Ballafaqimi/ Kristi Pine-Uzunit: Më ke dhënë një kallash dhe një pistoletë. Me ato do…

Publikuar më 07. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Xhentila Gjoshi

Vrasësi me pagesë, i dënuar me 10 vite burg, vazhdon të flasë “pa dorashka” për vrasjet dhe atentatet që ka kryer. Përballja, dy ditë më parë, me “shefin” e tij Ardian Uzuni, në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Edhe pse Krimet e Rënda e kanë dënuar me 10 vite burg, Kristi Pine vazhdon të flasë “pa dorashka” për vrasjet dhe atentatet që ka kryer. Tre ditë më parë, Pine mësohet se ëashtë vënë përballë “shefit” të tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Ardian Uzunit. Ky i fundit dyshohet se është porositësi për vrasjen e biznesmenit Edmond Çakmashi. Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura në gjykatë, ndërsa përballja mes “shefit” dhe “vartësit” mësohet se ka qenë mjaft e fortë. Kristi Pine, që tashmë e ka marrë dënimin e tij për veprat e kryera por me statusin e të penduarit, e ka vërë Uzunin me shpatulla pas muri. Ai i ka treguar me imtësi të gjitha detajet e porosive që kishte marrë nga Ardian Uzuni, për të vrarë Çakmashin. Ky i fundit, edhe pse iu bë dy herë atentat arriti t’i shpëtojë për mrekulli.

Përballja

Pine-Uzuni Gjyqi tashmë zhvillohet në ngarkim të të pandehurit Ardian Uzuni, i cili është arrestuar jashtë shtetit dhe u ekstradua disa muaj më parë. Në asnjë moment ai nuk e ka pranuar njohjen me Pinen, duke thënë se akuzat ndaj tij janë të pavërteta. Por kjo gjë është kundërshtuar me zë të lartë nga Pine. “Mos thuaj që nuk më njeh, sepse më njeh shumë mirë. Mos ndoshta do të kundërshtosh takimet tona që bënim para se të vrisja Çakmashin? Mos vallë nuk është e vërtetë që t’i më more dhe më the që të kryeja një punë?

Kundërshtoji këto, apo janë të vërteta…”, mësohet t’i jetë drejtuar Pine “shefit” të tij. Nga ana tjetër, Uzuni vazhdonte të bënte sikur Pine po fliste pa baza. “Më ke marrë në makinën tënde dhe më ke thënë që ky është personi që do të vrasësh. Madje më ke pyetur: A e fiksove mirë fytyrën e tij? Dhe unë të thash që po, e mbaj mend. Apo edhe këtë e ke harruar ti. Ah po, mos e ke harruar që bashkë kemi hipur edhe në makinën e gruas tënde, një “Benz” dhe kemi shkuar për të ndjekur personin që do të vrisnim?

Jo mor jo, ti i mban mend shumë mirë këto, por bën sikur dhe fytyrën time e njeh shumë mirë. Unë i bëra ato gjëra vetëm për lek. Mos harrove kur unë të thash që e bëj këtë punë por më duhet arma? Dhe ti më solle dy të tilla, një kallash dhe një pistoletë. Me kallashin do të vrisja Edmondin, ndërsa pistoletën ma dhe që ta kisha për vetëmbrojtje pasi të bëja vrasjen. Dhe ndoshta e ke harruar këtë pjesë, kur kemi shkuar në dajt për të provuar pistoletën nëse ishte në rregull apo jo. Hipëm në makinë bashkë të cilës i jepje ti, dhe shkuam në Dajt. Aty e provuam armën dhe gjithçka ishte në rregull”, ka thënë Pine para Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Historia e vrasësit me pagesë

Në kohën kur është dënuar për herë të parë, Pine ishte vetëm 18 vjeç dhe për ironi të fatit i qëlloi të ishte me një qeli me të dënuarin me burgim të përjetshëm Admir Tafili në paraburgimin e Bradasheshit në Elbasan. Tafili, sipas dosjes së Burgjeve, rezulton i dënuar për disa vrasje të kryera për gjakmarrje dhe tre arratisje nga ambientet e Burgut të Sigurisë së Lartë. Referuar deklarimeve të Kristi Pines, që tashmë ka fituar statusin e të penduarit, ka qenë Tafilaj ai që e ka mbrojtur dhe mbajtur afër në burg nga të dënuarit e tjerë që jo rrallë herë kanë qenë të dhunshëm. Për këtë fakt, Pine ka deklaruar se i detyrohej Tafilaj, i cili i kishte kërkuar të bënte vrasjen e parë në jetën e tij për nder. Vrasje të cilën e ka kryer në Shkodër, ku është ekzekutuar në oborrin e shtëpisë së tij Ibrahim Mani.

Këtë vrasje, Pine e ka kryer më 25 qershor 2014 dhe në bazë të deklarimeve ia kishte kërkuar Tafilaj ta kryente për llogari të një familje me të cilët Mani kishte hasmëri. Sipas prokurorisë, në rastin e Ibrahim Manit, dyshohet se Admir Tafilaj ka përfituar një shumë të konsiderushme parash për të kryer ekzekutimin. Pas vrasjes në Shkodër, që Pine pranon se ka qenë e para në jetën e tij, atij i është kërkuar nga bashkë i pandehuri tjetër Alfred Qefalia të vrasë shtetasin Edmond Çakmashin në Shkozë të Tiranës. Për këtë vrasje, Pine thotë se ishte në dijeni edhe Admir Tafili nga burgu, i cili ka insistuar të kryente vrasjen dhe do merrte shumën prej 15 mijë eurove.

Mbremjen e datës 3 shtator të 2014 Pine është afruar pranë makinës së parkuar brenda të cilës ndodhej Edmond Çakmashi dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tij. Pine i ka thënë prokurorisë se nuk donte ta vriste por vetëm ta plagoste. Për këtë fakt, ai ka kërkuar shumën prej 7500 euro por që nuk i është dhënë. Kristi Pines, me kërkesë të Tafilajt, i është kërkuar të përgatiste dhe kryente vrasjen e shtetasit Leonard Muratin në Durrës kundrejt 50 mijë eurove e nëse ekzekutonte edhe nipin e Muratit do të paguhej me 100 mijë euro.

Por këtë vrasje të ndodhur në fund të tetorit në lokalin e viktimës në Durrës, i pandehuri Pine thotë se nuk e ka kryer ai por dy persona të tjerë. Ndërkohë grupi që drejtohej nga Tafili ka marrë 25 mijë euro ndërsa Pines i kishin dhënë vetëm 3 mijë euro. Më pas në dhjetor të 2014 Pine është kontraktuar nga një person për të ekzekutuar shtetasin M.Lila kundrejt 50 mijë eurove.

Vrasje të cilën nuk e kishte kryer pasi nuk kishte arritur të gjente mundësinë. Për këto dhe ngjarje të tjera, tashmë ndodhen në gjyq 13 të pandehur, të cilët nën drejtimin e të pandehurit Admir Tafilaj kanë vrarë 1 person, kanë plagosur 1 tjetër dhe kanë organizuar vrasjen e 3 personave të tjerë por fatmirësisht nuk i kanë kryer për rrethana të ndryshme.