Bac, as emrin s’po ta dimë!

Nga Adriatik Kelmendi

…dhe ndoshta më mirë që s’po i mëson plot lajme të kësaj jave, të cilat shumë do të të mërzisnin

DHE U ÇUAN I madh e i vogël, siç e do zakoni i rrjeteve sociale, ta kujtojnë në 20-vjetorin e rënies familjen e cila u flijua, me plot kuptimin e kësaj fjale, për lirinë të cilën ne e gëzojmë sot. Natyrisht, me klishetë e zakonshme fejzbukase, u përdor slogani inovativ i Ditës së Pavarësisë “Bac, u kry”. Si dhe, natyrisht, si zakonisht, me këtë u nënkuptua gjithçka, me të thënë dhe pa të thënë. Adem Jashari, 20 vjet pas luftës së përbashkët me familjarët kundër makinerisë ushtarake e policore të një shteti të tërë, mund t’i kishte të qarta të gjitha. Nga fakti që edhe pas 20-vjetësh shumica e qytetarëve të vendit për të cilin u flijua nuk ia dinë emrin e mbiemrin – i thonë Jasharaj në vend se Jashari, ose Jasharajt në vend se Jasharët-rikonfirmon se rezultati i PISA-s nuk ka qenë i rastësishëm. Që i bie: Bac, po duam të të nderojmë, por as emrin s’po jemi në gjendje të ta mësojmë! Ose edhe që: Bac, aq shumë po të respektojmë, por ta kemi lënë “Kompleksin Memorial” në prag të shembjes, sepse i kemi tjetërsuar paratë! BACIT ADEM mund t’i tregohet shumëçka për këta 20 vjetët e Kosovës. Ka prej gjërave të cilat pa dyshim do ta bënin krenar, mirëpo edhe shumë të tjera që do ta mërzisnin.

Madje, po të kishte mundësi t’i lexonte vetëm lajmet e kësaj jave, do të mërzitej shumë, tepër shumë. Për shembull, nja dhjetë prej atyre që mendoheshin se ishin shokë të idealit të tij, u bënë me aktakuzë se kanë planifikuar t’i vrasin nja njëzet prej shokëve të tjerë të idealit, meqë po vlerësojnë se kanë kryer “tradhti kombëtare”. Shumica dërrmuese prej këtyre “tradhtarëve” janë në krye të institucioneve kryesore të shtetit, për të cilin u flijua vetë Baci me familje. Për shembull, këta që janë në krye të institucioneve kryesore të shtetit dështuan edhe një herë që t’i përmbushin kushtet e Evropës për t’u afruar me të. Si pasojë, gati 2 milionë qytetarë për lirinë e të cilëve u flijua vetë Baci me familje janë të vetmit në Evropë që nuk janë të lirë të lëvizin jashtë Kosovës, mirëpo këta dështakët për vete dhe familjet e tyre nuk e kanë këtë problem se kanë siguruar edhe pasaporta të shteteve të tjera. Për shembull, këta që janë në krye të institucioneve kryesore të shtetit u kujdesën që Kosova të përjashtohet edhe nga ato institucione ndërkombëtare, ku ia kishte dalë të anëtarësohej. Për shkak të nivelit të dobët të organizimit të arsimit, vendi u bë i papërshtatshëm për të qenë pjesë e Regjistrit Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsim të Lartë (EQAR), duke rrezikuar njohjen ndërkombëtare të diplomave të studentëve kosovarë, për të drejtën e studimit të të cilëve Baci u flijua me familje.

Për shembull, këta që janë në krye të institucioneve kryesore të shtetit treguan se nuk kanë mjaftuar 20 vjet dhe se nevojiten edhe nja dy të tjerë, në mënyrë që të sëmurët të kenë mundësinë e shfrytëzimit të sigurimeve shëndetësore. Shteti, për të cilin u flijua Baci me familje vazhdon të jetë me njërin nga sistemet më të dobëta shëndetësore në Evropë dhe pa sigurime për shëndet. Për shembull, këta që janë në krye të institucioneve kryesore të shtetit gëzohen kur era e ndërron drejtimin dhe moti është i mirë, siç ishte këto ditë, meqë përndryshe kryeqyteti i shtetit për të cilin Baci u flijua me familje shpesh renditet si më i ndoturi në botë; e këta kur ajri është më i ndoturi së paku flasin diçka e kur ai përmirësohet kujtojnë se u tejkalua përgjithmonë problemi.(…) TASH, PO, MUND edhe të thuhet se shumica e shokëve të idealit në këta 20 vjet u pajisën me diploma fakulteti, masteri e u bënë edhe me doktoratura, mirëpo ja që prodhuan arsimim të tillë për masat sa që as emrin s’po dinë Bacit t’ia shkruajnë. Ose edhe që: Shumica e shokëve të idealit në këta 20 vjet u bënë me shtëpi, vila e pallate, por shtëpinë e Bacit e lanë buzë shembjes. Lavdi, Bac!

Të tjera

Leksioni i Studentëve

Nga Zef Bushati Përtej kryefjalës së këtyre ditëve “student” dhe përpjekjeve të kuptueshme për pronësimin politik të protestës, e cila…

Abissnet