Baballarët kërkojnë fëmijët, ish-bashkëshortet janë “arratisur” jashtë me ta

Foto 1 nga 6 Pas Para

Emisioni investigativ BOOM e nisi këtë vit të ri me denoncimet e dy baballarëve në Fier dhe Pogradec, të cilët kanë vite që nuk takojnë fëmijët e tyre për shkak se ish-bashkëshortet kanë ikur jashtë. Lëvizja e fëmijëve jashtë në të dy rastet është bërë pa prokurë të tyre. Në Patos, BOOM solli denoncimin e Ismet Kalemaj, i cili ka 10 vjet që jo vetëm nuk takon vajzën por nuk ka asnjë lloj komunikimi me të. Sipas tij vajza ka hyrë dhe ka dalë nga kufijtë e vendit tonë pa asnjë problem megjithëse nuk ka firmosur asnjë prokurë. Komunikimin që vajza e tij e vogël Katerina është jashtë Shqipërie ia ka bërë ish-kunati. Apeli i tij i vetëm është që ti dëgjoj zërin të bijës pasi ai nuk kërkon ta largojë nga e ëma sepse nuk ka mundësi ta rrisë për shkak të gjendjes shëndetësore.

Ismet Kalemaj: I jam drejtuar emisionit BOOM pasi kam qenë i martuar, jam ndarë dhe nga martesa kam një vajzë. Vajzën e kam 14 vjeçe, herën e fundit e kam takuar në Athinë në 2008. Dhe që prej asaj kohe dhe deri sot as nuk flas në telefon, as skype, nuk kam komunikim. Vajza është larguar nga Shqipëria në 2008-2009. Nuk i kam dhënë prokurë.Kur fola herën e fundit me të vëllain më tha që ka ikur në Greqi. Ka qenë festë dhe thashë të shkoja ta merrja, mora të vëllain dhe më tha që ka ikur në Greqi. Unë dua të paktën ti dëgjoj zërin asaj çupës.

BOOM për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me Sonilën, ish-bashkëshorten e Ismetit,  kontaktoi në telefon të ëmën, Refie Grembi, e cila pranon se bija ka emigruar në Gjermani bashkë me vajzën pa lejen e ish-bashkëshortit, pasi ky i fundit ka refuzuar të japë prokurë për vajzën.

Refie Grembi: Kur iku vajza ime në Gjermani, iku nga Greqia se ka motrën në Greqi ky, i shoqi. I thotë se ky nuk është në gjendje. I thotë kunatës, ish-kunatës që i thuaj vëllait tënd të më japë një fletë për të ndenjur vajza në Gjermani. Mirë i thotë ajo dhe i bëhet qejfi që do të ikte në Gjermani bashkë me gocën. Do bisedoj unë thotë ajo, me vëllain, me prindërit dhe do të them unë. Shkon dhe bisedon, ky nuk ishte dakord, nuk i dha fletën. Ajo iku në Gjermani me burrin që ka marrë.

Gazetarja: Si iku kur nuk e mori prokurën nga babai?

Refie Grembi: Atë nuk e di unë, ta gjej vetë ai muhabetin me të se unë nuk kam punë. Unë kam kaq vite që nuk po flas për vete me vajzën time. Ajo nuk vjen dot nga ai dhe ai nuk i dha fletën që të vinte goca në shtëpi. Dihet që ajo ka ikur andej.

BOOM u interesua në komisariatin e policisë në Fier për rastin.

Gazetarja: Si duhet të procedohet në këto raste?

Shefi i komisariatit Fier, Artur Selimaj: E vetmja gjë është se nëse ky do të bëjë kallzim që ajo ka mospërmbushje  të rregullt të udhëzimeve të gjykatës. Sepse ka urdhëruar gjykata që ajo duhet të bëjë takim një herë në kaq kohë, përpos të drejtës prindërore që është ana financiare. Nuk e ka zbatuar atë gjë, ka shkelur rregullat e gjykatës. Dhe duhet të bëjë një kallzim në polici dhe policia shpall në kërkim personin. Ajo shpallet në kërkim, është në kërkim gjithandej dhe mund të kërkohet edhe në Gjermani. Në momentin që i del përpara policisë i thotë ju keni një detyrim në Shqipëri.

Shefi i komisariatit Fier informohet përmes telefonit, pyet se kur ka dalë Sonila me të bijën Katerina jashtë. E informojnë se ka dalë me 05.08.2010  përmes doganës së Kakavijës dhe nuk është kthyer më, ndodhet jashtë shtetit. Shefi i komisariatit Fier, Artur Selimaj priti në zyrë zotin Ismet Kalemaj, ku mori denoncimin e këtij të fundit lidhur me mosbatimin e vendimit të gjykatës nga ish-bashkëshortja dhe pamundësinë për të takuar të bijën. Një tjetër rast i ngjashëm vjen nga fshati Verdovë i Pogradecit. Agim Hafisllari, është një baba i cili ka prej shumë vitesh që nuk takon vajzën e tij tashmë 8 vjeç. Agimi ka bërë denoncim dhe çështja sot është në Gjykaten e Pogradecit përsa i përket moszbatimit të vendimit të gjykatës që percakton takimet dhe detyrimet që ka secila palë dhe daljen e vajzës jashtë shtetit pa prokurë.

Agim Hafisllari: Ne jemi ndarë në 2014 më gjyq, ka ikur nga shtëpia. Ka kërkuar ndarjen dhe jemi ndarë. Më pas kemi shkuar në gjykatë dhe gjykata na ka lënë për rritje-edukim djalin mua dhe për rritje-edukim vajzën asaj. Na ka caktuar javën e dytë dhe të katërt të çdo muaji për takimin e fëmijëve. Kjo është realizuar 8-9 muajt e parë dhe më pas është ndërprerë.

Gazetarja: Është larguar jashtë shtetit, ju vetë si prind i keni dhënë prokurë që i lejoni daljen jashtë shtetit?

Agim Hafisllari: Jo asnjëherë, nuk kam pasur asnjëherë komunikim për kshu dhe asnjëherë nuk më ka thënë për prokurë. Nëse do më thoshte edhe mund ta lejoja, por nuk më ka thënë. Jam nisur direkt drejt komisariatit të qytetit të Pogradecit kam bërë denoncimin tek inspektorët e zonës, shefi i komisariatit, ata më kanë premtuar që menjëherë do të nisen drejt prokurorisë dhe e vërteta është se i kanë çuar si dokumenta. Unë dua të takoj vajzën siç e ka dhënë vendimin gjykata.

/D.Xh/

 

 

 

Të tjera

Abissnet