Austriakët kërkojnë që Bashkimi Evropian të fillojë negociatat me Shqipërinë

Parlamentarët evropianë të Partisë Popullore Austriake (ÖVP) Karas dhe Mandl kërkojnë që të mbahen “premtimet” për negociatat. Reagimi, pasi Komisioni i BE-së, lëshoi ​​një rekomandim për hapjen e bisedimeve për Shqipërinë

Erjon Dervishi

Austria është një nga vendet kryesore të Bashkimit Evropian, e cila ka dhënë një mbështetje për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Muaji qershor është do të përcaktojë nëse do të hapen ose jo negociatat me Bashkimin Evropian. Sinjalet për një përgjigje negative janë dhënë nga ana e disa shteteve të BE-së. Mes këtyre renditet Gjermania, Franca, Danimarka dhe Holanda. Media të rëndësishme perëndimore kanë analizuar situatën në të cilën ndodhet aktualisht Shqipëria. Ekziston rreziku që Franca dhe Holanda të përdorin përsëri veton e tyre ndaj Shqipërisë. Ndërkombëtarët në takimet e nivelit të lartë, flasin për një përparësi nga ana e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit. Komisonieri për integrim dhe zgjerim, Johannes Hahn, në takimin që pati dy ditë më parë me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, theksoi faktin se, ky vend ka bërë përparim në plotësimin e kritereve të kërkuara nga ana e Bashkimit Evropian.

Reagimi Austriak

Pavarësisht insinuatave të ndryshme në lidhje me perceptimet ndaj afrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, janë eurodeputetët Austriakë, të cilët kanë dhënë një prononcim për mediat, për sa i përket Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor. Othmar Karas dhe Lukas Mandl, janë deputetë të Partisë Popullore Austriake. Ata janë pjesë e grupimit të Partive Popullore Evropianë në Parlamentin Evropian. Në reagimin e tyre, deputetët kërkojnë që Bashkimi Evropian të marrë parasysh rekomandimin e Komisionit Evropian dhe të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vendimi për të hapur bisedimet e pranimit do të merret nga shtetet anëtare më vonë në qershor. “Bashkimi Evropian duhet të respektojë angazhimet e veta ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, prandaj është një hap i rëndësishëm dhe i saktë për fillimin e negociatave të pranimit me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë. Pas ekzaminimit të kujdesshëm, Komisioni Evropian ka vendosur që këto dy vende të përmbushin kushtet për anëtarësim”, thotë Othmar Karas, eurodeputet, duke komentuar mbi rekomandimin e Komisionit Evropian për të hapur bisedimet e pranimit me dy shtetet e Ballkanit Perëndimor. “Është e qartë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet vazhdimisht të zbatojnë reforma shumë të gjera, veçanërisht në fushat e drejtësisë, të drejtave themelore, mbrojtjes së pakicave, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ata duhet të përmirësojnë dhe normalizojnë fqinjësinë e tyre. Zgjidhja e mosmarrëveshjes së emrit midis Maqedonisë Veriore dhe Greqisë ishte një shembull i shkëlqyeshëm i kësaj”, thotë Karas. “Por nëse veprojnë, Bashkimi Evropian duhet të marrë frymë në perspektivën e pranimit të këtyre shteteve, vetëm në këtë mënyrë mund të përforcojmë përgjithmonë vlerat evropiane dhe miqësinë e ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor. Nëse nuk e bëjmë këtë, ndikimi i Rusisë, Kina dhe gjetkë në lagjen tonë të afërt kërcënojnë të fitojnë një terren më të fortë”.

