Besart Kadia: Qeveri teknike nuk e zgjidh krizën, vetëm e shtyn

Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, eksperti i ekonomisë, Besart Kadia, flet për situatën politike në vend dhe impaktin që ajo ka në ekonominë e vendit. Sipas tij, opozita nuk duhet të kërkoj vota me premtime ekonomike. Qeverisja tranzitore nuk ka legjitimitet për mirë qeverisje

Erjon Dervishi

Situata e fundit politike në vend ka krijuar një krizë institucionale në vend. Deputetët e opozitës janë larguar nga Parlamenti dhe kanë djegur mandatet e tyre politike. Prania e deputetëve të rinj në sallë pak pritet të ndryshojë situatën në të cilën ndodhet kriza institucionale. Por krizat politike rrjedhimisht ndikojnë edhe tek ekonomia e një vendi. Veçanërisht kjo është e dukshme në Shqipëria në vitet e fundit. Klima e pasigurisë në vend është rritur ndjeshme. Si pasojë kjo çon dhe në tkurrje të investimeve, shpenzimeve dhe zhvillimit. Për gazetën “Shekulli”, flet eksperti i ekonomisë dhe Koordinatori Kombëtar i “Qendrës Ekonomike Austriake”, shpjegon zhvillimet e fundit politike dhe ndikimin e tyre në sektorin ekonomik dhe social. Një pikë kyçe sipas Kadias, është edhe ligjërimi politik i kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Aksioni i fundit që Basha ka ndërmarrë, duke takuar elektoratin e tij në qytete të ndryshme të Shqipërisë për protestën e sotme. Në të njëjtën kohë Kadia shpjegon edhe momentin e vështirë që ekziston në marrëdhëniet midis Qeverisë dhe Biznesit. Sipas tij, qeveria ka vetëm një qëllim, atë të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht.

Intervista e plotë:

Kadia opozita në Shqipëri është larguar nga Parlamenti. Kjo përbën një krizë institucionale, por si pritet të ndikojë tek ecuria e aktivitetit ekonomik në Shqipëri?

Mendoj se kriza politike e Shqipërisë nuk është e këtij muaji të fundit. Duke filluar që me protestat e vitit 2009 pas zgjedhjeve parlamentare Shqipëria ka hyrë në krizë apo pasiguri politike që përsëriten thuajse çdo dy vjet. Në këtë periudhë kohe ekonomia shqiptare ka pasur një zhvillim nën potencialin e saj. Ekonomia mendoj se është adaptuar ndaj këtyre fenomeneve politike dhe nuk mendoj se kjo krizë do ta vendosë në pikëpyetje ecejakjen e saj të pasigurt. Kreditimi i ri i ekonomisë është thuajse zero në 8 vitet e fundit duke theksuar faktin se projektet e reja në investime në real estate vijnë kryesisht nga financime që nuk janë pjesë e sistemit bankar. Po ashtu familjet shqiptare 80% të shpenzimeve të tyre mujore i kanë për ushqime, qira e energji që do të thotë se pavarësisht krizës këto shpenzime do të vazhdojnë!

Diskursi i fundit i opozitës dhe pozitës është përqendruar tek ekonomia dhe ndikimi që ajo ka në portofolin e qytetarëve në vend. A mendoni se turi i Z. Basha në qytetet e Shqipërisë do të bëjë të mundur orientimin e duhur të qytetarëve apo ajo është thjesht një fasadë për të thithur vota?

Nuk mendoj se është fasadë diskursi i zotit Basha për ekonominë. Por nga ana tjetër është një diskurs i mbivendosur në një paqartësi të fateve politike. Në hierarkinë e diskursit publik politika mbetet mbi ekonominë e për rrjedhojë alternativa për zhvillimin ekonomike mbeten të keq vendosura. Qytetarët kanë pak njohuri për ekonominë dhe Shqipëria ka një ndër vendet më pak të edukuara në çështje ekonomike. Ndaj pavarësisht se ekonomia mbetet parësore, për qytetarët shqiptar ata mbeten të paaftë për të kuptuar problematikat dhe alternativat ekonomike. Për këtë arsye shkrirja e alternativës ekonomike me kërkesën për protestë politike më duket e panevojshme dhe jo efikase për të krijuar elektorat. Alternativa ekonomike nuk është debati i sotshëm ndaj më duket dhe i panevojshëm ku diskurs publik për momentin. Të zgjidhet kriza institucionale politike e më pas flitet për alternativën më të mirë!

Sa herë që ka një krizë politike në vend, të parat që preken janë bizneset apo grupet e ndryshme të interes. A mendoni se grupet e interesat në Shqipëri janë në gjendje që të ushtrojnë presion mbi qeverinë për të ndërmarrë nisma të cilat janë në përputhje me interesin e tyre, apo ato shërbejnë si fasadë për të marrë favore nga qeveria?

Klima e të bërit biznes nga Banka Botërore është një ndër indikatorët e rëndësishëm për të parë sa e gatshme është qeveria e një shteti për të krijuar shtratin institucional ku biznesi të shtrihet e të zgjerohet. Fatkeqësisht të dhënat e vitit të kaluar e vendosën Shqipërinë më keq se vitet e mëparshme. Duke qene se biznesi nuk ka fuqi për të iniciuar këto ndryshime ligjore që përmirësojnë jetën e tyre të përditshme, pa pasur anë politike, e shoh akoma më të vështirë fuqinë e tyre për të ndikuar në qeveri për të zgjidhur kriza politike. Për këtë arsye mendoj se qeveria ka dhe do të ketë vetëm një objektiv: si të mbajë pushtetin e saj. Ndaj dhe kriza duket se lë jashtë të gjithë aktorët e tjerë lokal, e aq më tepër biznesin.

Sipas jush, çfarë ndikimi do të ketë ardhja e deputetëve të rijnë në Parlamentin e Shqipërisë?

Deputetët e rinj e të vjetër që nuk dogjën mandatin kanë vetëm një gjë të përbashkët me njëri tjetrin: dolën kundër vullnetit të partisë së tyre. Për këtë arsye mendoj se ata nuk janë në gjendje për të bërë një lëvizje të përbashkët e për këtë arsye do të jenë disa zëra të larmishëm që nuk do të bëjnë dot më shumë jehonë se salla boshë e parlamentit. Kuptohet që qeveria do të mundohet ta amplifikojë artificialisht zërin e tyre në publik. Ata kanë një rol historik në Shqipëri ku me votat e tyre mundet të ndryshojnë krejtësisht skenën politike shqiptare në rast se votojnë për një kod të ri zgjedhor. Gjasat janë që pas këtij akti unë shoh një përshkallëzim të situatës politike në Shqipëri shumë më të ashpra se ç’kemi parë deri tani.

Si e komentoni përbërjen e re të Këshillit të PD, a duhet të ketë prurje të reja dhe cilat janë sfidat me të cilat përballet opozita në Shqipëri?

PD është si ato përditësimet e celularëve të fundit ku gjithnjë duket sikur thotë: updating…. Por që duket e mbetur në atë proces e akoma nuk merret vesh forma e fundit që ka marrë apo do të marrë. Besoj se PD me burimet njerëzore ka një histori komplekse këto vitet e fundit!

Po vështirësitë më të mëdha të qeverisjes në cilin sektor i shikoni? A mund të flasim edhe për një krizë ekonomike dhe a mund të ketë një qeveri teknike deri në zgjedhjet e ardhshme lokale?

Qeveria aktuale hapi disa kantiere njëkohësisht dhe në një analizë timen të katër viteve më parë kam parashikuar se “gjashtë reforma baraz me zero reforma”. Dhe koha më ka dhënë të drejtë pasi Shqipëria nuk ka asnjë institucion të reformuar ku qeveria mundet të krenohet se e “nisi dhe e bitisi”. Ju kujtohet lufta anti-informalitet që shkaktoi vetëm kaos e panik në vend e sot problemet mbeten po njësoj. Reforma territoriale po ashtu shfaq probleme të theksuara në financim apo performancë të bashkive. Nuk mendoj se qeveria teknike do të kishte legjitimitetin e plotë për të kryer mirë qeverisje. Shqipëria është në një ngërç të thellë me veten dhe nuk mendoj se është një çështje e krizës së forcave politike, po është një krizë që shkon më thellë se aq. Kriza është sociale e kulturore dhe kriza politike është vetëm pasoje e këtyre krizave. Qeveria teknike apo tranzitore do të shtynin në kohë hapjen e një debati akoma më të madh që ka të bëjë me identitetin shqiptar në shekullin 21. Identitet që është në kontradiktë me kërkesat e ekonomisë së tregut dhe vlerat kulturore të trashëguara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet