Bajamet kronike, rreziku për zemrën dhe veshkat

Nga Elona Tereziu

Evis Bendo, mjeke otorinolaringologe pranë shërbimit ORL në QSUT, tregon funksionin e tyre në organizëm, kur është e nevojshme heqja dhe sa i rrezikshëm mund të jetë anashkalimi pa mjekim. Mënyrat e trajtimit me antibiotikë, metodën kirurgjikale, zvogëlimin e bajameve, vaksinat specifike ndaj mikrobeve shkaktare apo edhe metodat e përkohshme me shiringë dentare

Bajamet kanë funksion mbrojtës në organizmin e njeriut dhe, duke qenë porta kryesore ku ajri i jashtëm prezantohet me organet e sipërme të frymëmarrjes, janë të prirura për t’u sëmurë shpesh. Shumë prej nesh i anashkalojnë duke i lidhur me faktorët klimaterik të stinës, por në momentin që ato kthehen në kronike, jo vetëm që e humbasin funksionin e tyre mbrojtës, por kthehen në të rrezikshme duke shkaktuar komplikacione për organet e tjera, si zemra, veshkat apo sistemi artikular. Evis Bendo, mjeke otorinolaringologe pranë shërbimit ORL në QSUT, tregon për gazetën “Shëndet +”, funksionin e tyre në organizëm, kur është e nevojshme heqja dhe sa i rrezikshëm mund të jetë anashkalimi pa mjekim. Ndërkohë që ndalet në mënyrë të veçante tek mënyrat e trajtimit, ku veç antibiotiko-terapisë, veçon metodën kirurgjikale, tonsillotominë (zvogëlimin e bajameve), vaksinat specifike ndaj mikrobeve shkaktare apo edhe metodat e përkohshme me shiringë dentare.

Çfarë janë bajamet dhe cili është roli i tyre në organizëm?

Bajamet janë masë indi limfoid të vendosur në të dy anët e fytit (orofaring). Janë pjesë e unazës limfoide të Valdejerit dhe kanë funksion mbrojtës në organizëm, duke qenë pjesë e sistemit mbrojtës imunitar të organizmit.

Çfarë e shkakton sëmundjen e bajameve?

Infeksionet e bajameve më të shpeshta janë me origjinë virale, duke dhënë zmadhim dhe skuqje të tyre dhe që shoqërohet me dhimbje të fytit, temperaturë subfebrile, vështirësi në gëlltitje, dhimbje trupi etj. Zakonisht kjo zgjat nga tre ditë deri në një javë dhe trajtohet vetëm me mjekim simptomatik. Një arsye tjetër e infeksioneve të bajameve është edhe infeksioni bakterial i tyre dhe nga mikrobet, shkaktar më i shpeshti është streptokoku B hemolitik i grupit A. Simptomatologjia e tij është më e rëndë me alterim të gjendjes së përgjithshme, lokalisht në bajamet shfaqen pika të bardha pusi dhe dhimbja është e fortë, temperatura e lartë (febrile). Në raste të tilla kërkohet edhe trajtim me antibiotikoterapi, për përmirësim më të shpejtë të gjendjes dhe për të shmangur komplikacionet e mundshme që mund të shkaktohen nga një gjendje e tillë.

Mosha dhe periudha kur hasen më shpesh?

Infeksionet akute të bajameve janë të shpeshta sidomos në moshat parashkollore dhe shkollore. Në moshat më të rritura (adultët) infeksionet akute janë më të rralla dhe zakonisht janë riakutizim i një infeksioni kronik ekzistues. Periudha më e shpeshtë është periudha vjeshtë- dimër, kur dhe virozat janë më të shpeshta, duke sjellë një ulje të sistemit imunitar të pacientëve dhe duke krijuar kështu kushte të favorshme zhvillimi edhe të mikrobeve të cilat qëndrojnë në mënyrë të fjetur në organizëm, si dhe për shkak të kontaktit më të shpeshtë të njerëzve në ambiente të mbyllura, duke favorizuar transmetimin e infeksionit nga pacienti në pacient.

Kur kthehen bajamet në kronike?

Infeksionet e bajameve mund të ndahen në tri kategori: infeksione akute ku simptomatologjia zgjat nga 7-10 ditë, infeksione rekurente ku simptomatologjia e infeksioneve akute përsëritet shpesh dhe infeksione kronike ku simptomatologjia ose shqetësimet nga bajamet zgjasin mbi tri javë. Në rastin e një infeksioni kronik të bajameve, shenjat klinike janë më të ndryshme se ato te një infeksion akut. Pacientët kanë dhimbje herë pas here të fytit, që mund të shoqërohet me një temperaturë subfebrile, ndjenjë trupi të huaj në fyt e cila shkaktohet nga prania në bajame e tapave pudrite deri dhe gurë vetonsillarë të cilët formohen nga mbushja e kripteve të bajameve kronike me mbetje ushqimore dhe të cilat herë pas here dalin në formën e tapave të vogla të bardha me erë të rëndë.

Si ndikon sëmundja e bajameve në organet e tjera?

Një nga komplikacionet lokale më të shpeshta është absesi peritonsillar. Trajtimi i tij bëhet me incision dhe drenim, si dhe mjekim me antibiotiko-terapi. Siç u tha edhe më lart, shkaktari mikrobial më i shpeshtë i infeksionit të bajameve është streptokoku b-hemolitik. Prania e tij nuk lokalizohet vetëm në bajame. Në persona me rekurenca të shpeshta te infeksioneve të bajameve rritet shumë edhe niveli në gjak i këtij mikrobi. Vlerat e larta në gjak të tij shkaktojnë dëme në tre organe kryesore: veshkat, zemra, sistemi artikular duke dhënë komlikacione të cilat jo vetëm janë të rrezikshme për jetën por që edhe nga momenti i vendosjes së tyre tonsillectomia (heqja e bajameve) nuk e zgjidh problemin e ecurisë së komplikacionit. Prandaj është shumë e rëndësishme të mjekohen infeksionet e bajameve dhe të bëhet heqja e tyre, nëse indikohet nga mjeku, para se këto komplikacione të ndodhin.

Cilat janë format e trajtimit të bajameve?

Infeksionet akute bakteriale mjekohen me antibiotikë, shpëlarje lokale me dezinfektantë, hidratim me lëngje nga goja dhe mjekim simptomatik për temperaturën dhe dhimbjet.

Kur duhen hequra ato, si e vendos mjeku?

Në rastin e bajameve kronike, mënyra e trajtimit është në varësi të ripërsëritjes së infeksioneve akute dhe pranisë ose jo të komplikacioneve lokale apo të largëta në organe të tjera, si dhe në bazë të gradës së shqetësimit që i jep pacientit simptomatologjia e saj ( era e rëndë e gojës apo ndjenja e trupit të huaj në fyt për shkak të tapave pudrite). Në rastet kur riakutizimet, të cilat kanë dashur trajtim medikamentoz, janë më të shpeshta se 4-5 herë në vit, rekomandohet heqja e bajameve, sikurse edhe në rastet kur infeksionet kanë dhënë komplikacione apo në rastet kur simptomatologjia e tyre (era e rëndë e gojës apo ndjenja e trupit të huaj në fyt për shkak të tapeve pudrite) është e patolerueshme nga pacienti. Sidoqoftë, paraprakisht duhet bërë përcaktimi në gjak i nivelit të antistreptolisinave, për të përcaktuar rrezikshmërinë e komplikacioneve të largëta që mund të kenë bajamet në dukje të qeta. Sot ka në treg edhe vaksina specifike ndaj mikrobeve shkaktare të tonsilliteve. Janë një ndihmë e mirë për rastet pa komplikacione, për të ulur numrin e ripërsëritjeve në këta pacientë.

Ka ndonjë metodë tjetër përveç kirurgjisë?

Sot diskutohen disa mënyra të tjera trajtimi të problemeve që shkaktohen nga bajamet, por asnjëherë në mjekësi rasti nuk i ngjan rastit. Jo çdo zgjidhje që mund t’i ketë dhënë një i njohuri jonë problemit është e vlefshme edhe për ne. Zgjedhja adekuate e mënyrës së trajtimit duhet të bëhet nga mjeku, sigurisht me konsensusin e pacientit. Kështu sot flitet shumë edhe për tonsillotominë (zvogëlimin e bajameve). Ka indikacione të përcaktuara qartë kur mund të rekomandohet kjo metodë trajtimi, sigurisht pasi pacienti të ketë kryer kontrollin e rekomanduar më sipër, sepse në të kundërt mund të ndodhë që pas një ndërhyrje të tillë, pa indikacionet e duhura, pacientit t’i duhet që sërish të kryejë heqjen e bajameve.

Po metoda me shiringë dentare, sa e rekomanduar dhe efikase është?

Me anë të shiringës dentare hiqen vetëm tapat pudrite që kanë mbushur kriptet e bajameve kronike. Është një zgjidhje shumë e përkohshme, vetëm e ndjesisë së trupit të huaj në fyt apo erës së rëndë të gojës, por jo zgjidhje përfundimtare e problemit me gjithë komplikacionet që përmban metoda në rast se heqja nuk bëhet si duhet, duke rritur rrezikun e septicemisë.

Sa i rrezikshëm mund të jetë anashkalimi i tyre pa mjekim?

Infeksionet e bajameve mund të kalojnë edhe pa mjekim, sidomos në persona me sistem imunitar të fortë. Është vlerësimi i mjekut otorinolaringolog bazuar në gjendjen lokale të bajameve dhe gjendjen e përgjithshme të pacientëve që do vendosë nëse duhet marrë mjekim apo jo.

Këshilla?

Këshilla ime është kujdesi për higjienën e gojës dhe ushqyerje e shëndetshme, ku plotësimi i vitaminave duhet të zërë një vend kryesor për forcimin e imunitetit, dhe konsultim me mjekun specialist në rast simptomatologjie nga fyti.

Të tjera

Abissnet