Av. Gylsen Zhllima: “Pakti Kombëtar” dhe “Platforma e lirisë” i japin fund krizës ciklike

Av.Gylsen Zhllima

Krizat ciklike në Shqipëri kanë për autore partitë e vjetra. Pas vitit 1991 e në vazhdim, palët janë ulur në shumë tryeza për hir të “interesave kombëtare”, por në realitet i kanë shfrytëzuar vetëm për interesat e tyre personale.

Marrëveshjet midis partive kryesore kanë qenë të shumta, por at kanë qenë pothuajse të njëjta dhe kanë çuar në përsëritjen e krizave ciklike, të tilla si: Marrëveshja e vitit 1992 për përbërjen e KQZ-së, mënyrën e kandidimit dhe administrimin e votës; Reforma zgjedhore të vitit 2000-2001, ku dy forcat kryesore akuzonin njëra-tjetrën për njëanshmëri; Marrëveshja e vitit 2002 PS-PD për zgjedhjen e presidentit konsensual midis palëve; Marrëveshja e vitit 2007, ku Partia Socialiste në opozitë kërkonte garanci për procesin e votimit dhe certifikatat; Marrëveshja famëkeqe e 21 prillit 2008, që vazhdoi me krizën në vitin 2009 me parrulën “Hap kutitë, ose largohu”; dhe në fund marrëveshja skandaloze dhe hipokrite e 18 majit 2017.

Këto marrëveshje bipartizane nuk ka prodhuar stabilitet afatgjatë, por vetëm pazare që e kanë ushqyer krizën, vit pas viti, për të mbërritur te kriza aktuale.

Dy partitë e vjetra i dallon vetëm ngjyra dhe sigla, ndërsa mënyra e qeverisjes ka qenë e njëjtë, duke zëvendësuar njëra-tjetrën në krye të pushtetit politik dhe ekonomik. Edhe pse çdo qeveri ka folur për për zgjedhje të lira e të barabarta, strategji zhvillimi, politika të sigurisë kombëtare, politika ekonomike dhe financiare, shëndetësore, sociale, rregullim territori, politika arsimore, politika të energjisë apo për  bujqësinë, Shqipëria ka vajtur keq e më keq, derisa sot Republika ka rënë, bashkë me zgjedhjet, liritë politike dhe ato ekonomike dhe shqiptarët janë populli më i keqqeverisur dhe më pa liri në Europë.

Partia “Zgjidhja”, gjatë kësaj krize, ka ftuar aktorët politikë që të ndërgjegjësohen dhe të reflektojnë mbi  situatën e prodhuar nga partitë e vjetra. Gjermania, aleati ynë në rrugëtimin për në BE, deklaroi dje se reforma zgjedhore, ajo në drejtësi dhe lufta kundër krimit dhe trafikut të drogës, janë kushte të panegociueshme për hapjen e bisedimeve.

Prej prillit 2019, partia ‘Zgjidhja’ ka propozuar ‘Paktin Kombëtar’ dhe ‘Platformën e Lirisë’, ku në krye të reformave, është ajo kushtetuese dhe zgjedhore, përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse  politike.

Rrugë tjetër s’ka. Vendosja e Republikës kalon vetëm nëpërmjet një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që ka në qendër shqiptarët dhe interesat kombëtare. Me reformimin e sistemit zgjedhor vendi do të ketë një politikë  të re, me objektiva të qarta qeverisëse që synojnë fillimisht çeljen e negociatave dhe pastaj anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Që të realizohet kjo marrëveshje duhet që partitë e vjetra të tejkalojnë vetveten dhe të dorëzojnë pushtetin e pamerituar që i kanë marrë sovranit popull.

Pa zgjedhje të lira dhe të barabarta dhe pa pranuar plotësisht ‘Paktin Kombëtar’ dhe ‘Platformën e lirisë’ të propozuara nga Partia “Zgjidhja”, s’ka negociata, perspektivë, paqe dhe zhvillim. Rruga e vetme për klasën politike është marrëveshja gjithëpërfshirëse me objektiv të qartë BE-në.

*Anëtar i kryesisë së partisë ‘Zgjidhja’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Lapërdhosja e shtetit

Rezart Prifti Këto ditë të bukura Tetori në Shqipëri diskutohet si përherë për surealen, për të paprekshmen, për atë që…

Abissnet