Baba i dy fëmijëve dhe në vështirësi ekonomike, kush është shqiptari i vrarë nga narkomania greke (FOTO)

Publikuar më 12. 11. 2017 nga Eno Shkëmbi

Shpesh herë emigrantët shqiptarë përmenden për vepra të këqija në vendet fqinje, por ky nuk është rasti i 35-vjeçarit të ekzekutuar dje në Kretë, nga fqinja e tij përdoruese e drogës.

Sot mediat kanë publikuar emrin e shqiptarit që gjeti vdekjen në përpjekje për të ndihmuar 26-vjeçaren. Bëhet fjalë për 35-vjeçarin Valton Loka, prind i dy fëmijëve 15 dhe 7 vjeç.

Mësohet se familja e tij që jeton prej kohësh në Ksiropotamo, Irakleo në Kretë dhe përballet me probleme ekonomike dhe gruaja e tij ndodhet në vështirësi për sjelljen e trupit në Shqipëri, ku do të kryhet edhe ceremonia mortore.

Në mediat greke ka dalë edhe fotoja e autores, e cila ishte dënuar më parë për vjedhje por ishte lënë jashtë qelisë për shkak të gjendjes shëndetësore. Ajo jetonte në një shtëpi që nëna e saj e kishte marrë me qira, ndërsa ka edhe një vëlla në burg në Koridhali.

26-vjeçarja sulmoi dje me thikë shqiptarin, i cili kishte shkuar t’i vinte në ndihmë pasi kishte dëgjuar britmat e saj. Pavarësisht faktit se ai i ofroi asaj ndihmë, vajza e re e qëlloi disa herë me thikë, duke i shkaktuar atij vdekjen.

Megjithëse fqinjët lajmëruan ambulancën, i ndjeri humbi jetën gjatë transportit për në spital.