Basha takon aleatët, opozita me tre kërkesa për banorët e prekur nga tërmeti

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka marrë mbështetjen e partive aleate lidhur me planin opozitar për situatën e krijuar pas tërmetit të fuqishëm që la 51 të vdekur, qindra të pastrehë dhe ndërtesa të dëmtuara.

Partitë aleate me PD-në rikonfirmuan mbështetjen për planin e Bashës për t’u ardhur në ndihmë banorëve, pas takimit që kryedemokrati zhvilloi sot krerët e partive më të vogla.

Këto janë tre pikat e propozuara nga opozita:

“Shtim në terren të numrit të inxhinierëve vlerësues. Ekspertët dëshmojnë se rreth 500 të tillë janë të gatshëm të përfshihen si vullnetarë.

Vlerësim i shpejtë i dëmeve në çdo banesë. Ekspertët thonë se me zgjerimin e numrit të vlerësuesve, konstatimi i dëmeve mbyllet në më pak se 10 ditë.

Anulim i 150 milionë dollarë, të parashikuar në buxhet për koncesionet e 10 oligarkëve. Inceneratorët, projektet rrugore me çmim të trefishuar apo koncesionet korruptive në shëndetësi, dhe kalimin e këtyre fondeve për të ndihmuar familjet e goditura”.

Krerët e partive të koalicionit vlerësojnë se ky është një plan nëpërmjet të cilit fitohet kohë e çmuar dhe burime financiare  në ndihmë të banorëve.

Rama i shkruan Bashës nga Londra: I dashur Lulzim, eja të bashkëpunojmë

Kryeministri ndodhet në Samitin e NATO-s në Londër, nga ku i është drejtuar kreut të opozitës Basha përmes disa komenteve në “Twitter” ku nuk e kursen ironinë.

“I dashur Lulzim, asgjë më të keqe s’mund të bëjë një politikan në këto ditë të zymta, se sa të kërkojë raste njerëzish ende të pasistemuar për t’i përdorur për politikë! Ka shumë akoma që duan dorën tonë dhe ngrohtësinë e kujtdo që mundet t’ua japë! Eja të bashkëpunojmë…

Mos u mjafto me fjalët e errëta e me pamjen që dukesh sikur e ke humbur ti shtëpinë, jo ata fatkeqë që kështu bëhen sfond mediatik, për të përcjellë zymtinë e politikës së stërvjetër, nē vend të ngrohtësisë njerëzore! Le t’i ndihmojmë së bashku me pak dritê, se zymti kanë boll🙏” – shkruan Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet