Basha: Duam marrëveshje si ajo e Maqedonisë në 2015

Kreu i opozitës flet nga Lulbljana, Shqipëria të vihet nën monitorimin e BE-së, me modelin Priebe që u zbatua në Maqedoni. Propozimi i Bashës në një forum ndërkombëtar parashikon qeveri 100 ditore para zgjedhjeve dhe prokuror të ri.

Lindita Bushgjokaj 

Basha vazhdon të këmbëngulë tek skenari maqedonas, duke kërkuar që BE ta vërë Shqipërinë nën monitorim për kalimin e krizës. Kryetari i PD, Lulzim Basha është i ftuar nga Instituti Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin në Ljubljanë të Sllovenisë. Basha ka diskutuar nismën që ka nisur Komisioni Evropian për Raportin “Priebe” në Maqedoni. Ai lë të nënkuptohet se është dakord për bisedime nën mbikëqyrjen e BE-së, ku të diskutohen dy probleme, zgjedhjet dhe drejtësia, ashtu siç ka ndodhur në Maqedoni 4 vjet më parë. Ai ka inkurajuar Komisionin që të iniciojë një mision të tillë monitorimi edhe në Shqipëri. ‘Monitorimi më efektiv i reformave të Sundimit të Ligjit në vendet që kërkojnë anëtarësim mund të arrihet duke u mbështetur në shembullin pozitiv të të ashtuquajturit Raporti ‘Priebe’, i cili tashmë ndihmoi në tejkalimin e një krize serioze të demokracisë dhe sundimit të ligjit në Maqedoni në 2015. Komisioni Evropian sapo ka nisur një nismë të re për raportimin e Priebe për të monitoruar të gjithë sistemin e Sundimit të Ligjit në Bosnje dhe Herzegovinë. Unë inkurajoj Komisionin që të iniciojë një mision të tillë monitorimi edhe në Shqipëri’, tha Basha.

Çfarë do të thotë kryetari i opozitës me këtë propozim?

Referimi tek ky skenar, nxjerr në pah planin afatgjatë të opozitës. Së pari, marrëveshja politike e Përzhinos e vitit 2015 e 4 liderëve politikë maqedonas nuk e zgjidhi krizën, por ajo zgjati plot 3 vjet për t’u implementuar pas shumë ndryshimesh, shtyrjesh të zgjedhjeve dhe trazirave. Së dyti, Basha lë të nëkuptohet një pohim të frikshëm për stabilitetin  e vendit, që ka të bëjë me zgjatjen e protestave për disa vjet. Së treti, Shqipëria është në fazën e implemtimit të Reformës në Drejtësi nën monitorimin e BE dhe SHBA, pra duket si një kërkesë kundër ngritjes së organeve të vetingut. Së katërti, formula “Priebe” mund të funksionojë në Bosnjë, sepse ky vend është multietnik, njësoj si Maqedonia, por nuk ka lidhje me rastin shqiptar. Së pesti, Maqedonia nuk ishte anëtare e NATO-s, kurse Shqipëria është. Kjo e ndryshon optikën e ndërkombëtarëve ndaj krizave të tilla.

Marrëveshja e Përzhinos e vitit 2015

Ajo ishte një marrëveshje ku merrnin pjesë edhe shqiptarët të përfaqësuar nga partia në pushtet BDI. Aty u diskutua listat zgjedhore, krijimi i Prokurorisë speciale antikorrupsion dhe kushte për mbajtjen e zgjedhjeve me standarde. Qeveria duhet të jepte dorëheqje në kohë sipas marrëveshjes së Përzhinos, për të lejuar formimin e qeverisë së re, gjegjësisht 100 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare’. Firmosës i marrëveshjes ishte edhe Kryeministri Gruevski, krahas  Zaev dhe Ali Ahmetit.  Gruevski pranoi kushtin e largimit nga drejtimi i qeverisë.  Priebe me një ekip ekspertësh bënte një raport periodik për zbatimin e marrëveshjes, por monitorim nga afër kryente euro-komisioneri Johannes Hahn dhe eurodeputeti Kukan etj. Opozita shqiptare e ka marrë përgjigjen negative nga këta aktorë: nuk do të ketë negocim ndërkombëtar për krizën në Tiranë. E vetmja shpresë e opozitës është që presë ndryshimet që do të ndodhin në Parlamentin Evropian dhe në Komisionin Evropian pas zgjedhjeve.

