Basha i frymëzuar nga modeli Trump, premtime për fermerët nga Vau i Dejës

Publikuar më 01. 06. 2017 nga Eno Shkëmbi

Kreu i Partisë Demokratike deklaroi nga Vau i Dejës, se do të kthej tarifat propocionale doganore për prodhimet që vijnë nga jashtë vendit, i frymëzuar nga modeli i Donald Trump.

“Frymëzuar nga modeli i Donald Trump, unë do kthej tarifat proporcionale doganore për të gjitha prodhimet që vijnë nga jashtë Shqipërisë. Djersa e fermerit shqiptar do barazohet me djersen e fermerit evropian”, tha Basha.

Më tej kreu i opozitës nuk i kurseu batutat ndaj kryeministrit Edi Rama. “Të votosh për Edi Ramën i bie sikur të është prishur makina, ta çosh në garazh dhe ta kthejnë me një dorë bojë tjetër pa e rregulluar fare motorin”.

Basha ka folur edhe për vendime të tjera të vështira që do të merren nëse PD fiton zgjedhjet, duke shtuar se vendimet e para të vështira janë marrë me listat e PD.

“Unë do i marr vendimet e vështira por të domosdoshme, vendimet e forta, të duhura, i kam marrë vendimet e para që më takonin mua dhe i hapin rrugë të tjera vendimeve që do marrim bashkë për ta bërë një republikë të shqiptarëve me ekonomi të fortë. S’do merrem me fasada dhe palma”, tha Basha.