Basha: Për demokraci janë këputur koka mbretërish

Gjatë qëndrimit në Londër, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me Komunitetin Shqiptar që jeton në Mbretërinë e Bashkuar.

Kryedemokrati tha në Londër se qeveria aktuale në Shqipëri ka marrë peng demokracinë e vendit dhe ka shkaktuar krizë të thellë ekonomike.

“Në vijim të vizitës time në Parlamentin britanik dhe institucionet e qeverisë britanike, ndodhem sot në takimin më të bukur, në takimin me bashkatdhetarët tanë, të cilët e kanë mbushur plot këtë sallë. Janë mbledhur të lajmëruar në një kohë shumë të shkurtër, por nuk mungon entuziazmi dhe shpresa për ndryshimin që po vjen. Do të zhvillojmë një bashkëbisedim jo vetëm për takimet e mia në Londër, por edhe për të diskutuar problematikat dhe zgjidhjet për qytetarët tanë në emigracion. Ka një padurim të madh që ndryshimi të ndodhë sa më shpejt, jo për të ardhur PD në pushtet, por për të patur të gjithë mundësitë për të jetuar përmes punës së ndershme. Kjo është beteja që luftojmë sot. Ata që mendojnë se kjo është luftë për pushtet, ndodhen vetëm në sipërfaqen e një vullkani zemërimi që zien shumë thellë”, tha Basha.

“Si ka mundësi 30 vjet ne jemi të fundit, sepse me gjasa edhe Maqedonia do të nisë bisedimet? Si ka mundësi që pas 30 vjetësh shqiptarët e kërkojnë ende fatin jashtë vendit? Zemërimi është i ligjshëm sepse është marrë peng parlamenti, duke marrë peng parlamentin, merret peng qeverisja, duke shkaktuar krizë të thellë ekonomike. Për demokraci janë këputur koka mbretërish dhe këtu në Londër e dini më mirë se kushdo. Sa herë që monarku futet në parlament për të mbajtur fjalën e saj, i përplaset dera e dhomës së komuneve në fytyrë, për t’i kujtuar në mënyrë simbolike se ai nuk mund të ketë çdo pushtet në dore, garancia për drejtësinë që funksion për të gjithë njësoj nëse janë aristokratë apo refugjatë. Ligji është i barabartë për të gjithë. Prandaj, shqiptarët ia dalin të ndërtojnë në një kohë të shkurtër jetë shumë më të mirë në Angli se në shtëpi. Një qeveri që punon kundër qytetarëve bie. Ky është kufiri që ndan lirinë nga tirania, ku qeveria ka frikë popullin, opinionin publik”, shtoi kreu i PD-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet