Behar Gjoka për Fatos Arapin: Poeti që foli me tekste dhe me heshtje

Kritiku letrar Behar Gjoka ka reaguar pas ndarjes nga jeta dje të Fatos Arapit. Gjoka shprehet se Arapi në poezitë e tij ka folur me tekste dhe me heshtje. Ai thotë se Arapi ishte mbyllur në “botën e tij” dhe se gjallonte në të.

Shkrimi i tij:

Ndërroi jetë Fatos Arapi

Poeti që foli me tekste dhe me heshtje.

Foli me libra të shumtë, në prozë, studime, ese, dhe sidomos foli si poet.

Foli me libra si poet, ku gati barazohen librat e shkruar para ’90, me ato të shkruara pas këtij momenti.

Pjesë e brezit të viteve gjashtëdhjetë, bashkë me Agollin, poetin e lindur, Kadarenë, poetin e mendimit, Arapi qe poet i lindur dhe gjithnjë në kërkim të shprehësisë moderne.

Arapi foli me heshtje, prej vitesh në moskomunikim me botën, me kohën dhe me lexuesin.

Arapi është poeti që para disa vitesh mori çmimin e festivalit ndërkombëtar “Netët e poezisë strugane”, dhe nëse do të rrekeshim të portretizonim tipologjinë e tij më përfaqësuese, pavarësisht se para viteve ’90 i këndoi komunizmit, është nga të paktit që kërkoj falje për atë rend, për letërsinë zyrtare, që në vend të ëndrrës paskësh ndërtuar zhgjëndrrën, dhe shkroi poezi shpirti, ku zbulohet natyra fine e poetikës së tij.

Nëse Lasgushi është poet i liqerit, Camaj poet i lumit, pra i lumit Drin, Arapi është poet i detit, ku vargu dhe fjala ngjyhet në shkumën e valës së detit.

Lamtumirë, pulëbardha e poezisë shqipe!

Tani nis komunikimi me krijimtarinë, e sidomos me poezinë, si mjeshtër dhe magjistar i lavrimit të saj!

Si S’të Desha Pak Më Shumë

Unë e desha përtej vdekjes,

Ashtu dashurova unë

Edhe prap s’ia fal dot vetes:

S’i s’e desha pak më shumë…

Pak më shumë ku shpirti thyhet,

T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…

Të gënjejmë mallin që s’shuhet,

Kujtimin të gënjejmë pak.

Përtej vdekjes, përtej botëve,

Atje ku nis “ca pak” tjetër,-

Asaj që më rri mes Zotave:

“Si s’të desha pak më tepër…”.

F.Arapi

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet