Bashkim Shehu vlerësohet me “Nobel”-in e Ballkanit

Publikuar më 05. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Shkrimtarët shqiptarë Luljeta Lleshanaku dhe Bashkim Shehu vlerësohen në “Balkanika”. Shehu fiton çmimin letrar “Balkanika 2015” me romanin “Loja, shembja e qiellit. Ndërsa, Lleshanaku klasifikohet, si një ndër tre shkrimtaret më të mira të Ballkanit për “Balkanika 2016”

Shkrimtarët shqiptarë Bashkim Shehu dhe Luljeta Lleshanaku me letërsinë e tyre ishin në garë për çmimin letrar “Balkanika 2015-‘16”. Nga kjo garë me gjashtë shkrimtarë të tjerë ballkanas, gjatë ceremoninë e çmimeve që u mbajt në Shkup, shkrimtari Bashkim Shehu fitoi çmimin letrar “Balkanika 2015” me romanin “Loja, shembja e qiellit”. Ndërsa, poetja Luljeta Lleshanaku u rendit një ndër tre shkrimtaret më të mira të Ballkanit për “Balkanika 2016” me vëllimin poetik “Homo Antarcticus”. Çmimin letrar “Balkanika 2016” e mori autori turk Murat Özyaşar për romanin “Laugh yelloë”.

Në parathënien e romanit të Bashkim Shehut kritiku Eric Naulleau shkruan:“Sa herë është rrotulluar Toka rreth Diellit qysh nga ngjarjet që rrëfehen te “Loja, shembja e qiellit”? Kufomat e balsamosura, si e Leninit, apo ajo e Gjergj Dimitrovit, kanë përfunduar të ngatërruara me ato të faraonëve egjiptianë, Muri i Berlinit është bërë bashkëkohës me qytetet e inkasve, perandoria sovjetike s’është veçse një pluhur i hollë i kuq mes faqeve të një libri historie”. Naulleau mendon se vetëm shkrimtarët e mëdhenj, si Bashkim Shehu, ende mund ta nxjerrin nga hiçi, që e ka gëlltitur Shqipërinë komuniste, atë regjim ku mjekët e kishin të ndaluar t’u thoshin pacientëve se kishin kancer, “që të mos demoralizoheshin, çka binte ndesh me ndërtimin e socializmit”, atë tirani të aftë për ta ndjekur kundërshtarin imagjinar, madje edhe pas vdekjes së tij: “ai u përjashtua nga Partia si armik, gjashtë vjet pas vdekjes, a thua konspironte në botën e përtejme dhe në bashkëpunim me të vdekur të tjerë”.

Për Naulleau-n ky roman merr trajtën e kujtimeve të Aleks Krastës, ish-bashkëvuajtës i rrëfyesit (edhe njëri, edhe tjetri, dyzime të tejdukshme të autorit), “dhjetëra faqe të shkruara ethshëm, rrëmbyeshëm, një pjesë e madhe shënime fragmentare, me një shtjellim të ndërlikuar, madje herë-herë të rrëmujshëm”. Një tekst limit “me përjetime në kufijtë e së pamundurës”. Ëndrra të njëpasnjëshme, ku peripecitë u binden ligjve të gjendjes së jashtëzakonshme nokturne, domethënë pa u shqetësuar për kronologjinë dhe aq më pak për identitetet e qëndrueshme – një vajzë shndërrohet brenda çastit në një dyzetvjeçare, mbesa i zë vendin emtës ashtu si zëvendësimi i beftë i personazheve në një film të Méliès-it, tre aktorë të ndryshëm luajnë njëri pas tjetrit rolin e një prifti të ngarkuar që të dëgjojë rrëfimet në prag të vdekjes”.