Marrëveshja nuk funksionoi

Në gusht 2016, “Revolucioni i larmë” i Zaev paralajmëronte protesta të reja pas pushimeve verore. Ata mbeten në qëndrimin se opozita ka gabuar që ka negociuar me siç thonë, partitë kriminale në pushtet. Filip Marjanoviq, mbështetës i “Revolucionit të larmë” deklaronte se nuk janë të kënaqur nga marrëveshja e Përzhinës, ndërsa pret që në shtator protestat të riaktivizohen.“Nëse deri në shtator nuk respektohen këto çështje për të cilat është arritur marrëveshje, atëherë ne do t’i intensifikojmë protestat. Përndryshe ne fare nuk jemi të kënaqur nga marrëveshja dhe mendoj se me atë strukturë nuk është dashur të bisedohet fare. Kjo strukturë ka bagazh të rëndë kriminal”, deklaronte “Revolucioni i Larmë”. Në 30 gusht 2016, liderët e katër partive më të mëdha politike, BDI, PDSH, LSDM dhe VMRO-DPMNE, njëherazi edhe nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinos, deklaruan se do të takohen sërish. Në këtë takim do të shqyrtoheshin të arriturat e zbatimit të Marrëveshjes, nëse janë plotësuar kushtet për zgjedhje, të cilat janë planifikuar të mbahen në dhjetor të këtij viti. Në 2 shtator 2016, u vendos mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Presidenca sllovake me Bashkimin Evropian do të përshëndeste vendimin e liderëve të katër partive politike për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor të atij viti. ”Zgjedhje të drejta, gjithëpërfshirëse dhe të besueshme janë hapi i rëndësishëm për tejkalimin e krisës politike. Këmbëngulja dhe vullneti i mirë për t’u zbatuar obligimet e marrëveshjes së Përzhinos, përfshirë reformat e menjëhershme, janë kusht për kthimin e vendit tuaj në rrugën drejt Brukselit”, thuhej në deklaratë. Takimet do të vazhdonin sa në Bruksel dhe në Vienë, sa në Shkup dhe në Ohër, deri sa të krijohej qeveria e Zaev.

Raporti “Priebe”

Raporti i Reinhard Priebe i vitit 2017 jepte vlerësime për çështje sistematike nga sfera e qeverisjes së të drejtës, të cilat trashëgoheshin pas marrjes së pushtetit në qershor të vitit 2017, duke gjetur një “shtet të kapur”. Në kumtesën e e Qeverisë së Maqedonisë përshëndetej puna e grupit të ekspertëve të Reinhard Priebe si një vazhdim i raportit të Priebesë në vitin 2015. Në Qershor 2018, vjen raporti tjetër “Priebe”. Raporti i BE-së për përparimin e Maqedonisë tregon përparim të dukshëm në disa fusha, por ka edhe shumë fusha tjera ku duhet shumë të punohet, në mënyrë që të realizohen reformat e nevojshme në procesin eurointegrues.

Vazhdimi i skenarit nga VMRO-DPMNE

Ne vitin 2018, opozita maqedonase vazhdon me të njëjtat mënyra si kundërshtarët e tyre në vitin 2015. Kërkesat e VMRO-DPMNE për qeveri teknike me mandat prej 100 ditëve, sipas modelit të Përzhinos, për Prokuror Publik të ri dhe Komision anketues për referendum, janë absolutisht të papranueshme, për kryeministrin Zoran Zaev. “As nuk ka arsye, as nuk ka nevojë që të diskutohet për këto punë. Vetë institucionet kanë dhënë komentet e tyre. Të kërkohet komision i cila do ta rishikoj referendumin (për ndryshimin e emrit ) se a ka qenë i ligjshëm, se a ka ligjshmëri në zbatimin dhe kushte të ngjashme, ku kryetari i Komisionit Zgjedhor është nga radhët e VMRO, kur në udhëheqjen e gjykatës nuk është ndryshuar asnjë anëtar, kërkesat e tilla i duan vetëm për vete”, do të shprehej Zaev. Dihet se si u sollën opozita maqedonase, e cila sulmoi parlamentin maqedonas, ku për herë të parë zgjidhej kryetar një shqiptar. Aty mbetën disa deputetë shqiptarë të plagosur.

“Reforma zgjedhore ka dështuar me vullnetin e PS-PD”

Koalicioni i Vëzhguesve Vendore i bën thirrje Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD, Lulzim Basha që të kontribuojnë për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse. Po ashtu, KVV  i kërkon Komisionit të Reformës Zgjedhore të fillojë punën, duke bërë transparencën e çështjeve themelore. Prej shumë kohësh, Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore e ka bllokuar punën e saj në shërbim të transparencës së reformës zgjedhore. Kjo e fundit është kthyer në një mekanizëm në duar të dy partive të mëdha në vend, të cilat vendosin rregulla e tyre për procesin zgjedhor, pa marrë parasysh asnjë nga rekomandimet e OSBE-ODHIR, e cila bën thirrje për frymë bashkëpunimi në shërbim të sistemit zgjedhor, si një nga reformat kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Të shqetësuar për situatën zgjedhore në vend, është edhe Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, të cilët përmes një shkresë raportojnë problemet që kanë sot zgjedhjet, ku reforma zgjedhore nuk u krye.  “Të dy krerët respektivë të mazhorancës z. Rama dhe opozitës z. Basha të përdorin të gjithë instrumentet e mekanizmat demokratike, duke kontribuar me përgjegjësi e maturi të plotë, për të orientuar drejt frymën e bashkëpunimit e gjithëpërfshirës të gjithë palëve e sa më shumë aktorëve politikë në realizimin e Reformës Zgjedhore në kohën e duhur”, thuhet në njoftimin e KVV. KVV thotë se i bën thirrje Komisionit dhe konkretisht bashkëkryetarit të ri të këtij komisioni, Damian Gjiknuri që të plotësojë numrin e anëtarëve të rinj në këtë komision, pas ngërçit të krijuar me djegien e mandateve nga opozita. “Të sqarohet sa më shpejt për opinionin publik, cili dhe si do jetë përfaqësuesi i PD, me statusin e vëzhguesit në këtë komision. Të prezantojë menjëherë grupin e ekspertëve të përfshirë si dhe të qartësojë në vazhdim si do procedohet me draft propozimin-projekt ligjin e dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftim. Po ashtu Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë  kërkon që palët politike të mos neglizhojnë afatet ligjore ashtu siç ka ndodhur deri më tani, pasi kjo tregon mungesë përgjeshmërie.

“Me urdhër politik dhunuan protestuesit, kemi prova!”

Organizatori i protestës së opozitës, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi është thirrur mesditën e së hënës në Prokurorinë e Tiranës, për t’u pyetur për padinë ndaj ministrit Lleshaj dhe Policisë së Shtetit. Nga jashtë Prokurorisë në një deklaratë për mediat ai tha se nuk ka patur ushtrim dhune nga ana e protestuesve ndaj policisë, ndërsa shtoi se 40 qytetarë të ndershëm mbahen të arrestuar. Në fjalën e tij, Bardhi shtoi se punonjësit e policisë janë paraqitur në spital, vetëm e vetëm që të bëjnë filmime, pasi në të vërtetë nuk janë sulmuar. “Nuk ka patur asnjë akte dhune ndaj asnjë punonjësi të policisë. Ju garantoj që kanë shkuar në spital vetëm për të bërë filmime me ministrin dhe kanë dalë. Fakt që provohet edhe nga Avokati i Popullit. Nuk ka patur asnjë akt dhune ndaj policisë. Sa për personalisht, as nuk trembem as nuk jam trembur dhe do vazhdoj detyrën si Sekretar i Përgjithshëm . Frika në Shqipëri për të protestuar është vrarë me vrasjen e sistemit komunist. Unë nuk kam patur asnjë thirrje në telefonin tim. Unë nuk dëgjoj median gjatë ditës së protestës. Nuk kam pasur asnjë thirrje në telefonin tim për të kërkuar mbështetje nga punonjësit e policisë. Rama, është një fytyrë që duhet hiqet qafe sa më e parë se i ka marrë frymën popullit. Unë e përsërita janë 40 qytetarë të ndershëm të Shqipërisë që mbahen të arrestuar nga policë të korruptuar. Të 40 qytetarët që mbahen sot nën arrest, nuk ka asnjë provë që ata të kenë kryer akte dhune. Ka vetëm dosje të policisë që në 100 mijë kanë identifikuar 40. Apeli im është për gjyqtarët dhe prokurorët të mos bëhen palë e këtij akti kriminal.”- u shpreh ai. Partia Demokratike ka paditur ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe disa punonjës të Policisë së Shtetit për shpërdorim detyre gjatë 20 marsit të këtij vit për hedhjen e gazit lotsjellës ndaj qytetarëve në protesta. Sipas PD-së përdorimi i gazit në protestë ishte një veprim i mirëfilltë kriminal.

Grabitja në Rinas, “opozita e re” kërkon interpelancë me Lleshajn

Pas supergrabitjes së 9 prillit të 10 milionë eurove në aeroportin e Rinasit, një grup deputetësh të rinj i janë drejtuar ditën e djeshme me një letër kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, për një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj. Në letrën e bërë publike në media, shihen qartë emrat e deputetëve, të cilët kanë kërkuar në formë urgjente sqarime për grabitjen. Ajo që bie në sy është fakti se përpos emrave të rinj, në listë gjendjen edhe deputete në radhët e LSI-së, si: Lefter Koka si dhe Myslim Murrizi nga Partia Demokratike, të cilët vepruan kundër vendimit të partive për djegien e mandateve. Kjo interpelancë do të parashtrohet nga deputeti  i LSI-së Ralf Gjoni, ndërsa zhvillimi i saj do të bëhet nga deputeti Myslim Murrizi.

Vasili: Shtet gangsterësh që rrëmben njerëz në mes të rrugës

Ish-deputeti i LSI Petrit Vasili në një dalje publike dje tha se policia ka tmerruar të arrestuarit e protestës. Vasili deklaroi se protestuesit janë rrëmbyer dhe janë mbajtur pa akuza, duke u dhunuar, ndërsa Prokuroria po bëhet palë me krimin shtetëror. “Jemi sërish në këtë komunikim së bashku për të ndarë të vërtetat e mëdha, të cilat kanë shoqëruar dhe shoqërojnë situatën në Shqipëri, ku shteti ka vendosur në mënyrë përfundimtare të jetë armik me qytetarët dhe në asnjë rast mik dhe mbështetës i tyre. Lidhur me të vërteta e tjera që kanë pasuar mitingun e jashtëzakonshëm për nga dimensioni dhe mesazhi i opozitës, i cili me të drejtë është quajtur nga të gjitha mediat ndërkombëtare, si mitingu më i madh opozitar në të gjithë Ballkanin, për fat të keq shteti u soll sërish si një shtet gangsterësh dhe paturpërsisht mashtroi gjerësisht opinionin publik për të vërtetat e mitingut, ku opozita dha provën e pjekurisë, maturisë, forcës dhe vetëpërmbajtjes”, deklaroi Vasili.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet