Besa Kokëdhima rikthehet  në festivalin “Kënga Magjike” me “Histori”

Për herë të parë në “Kënga Magjike” Besa vjen si kantautore, pasi autorësinë e tekstit dhe muzikës të këngës së saj “Histori”, e mban ajo vetë. Performancë emocionuese dhe vërshim vlerësimesh pozitive nga kritika dhe publiku

Rikthehet në festivalin “Kënga Magjike” pas 6 vitesh ende si kampione, pasi kënga e saj “Tatuazh në zemër”, në vitin 2013 e shpalli Besën fituese të festivalit. Prej disa kohësh, Besa është vendosur në Francë dhe e ndan jetën e saj mes Francës dhe Shqipërisë. Për herë të parë në “Kënga Magjike” Besa vjen si kantautore, pasi autorësinë e tekstit dhe muzikës të këngës së saj “Histori”, e mban ajo vetë. Tematika e intervistave e përzgjedhur për këngëtarët Big në “Kënga Magjike” këtë vit janë rrjetet e tyre sociale, dhe për Besën ishte përzgjedhur pikërisht ‘gjeneza’ e profilit të saj në instagram; fotoja e parë që vetë këngëtarja ka publikuar.

Kjo foto e ktheu Besën në emocionin e vitit 2012, ku e ftuar në skenën e programit “E Diela Shqiptare”, këngëtarja me zërin potent, ka kënduar këngën e divës ndërkombëtare Imany “You will never know”. Kjo performancë tërhoqi edhe vëmendjen e vetë Imany, e cila në atë vit ka postuar në profilin e saj në Facebook videon e shkëputur nga programi “E Diela Shqiptare”. “Gjeniale! E pabesueshme! “You will never know” kënduar nga një pop yll i muzikës shqiptare! Jeta vërtetë është plot befasi”, ka shkruar Imany. Ndërkohë Besa tregoi gjatë programit edhe emocionin e takimit nga afër në Poloni me këngëtaren e famshme Imany.

Pjesë nga biseda

Besa, nga na ke humbur?

Pak a shumë gjithandej, me epiqendër në Paris.

Si shkon jeta në Francë?

Po mirë shumë. Më pëlqen, e gjej veten shumë mirë, por më merr malli, kështu që vij herë pas here. Më ka marrë malli edhe për këtë skenë magjike, më kishte marrë malli shumë për ty në fakt.

Shumë faleminderit! Kënga e sotme titullohet “Histori”?

Po

Ç’është kjo histori? Çfarë është fjala histori për ty? Sepse ti e ke bërë edhe këngën vetë apo jo? E ke krijuar vetë muzikën dhe tekstin.

Besa Kokëdhima: Po është e vërtetë dhe kisha një dilemë, në momentin që duhej përzgjedhur titulli i këngës dhe në fakt kisha dëshirë ta përcaktoja “Histori” për vetë faktin se është thjeshtë dhe vetëm një histori njerëzore. Dhe çdo njeri e gjen veten e vet. E gjen apo nuk e gjen? Por nuk desha diçka pretencioze. Në gjykimin tim është thjeshtë një histori, është koktej emocionesh dhe përjetimesh të cilat kanë ardhur nëpërmjet meje me copëza të shpirtit tim.

Dhe meqenëse jemi te historia, shiko çfarë shkëputëm nga “Instagrami” yt. Një foto që për mua është histori. Dhe kjo është fotoja e parë fare në “Instagram”-in tënd, imagjino sa i përkëdhelur ndihem.

E vërtetë, kam kënduar këngën e Imany këtu, “You will never know” që më pas e publikoi edhe vetë Imany. Ishte diçka e madhe dhe e bukur. Në fakt Ardit unë e takova edhe vetë Imany më pas dhe ajo më kujtonte. E takova në Poloni, në Sopot, në “Music Festival”. Dhe ajo më tha: A ti je ajo. Dhe me mbajti mend, ishte një artiste shumë interesante.

Ardit Gjebrea: Dhe çfarë të tha?

Fjalë të mira, nuk mbaj mend diçka shumë specifike, por thjeshtë se ishte diçka që zëri im është i veçantë në regjistra, kështu që u gëzova që një artiste tjetër mund ta interpretonte me emocionin që e interpretoj.

Tani do i dërgojmë Imany-t këtë këngën

Besa Kokëdhima: Inshallah.

Një copëz shpirti në skenën epike

“Sot në orën 17:50 prezantoj një copëz shpirti në skenën epike të ‘Këngës Magjike’. Gjatë karrierës sime gjithnjë kam qenë e përfshirë në proceset e krijimit, realizimit e çdo hapi të muzikës sime duke bashkëpunuar me artistë të mrekullueshëm, por këtë herë vij me një krijim tërësisht timin. ‘Histori’ është edhe rikthimi im plot emocion tek ju”. Ky ishte mesazhi që përcolli Besa në postimin e saj në ‘Instagram’, para performancës. Ndërkohë edhe produksioni i Këngës Magjike i ka kthyer Besës, “mesazhin” duke referuar për të vlerësime tejet pozitive.  “Këngëtare me zë potent, personalitet skenik dhe interpretim mjaft emocional të këngëve të saj. Besa Kokëdhima është fituese e një sërë çmimesh në festivalet muzikore ku ajo ka qenë pjesëmarrëse. Ajo triumfoi në edicionin e 5-të të Top Fest dhe edicionin e15- të të festivalit Kënga Magjike, ku u vlerësua me çmimin e parë. Pikërisht viti 2013 ka qenë pjesëmarrja e fundit e Besës në Kënga Magjike, ku kënga e saj “Tatuazh në zemër” atë vit u vlerësua edhe me çmimin Best Dance. “Çmimi Jon Music” dhe “Çmimi i Kritikes” janë gjithashtu çmime të fituara nga këngëtarja e njohur në festivalin “Kënga Magjike”. Në karrierën e saj Besa ka realizuar edhe një sërë bashkëpunimesh mjaft të suksesshme. Ky është viti i 5-të i konkurrimit të Besës në “Kënga Magjike” me këngën “Histori”.

Skena

“Kënga Magjike” është vlerësuar për larminë e muzikës që ka sjellë për publikun, duke siguruar një përzierje të madhe të këngëtarëve dhe bandave nga Shqipëria me ato nga vendet fqinje, një pjesë e madhe që vijnë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe zona të tjera. Kënga Magjike ka qenë gjithashtu skena për shumë rikthime të këngëtarëve të famshëm shqiptarë që banojnë në vende të tjera, si dhe artistë që kanë kontribuar në industrinë e muzikës shqiptare në të kaluarën. Këngët nga ky konkurs kanë rezultuar në hite të shumta të paharrueshme për shqiptarët në të gjithë botën.

Kualifikimet

Nisi në një mënyrë pak të pazakontë kjo javë për kategorinë New Artist. Ishte anëtari i jurisë Enkel Demi, të cilit Ardit Gjebrea, i dha rolin e prezantuesit, dhe ishte pikërisht gazetari i njohur i cili prezantoi në një mënyrë mjaft të veçantë, sipas këndvështrimit të tij personal, anëtarët e tjerë të jurisë. Prezantim i cili nuk kaloi pa humor, duke shkaktuar të qeshura tek vetë anëtarët e jurisë dhe tek publiku i programit “E Diela Shqiptare”. Në vijim të mbrëmjes, anëtarët e jurisë kaluan për fazën e parë tre prej katër konkurrentëve në garën e festivalit “Kënga Magjike”. Grupi rrok Urban Band; Henri i cili erdhi për herë të dytë në kategori dhe Vivi; ishin tre fituesit e kësaj jave. Stelina, konkurrentja nga Kosova nuk ia doli të kualifikohej, duke e përfunduar konkurrimin e saj me performancën e kësaj të diele.

Video!

Një video e postuar në Instagramin e dy këngëtarëve të njohur, ka zbuluar edhe pjesëmarrjen e tyre në festivalin “Kënga Magjike 2019”. Pas “zhurmës”që krijoi kjo video, Eneda sqaroi se gjatë momentit që ajo po këndonte në studion e Florit, e ka shoqëruar këngën edhe me lëvizjen e duarve, gjë që ka bërë të derdhet një gotë uji. Momenti që Flori është ulur për të pastruar, Enedës i është dukur mjaft për të qeshur dhe e ka xhiruar këtë skenë, për ta postuar atë më pas, të dy në profilet e tyre.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet