Beqir Meta: Nuk është faji i historianëve, që gjermanët janë larguar nga Shkodra, mbrëmjen e datës 28 Nëntor, duke gdhirë 29-a

Publikuar më 28. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Drejtori i Institutit të Historisë në ASA, Beqir Meta, bën një përqasje se si kanë qenë vitet e para të demokracisë për shqiptarët. Sipas tij, shqiptarët ishin të papërgatitur, sepse periudha e komunizmit u kishte errësuar vetëdijen edhe ndërgjegjen. Sot, sipas Metës, shqiptarët vazhdojnë ende të bëjnë përpjekje për institucione demokratike. E megjithatë, e vetmja rrugë që të ketë përparim është duke luftuar përditë, duke gjakosur edhe gjunjët, për demokraci të vërtetë.

Zoti Meta, ju referuat për identitetin politikë të shqiptarëve pas shpalljes së pavarësisë, por a mund të na bëni një përqasje të këtij identiteti pas viteve ’90-të?

Dhjetëvjetëshi i parë pas shpalljes së Pavarësisë ka një përballje të shqiptarëve me ndërtimin e shtetit. Por, kur u përballën me këtë doli se ata nuk e kishin pasur përgatitjen e duhur dhe shfaqën dobësi. Populli ishte i papërgatitur nga ana kulturore, politike për të ndërtuar shtetin, edhe pse dëshironte në pjesën më të madhe autonominë edhe pavarësinë nga Perandoria Osmane. Nuk kishte mekanizmat e nevojshëm për ta përballuar ndërtimin e shtetit, sepse ndërtimi i shtetit bazohet mbi një substancë njerëzore jashtëzakonisht solide; me marrëdhënie ekonomike, politike dhe me institucione të forta.

Ndërsa, në vitin 1990 shqiptarët ishin të papërgatitur, por jo për të ndërtuar shtetin, por për të ndërtuar një shtet që funksionon mbi institucione demokratike. Nuk kishin eksperiencë dhe as traditë, sepse periudha e komunizmit kishte errësuar vetëdijen dhe ndërgjegjen. Që ta kapërcenin këtë, gurin e sizifit do ta ngrinin me vështirësi dhe do të përgjunjeshin që të ngriheshin sërish. Nëse shikojmë krizat e mëdha të viteve 1991-1992-1997-98 dhe krizat aktuale, që kemi tani etj., diktohen nga një sërë faktorësh. Tashmë ne po përpiqemi të ndërtojmë një shtet me institucione demokratike, por na mungojnë shumë gjëra; kultura demokratike, një standard ekonomie i zhvilluar dhe funksional, që të bëjë bazën solidte të ekonomisë së shtetit. Na mungojnë institucione, të cilat kanë ekzistuar në komunizëm, por që e kanë të vështirë të përshtaten, të mbijetojnë, të jenë efektive edhe të prodhojnë demokraci. Kemi probleme madhore të institucioneve që nga qeverisja, parlamenti dhe parlamentarizmi pa tradita. Parlamenti në periudhën e Zogut ka qenë më i fuqishëm, por ishte mësuar pa opozitë, pa zgjedhje të lira edhe të hapura, në kohën e komunizmit ishte fiktiv, ku një grup politik që ndiqte vijën e partisë. Tashmë futemi tek institucioni i zgjedhjeve, zgjedhje që blihen dhe manipulohen.

Pse ndodh kjo?

Sepse nuk kemi një traditë dhe një mendësi të përgjithshme, popullore radhë të parë, e pasandaj të elitave politike, që ta bëjë një aksion të padiskutueshëm, që zgjedhjet të jenë të ndershme. Rezultati është tjetër gjë.

A ka një rrugë se di mundet që ta ndryshojmë këtë gjendje?

Ka vetëm një rrugë; të përhiqemi duke u rrëzuar, të gjakosim gjunjët tanë në rropatet e vështira të demokracisë, sepse nuk ka asnjë rrugë tjetër. Ne duhet të luftojmë përditë, duke e kuptuar që ky është një proces shumë i vështirë, që për popullin tonë pasqyron dhe disa vështirësi specifike në raport me vendet e tjera të Europës Lindore (ish-komuniste), të cilët kishin disa institucione dhe ishin më të zhvilluara sesa ne. Për shembull, institucionet e shoqërisë civile apo raportin me pronat i kanë pasur më të avancuara. Ne kemi hyrë në fazën e tranzicionit dhe të demokracisë pa shoqërinë civile, ne po përpiqemi që ta ndërtojmë, por shoqëria civile ka një vlerë të madhe, sepse e shtrinë demokracinë në gjerësi edhe e bën, që të jetë kontrolluese edhe kritikuese e institucioneve politike, kur ata kanë tendencën, ta cenojnë edhe ta prekin atë.

Shoqëria civile nuk ka vetëm qëllim që të kundërshtojë importin e mbeturinave apo të armëve kimike, sigurisht që e ka këtë vlerë, por vlera themelore e saj është që të edukojë masën, popullin, që kur ka cenime të lirisë edhe të demokracisë t’i prekë nervin edhe ta bëjë reagues. Shihni sesa i dobët është reagimi popullor në Shqipëri, nëse nuk e mobilizojnë partitë politike ne jemi në vështirësi, nuk dimë të reagojmë ndaj fenomeneve negative, që mund të shfaqen nga qeveria, nga agjentë të tjerë apo nga subjekte të tjera të ndryshme. Të gjitha këto institucione janë në një proces zhvillimi me krizat dhe vështirësitë e tyre, sigurisht që këto nuk përmirësohen, duke u futur ne në dëshpërim. Shqiptarët po përballen me procesin e vështirë të një demokracie edhe të një ekonomie funksionale. Por duhet që me durim dhe përpjekje të luftojnë intelektulisht për të ecur përpara.

Dhe së fundmi, data për e çlirimit, 28-29 Nëntor, a është fiksuar?

Të gjithë historianët janë në një mendje që gjermanët janë larguar nga qyteti i Shkodrës, mbrëmjen e datës 28 Nëntor, duke gdhirë 29-a. Janë larguar gjatë kësaj nate! Me siguri ka zgjatur edhe pas orës 12:00 se nuk kishte si lëviznin para orës 00.00, se një ushtri ka shumë organizime konvencionale e nuk mund të largoheshin brenda disa orësh në mbrëmje. Nëse ata kanë ikur mes dy datave nuk është faji i historianëve. Partizanët kanë hyrë në datën 29 në mëngjes. Partizanët hynë në Shkodër pa luftë, e kishin rrethuar Shkodrën, por nuk po luftonin me gjermanët.