Basha në Berat: Betejës i shkojmë deri në fund, të shtyhen zgjedhjet

Pak ditë përpara protestës së 25 majit, nga Berati, kreu i PD-së ripërsëriti se në 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje. Lulzim Basha theksoi se betejës që ka nisur do t’i shkojë deri në fund!

“Nuk do të ketë zgjedhje me krimin, me hajdutët. Dëgjojeni Beratin, shikojeni Beratin. Për liri për demokraci, për Shqipëri si gjithë Evropa. Bashkë me aleatët tanë gjeostrategjikë do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa, asnjë hap pas drejt diktaturës së krimit. Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, ne e kemi nisur këtë betejë madhështore jo për pushtet jo për karrige, ne do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, theksoi Basha, ndërsa mbështetësit brohorisnin: Nuk ka zgjedhje pa PD!

Për herë të parë, Lulzim Basha artikuloi qartë se opozita kërkon shtyrjen e zgjedhjeve lokale. E duke cituar fjalët e Ramës se shtyrjen e zgjedhjeve nuk e lejon Kushtetuta, Basha përmendi vitin 2007.

“30 qershori nuk mund të jetë ditë zgjedhjesh. Është tentativë për grusht shteti ndaj Kushtetutës. Ai thotë se nuk i shtyn zgjedhjet se nuk i lë Kushtetuta, e mbani mend 2007 që shtyu zgjedhjet ky dy herë. Ky që tani thotë nuk më lejon Kushtetuta. Kundër Kushtetutës është të emërosh kandidatë me rekorde kandidate siç bëri Edi Rama, kundër Kushtetutës është të shantazhesh dhe kapësh drejtësinë”, theksoi Basha.

Po ashtu kryedemokrati tha se nuk do të ketë marrëveshje me Edi Ramën, por vetëm kërkoi largimin e tij.

“Nuk ka kompromis me Edi Ramën, nuk ka pazar. Pazar me Edi Ramën kurrë më! Largimi i tij është i panegociueshëm, për t’i hapur rrugë ndryshimeve kushtetuese, ndryshimeve zgjedhore që do të sjellin garën politike”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet