Bëri thirrje për mos festimin e festave kombëtare, procedohet imami Armand Ali

Publikuar më 07. 12. 2017 nga Xhentila Gjoshi

Kur kanë kaluar disa ditë nga festa e Pavarësisë, në Prokurorinë e Tiranës janë referuar materialet për imamin Armand Ali. Ai akuzohet për veprën penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”.
“Më datë 06.12.2017, u referuan materialet në Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin A.A, 41 vjeç, banues në Selitë, Tiranë, për veprën penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, pasi ka publikuar një shkrim, në një rrjet social me titull “ Befason imami shqiptar: Mos festoni ditën e Pavarësisë, është haram! ”. Neni 265 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Ndonëse shumica e shqiptarëve zgjedhin të festojnë me rastin e 28 dhe 29 nëntorit, pasi e konsiderojnë si një datë të rëndësishme dhe historike, imami shqiptar Armad Ali ka tjetër mendim për këto festa. Përmes një statusi në “Facebook”, ai thotë se festa e Pavarësisë së Shqipërisë dhe festat e tjera kombëtare janë haram dhe nuk duhet të festohen nga myslimanët.