Episodet ndjekin njëri-tjetrin dhe përsëriten të deformuar: Aleksi arrestohet nga policia politike në po atë tren që, kohë më parë, vidhte udhëtarët nën urdhrat e Xhimit, përvoja e tij seksuale me një të çmendur përfundon në një guvë të nëndheshme, ku e kishte çuar më parë një ëndërr, që pasonte varrimin e të atit dhe ku do ta shpien sërishmi disa orë të kaluara në një klub nate. “Njohje nëpërmjet humnerave”, thoshte Henri Michaux. Gjumëprishur, personazhi kryesor, rrëfyesi dhe lexuesi nuk arrijnë të çlirohen nga çarçafët e lagur të rrëfimit, ashtu si të dyshuarit që nuk dinë se për çfarë krimi akuzohen, që t’i lënë më së fundi rehat: “s’kuptonte ç’po ndodhte, i bëhej si një ëndërr e keqe, nga e cila nuk zgjohej dot. Përveçse po të trillonte, të shpikte gjëra të paqena dhe të thurte me to një ëndërr për të dalë nga kjo ëndërr ku ndodhej”.

“Autobiografi e tërthortë, vite burgu pas vdekjes së babait përmendur kalimthi, variacion mbi Kontin e Montekristos (hakmarrja e Aleks Krastës është po aq makiavelike sa ajo e Edmond Dantesit dhe roli i at Shtjefnit është jo më pak vendimtar se ai i abatit Faria), arritja e romanit “Loja, shembja e qiellit” buron gjithashtu nga një temë që rrallëherë është paraqitur me kaq vlefshmëri letrare: përvetësimi i trashëgimisë së katolicizmit nga diktaturat komuniste”, shkruan Naulleau. Luigji, thjesht ingranazh i makinës shtypëse totalitare, nuk mjaftohet me të bërtiturën “tani Zoti jemi ne” dhe me uzurpimin e identitetit të një prifti, por, si trashëgimtar i Inkuizicionit, shfrytëzon të gjitha trajtat e fajësisë, që mund të ndiejnë kundërshtarët hipotetikë, duke filluar nga ajo që lidhet me mëkatin e zanafillës.

Ashtu, sikurse çdo qenie njerëzore, vjen në botë e shenjuar me këtë damkë, çdo qytetar shqiptar ka mëkatuar ndaj Partisë në mendime, në veprime apo në fjalë, prandaj dhe në fundit të fundit, herët a vonë do ta pohojë. Ndërkaq, Aleks Krasta ndihet fajtor gjithkund dhe në çdo rrethanë, një ndjenjë që evoluon vazhdimisht gjatë romanit, por që nuk i shqitet nga shpirti: “tashmë i çliruar nga fajësia dhe, pastaj, ca nga ca, njëherësh me urrejtjen e tij ndaj atyre që po ia prishnin qetësinë babait në varr, dhe që më vonë do t’i quante pushteti i armiqve të popullit, i trazuar me këtë urrejtje, zu të ndihej fajtor për babanë, i cili gjithsesi njësohej në mendjen e tij me atë çka ai më vonë do ta quante pushteti i armiqve të popullit, dhe për shkak të gjërave që mund të kishte bërë i ati duke u shërbyer atyre”. “Nuk është aspak për t’u habitur nëse në Shqipërinë e Enver Hoxhës psikanaliza ishte e ndaluar si pseudoshkencë borgjeze, arsye që nuk arrinte ta fshihte akuzën për konkurrencë hileqare.

Një diktaturë mund të shembet, si ndodhi në Shqipëri më 1991-shin, të burgosurit politikë mund të dalin nga burgu, sikurse u ndodhi atë vit Aleks Krastës dhe Bashkim Shehut, po burgu nuk del kurrë prej tyre. I pari, madje gjer në Milano, jeton në një botë që është “shndërruar në një karusel vegimesh që iknin pareshtur”, i dyti jeton me kujtimin e shokëve të tij të burgosur: “Sa herë më kthehet në mendje ajo pamje, më bëhet se ende janë atje, nën shiun e imët, sado që disa prej tyre i kam takuar pasi dolën së andejmi”. Që të dy në romanin që do të lexoni, “jeta e tij ishte për të njëfarë libri, për të cilin kërkonte ngulmueshëm, shqetësueshëm, një kuptim, apo më saktë një domethënie”. Në një tjetër hapësirë, në një tjetër kohë. Përgjithmonë!”

Që të kuptosh një delir, sipas Naulleau-s, nuk ka mënyrë tjetër përveçse të bësh tënden logjikën e tij; që të rigjesh një vend të zhdukur në një të çarë të thellë të Historisë, nuk ka mundësi tjetër përveç që ta lësh veten të bjerë në hon – “Loja, shembja e qiellit” të kujton ëndrrat e këqija të një speleologu që rrotullohet pareshtur në një shtrat një mijë lega nën Tokë, larg Diellit”, përfundon Naulleau.

Nuk është hera e parë që shkrimtari Bashkim Shehu, përzgjidhet për të konkurruar në këtë garë letrare ndërballkanike. Në vitin 2007 ai u paraqit me romanin “Angelus novus” dhe arriti të ishte një nga tre të nominuarit e këtij çmimi. Por, për këtë roman Shehu është shpallur fitues i çmimit “At Zef Pllumi” ( 2013). Në të njëjtin vit juria e Panairit të Librit Fier e nderoi me çmimin “Autor i Vitit”.

Lleshanaku & “Njeriu i Antarktidës”

Poetja Luljeta Lleshanaku gjatë ndarjes së ccmimeve “Balkanika 2016” u klasifikua, si një ndër tre shkrimtaret më të mira të Ballkanit. “Tek “Fëmijët e natyrës”, me poezitë e saj të fuqishme, Lleshanaku zbulon të shkuarën e vendit të saj. Ajo i risjell këto gjurmë në lidhje me veten dhe familjen, dhe zbulon se si këto ngjarje ndërhyjnë dhe ndikojnë kujtimet e saj të fëmijërisë dhe gjithë rrëfimin e historisë. Dhimbja, vdekja, burgosjet dhe dëshira, janë disa nga temat që jehojnë thellë në poezitë e bukura të Lleshanakut, poezi që Peter Constantine i ka quajtur “klasiket bashkëkohore të letërsisë botërore.”

Vet Lleshanaku është shprehur se “Homo Antarcticus” ose “Njeriu i Antarktidës” nënkupton specien tonë të humbur, ato tipare që civilizimi i ka rrafshuar tek njeriu. “Frank Ëild, i cili është një nga heronjtë realë që i mbijetoi kushteve ekstreme të Antarktidës për dy vjet, më pas nuk arriti t’i mbijetonte qytetërimit, normalitetit. Kjo histori e cila është pak a shumë historia e shumë zbuluesve, më ngacmoi një pyetje të vjetër që më mundonte prej kohësh: cili është heroi i vërtetë, ai që arrin të ndeshet me të pamundurën dhe të ia dalë, apo ai, njeriu i rëndomtë, “anti-heroi”, i cili duhet të punojë për ditë për të siguruar bukën e gojës, për të paguar qiranë, shkollën e fëmijëve, kredinë e bankës, me ankthin e përjetshëm për t’u ndjerë i pranuar në shoqëri. Por si çdo poemë e gjatë, ajo prek edhe çështje të tjera, si: shoqërinë e konsumit, rolin e individit, personazhet në hije, absurditetin e luftërave, egon kolektive etj”.

Vëllimi poetik “Homo Antarcticus” është përkthyer në anglisht nga Ani Gjika, si pjesë e vëllimit “Negative Space” dhe ka fituar garën për mundësinë e financimit të përkthimit dhe të botimit në SHBA, si dhe çmimin letrar “PEN Translates” (2017) në Britaninë e Madhe dhe gjithashtu mundësinë e botimit në Britaninë e Madhe gjatë pranverës të vitit të ardhshëm.