Basha: Me planin ekonomik do të vijnë investitorë

Publikuar më 19. 06. 2017 nga Dionis Xhafa

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha nga qyteti i Gjirokastrës është shprehur se me planin e tij ekonomik do të vijnë shumë investitorë të huaj në vendin tonë. Ai tha se në SHBA kur ka qenë për vizitë u takua me shumë investitorë, duke treguar planin e tij.

“Kur isha në SHBA nuk harxhova asnjë minutë kohë për qejfet e mia, por u takova me investitorë të fuqishëm për t’ju shpjeguar planin tim ekonomik dhe që do të vijnë të investojnë në këtë vend sepse me planin tim Shqipëria do të ketë taksat me të ulëta, çmimi i naftës dhe energjisë do të jenë konkurruese. Rama nuk e beson planin tonë ekonomik, dhe nuk ka si ta besojë sepse me Ramën taksat do rriten, Rama do harxhojë miliona për fasada dhe të kujdeset për pushtetin, timonin që e quan ai.

Ai nuk ka asnjë plan për të ndihmuar shqiptarët. 4 vjet premtime të pambajtura dhe tani kërkon premtime të tjera si ato të para 4 vitesh, por pa i mbajtur ato.  Me Ramën taksat do të rriten. Merrni kredi i thotë fermerëve, ky është kryeministri i bankave dhe jo i njerëzve. Nga Gjermania në SHBA ka vetëm një model që rrit ekonominë, ulja e taksave, financime të drejtpërdrejta për fermerët, këto janë zgjidhje që kanë funksionuar në Europë, këto janë zgjedhjet e planit tim ekonomik”, tha Basha. Ai theksoi se qytetarët duhet të votojnë numrin gjashtë, për shkak se vetëm në këtë mënyrë do të rritej ekonomia e vendit dhe mirëqenia e shtetasve.

/D.Xh/