bllokuan për mbi 8 muaj, pasi banorë të zonës kishin paditur firmën ndërtuese në gjykatë, e cila në përfundim, vendosi në favor të saj. Urbanisti Ardian Muka, i cili ka mbajtur edhe pozicionin e nënkryetarit për zhvillimin urban në këshillin bashkiak të qytetit, para votimeve të 30 qershorit, ka denoncuar projektin që po zbarohet, pra atë të ndërtimit të 4 ndërtesave 5 –katëshe.

Sipas tij, ky projekt rrezikon 3 ndërtime të tjera të bëra kohë më parë, ku janë strehuar 200 familje.

Muka i mbështet vërejtjet e tij në tre pika të rëndësishme, që lidhen me sizmologjinë, arkeologjinë dhe mjedisin. Urbanisti shprehet se terreni ku po ndërtohet është argjilor dhe shumë rrëshqitës.

Banorë të zonës i janë drejtuar Bashkisë, Prefekturës, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera lokale në Durrës rreth 3 muaj më parë, ku i kërkonin të pezullohej projekti. Por duket se gjithçka ka kaluar në heshtje.

Nga Prefektura banorëve i është thënë se nuk ka punime, e njëjta përgjigje i ka shkuar edhe nga Bashkia, ndërkohë që sot zona është betonizuar. Betoni është hedhur mbi gërmadhat e zonës arkeologjike, e cila duket se nuk ka pasur asnjë rëndësi për Bashkinë. Fotot tregojnë se kjo zonë, e klasifikuar si arkeologjike e kategorisë së parë, me ritmet e punimeve, do të kthehet në një zonë të betonizuar dhe me pallate.

Banorët kanë deklaruar se janë ankuar në gjitha institucionet përkatëse, por nuk kanë marrë një përgjigje. “Kemi një problem të jashtëzakonshëm sepse po bëhen gjithë këto pallate, për ne është tronditje. Lëvizjet sizmike janë të larta ne i kemi të plasaritur shtëpitë. Është dhënë një leje ndërtimi pa e ditur ne. Erdhën duke hap  gropa  na thanë se janë gropa për kërkime arkeologjike.  Ne çuam letër në prefekturë, në ministrinë e Kulturës, në prokurori dhe në Bashki. Bashkia na tha që s’keni punime aty ndërsa perfektura  na tha nuk ka gropa, por ne i shihnim aty gropat që ishin të hapura”, u shpreh një nga banorët. Në qershor, banorët denoncuan në Polici punëtorët e firmës së ndërtimit, të cilët prenë dy pemë të larta në zonën që njihet si Kodërvilë. Policia bëri shoqërimin e dy punëtorëve dhe teknikut të objektit, por ata njoftuan se kishin lejen e ndërtimit, teksa u paraqitën edhe dokumentet nga Bashkia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet