Basha: Projekti 1 miliard euro i Ramës duhet ndalur

Publikuar më 15. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Kreu i PD-së, Lulzim Basha kujtoi disa raste kur kryeministri i ka pritur me të qeshura akuzat për drogën dhe që më vonë, janë kthyer në skandalet më të rënda të qeverisë. “Për katër vjet me rradhë ai u kërkoi shqiptarëve të qeshnin me akuzat se në Shqipëri mbillej kanabis dhe trafikohej drogë. Edi Rama u tha shqiptarëve të qeshnin se opozita ngatërronte mushkonjat me avionët. Edi Rama u tha shqiptarëve të qeshnin me opozitën që e thërrisnin Elvisin, Evis. Edi Rama ulej me fshatarët dhe i pyeste me shaka c’thotë kanabisi. Edi Rama u tha shqiptarëve që të qeshnin me akuzat e opozitës se Saimir Tahiri ishte trafikant.

Herën e fundit që dëgjuam Ramën kur na tha të qeshnim Shqipëria u kthye në hambar droge dhe zonë të lirë të krimit. Tani po na fton përsëri të qeshim. Në fakt është koha të shqetësohemi dhe t’i themi ndal Edi Ramës dhe krimit në politikë dhe në ekonomi” u shpreh Basha. Kreu i Partisë Demokratike kujtoi raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit që e vendosi Shqipërinë në listën e zezë të vendeve kryesore të pastrimit të parave në botë, e quajtur zyrtarisht Lista e Vendeve Kryesore të Pastrimit të Parave.

Për Bashën vetë Programi 1 Miliard për Rindërtim është pjesë e strategjisë së pastrimit të parave që u fituan nga trafiku i drogës. “Depërtimi i krimit në ekonomi duhet ndalur tani. Projekti 1 miliardë euro duhet ndalur tani. Çdo koncesion, çdo investim që përfshin qeverinë duhet të bëhet transparent në çdo detaj. Prokuroria e ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë duhet të hetojë pastrimin e parave dhe krimin e lidhur me të” tha Basha.