Azilkërkuesit të kthyer nga Gjermania përfitojnë asistencë? Ja ç’thotë ambasada

Publikuar më 05. 12. 2017 nga Xhentila Gjoshi

Pas publikimit të lajmit që azilkërkuesit shqiptarë përfitonin një asistencë financiare nëse ktheheshin vullnetarisht nga vendet e BE-së, ka reaguar menjëherë ambasada gjermane.
Në sqarimin e ambasadës theksohet se nuk do të ketë asnjë asistencë të re financiare për azilkërkuesit shqiptarë të refuzuar nga ky vend. “Ndryshe nga ç’raportojnë mediat shqiptare, azilkërkuesit me shtetësi shqiptare në Gjermani, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, duke nisur nga data 1 dhjetor 2017 nuk mund të marrin në konsideratë asnjë mbështetje të mëtejshme financiare apo asistencën financiare për kthim. Gjermania e ka kategorizuar Shqipërinë si vend të sigurt të origjinës. Kërkesat për azil nga shtetasit/et shqiptarë/e, sikurse edhe nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor përpunohen me procedura të përshpejtuara dhe refuzohen praktikisht në çdo rast”, thuhet në reagim.
Sipas ambasadës gjermane, azilkërkuesit e refuzuar duhet të kthehen në Shqipëri. Po kështu ata mund të dënohen me ndalim hyrjeje në të gjithë hapësirën e vendeve Schengen për një periudhë, që mund të zgjasë deri në pesë vjet, nëse ata nuk pranojnë të largohen me dëshirën e tyre por kthehen forcërisht në Shqipëri.