Afrimi me Kosovën

“Ne duhet të eksportojmë stabilitetin në mënyrë që të mos importojmë paqëndrueshmëri. Ky moto i Komisionerit të Bashkimit Evropian Johannes Hahn duhet të vazhdojë të jetë objektivi i qartë i politikës së BE-së drejt Evropës Juglindore”, thotë Lukas Mandl, anëtar i delegacionit të Parlamentit Evropian në Kosovë. “Për qytetarët e Kosovës, liria e udhëtimit është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim, kështu që Evropa mund të tregojë se ne e shohim shtetin më të ri në Evropë në nivelin e lartë dhe të shpërblejmë reformat aktive. Përforcimi i identitetit evropian dhe perspektiva e integrimit janë parakushte të rëndësishme për një të ardhme të mirë në Evropën Juglindore, për të gjithë Bashkimin Evropian dhe veçanërisht për Austrinë”. Ruajtja e paqes në rajon ishte një parakusht për dialog të mëtejshëm dhe reforma kushtetuese. “Vetëm nëse ka paqe mund të vazhdojë pajtimi i nevojshëm. Në këtë kuptim, shpresoj që zhvillimet shqetësuese siç janë ato aktuale rreth Mitrovicës së shpejti do të jenë një gjë e së kaluarës”, përfundoi Mandl.

Integrimi

Afrimi i Shqipërisë me Bashkimin Evropian do të diskutohet nga ana e Bundestagut Gjerman. Theksojmë se vendimi që do të merret nga ana e Bundestagut, do të jetë kyç për votën e Gjermanisë, në lidhej me hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë. Kujtojmë se vitin e kaluar Bundestagu nuk mbeti i kënaqur me ecurinë e Shqipërisë.

Një konferencë e rëndësishme do të mbahet në Bruksel ditën e sotme. Atje pritet që të diskutohet qëndrimi i Holandës ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në atë konferencë do të jenë të ftuar edhe deputetë të Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian. Holanda është një nga vendet më skeptike për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Vitin e kaluar Holanda dha një përgjigje negative për çeljen e negociatave të Shqipërisë.

Ditën e djeshme, Komisionieri për Zgjerimin e Ballkanit Perëndimor Johanne Hahn, moripjesë në takimin për rrjetin e digjitalizimit të vendeve të Ballkanit. Shqipëria e ka ratifikuar marrëveshjen për digjitalizimin dhe tarifat Roaming, para disa muajsh. Një kriter kjo për afrim me Bashkimin Evropian.

Fake News, SHBA mbështet verifikimin e fakteve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të angazhuara për të luftuar deri në fund fenomenin e lajmeve të rreme

Në një kohë kur numri portaleve në Shqipëri vijon të rritet, sfida për të kuptuar dhe ndaluar, lajmet e rreme sa vjen e shtohet. Qeveria amerikane përmes USAID ka financuar disa projekte në rajon që merren me kontrollin e fakteve në mediat online dhe jo vetëm. Leyla Moses Ones zëvendës ambasadore e SHBA në Tiranë tha se gazetarët duhet të jenë rojtarët tanë të lirive demokratike. Ajo u shpreh se: “Media e bazuar në fakte është një themel i qenësishëm i demokracisë. Një shtyp i pavarur shtyn debatin për krijimin e një shoqërie të lirë në të cilën qytetarët mund të shprehin pikëpamjet pluraliste. Media duhet të tregojë e të flasë të vërtetën. Propaganda informacioni i rremë dhe keq informimi kërcënojnë sot mediat e pavarura kudo në botë. Këto fenomene mund te jenë përçarëse në Ballkan që po bën ende hapa në forcimin e demokracisë e sundimit të ligjit. Puna juaj për të përmirësuar gazetarinë në Shqipëri dhe rajon nuk ka qenë asnjëherë më e rëndësishme”, tha Leyla Moses Ones. Këto komente numri dy i diplomacisë amerikane në Tiranë i  bëri gjatë një konference ku u mblodhën të gjitha agjencitë ballkanike që merren me kontrollin e fakteve në informacionet që publikohen. Prej vitesh institucionet ndërkombëtare kanë filluar që të marrin në konsideratë fenomenin e lajmeve të rreme. Ata përpiqen që të mund ta eliminojnë këtë fenomen tepër negativ për shoqërinë.

Në Shqipëri nuk ka gazetari kritike

Organizata, Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara, thekson në raportin e saj të publikuar të mërkurën se në demokraci sikurse edhe në shtetet autoritare, udhëheqësit që synojnë konsolidimin e pushtetit, po gjejnë mënyra të reja për të shtypur gazetarinë e pavarur

Në raportin mbi “Liritë dhe mediat në vitin 2019”, thuhet mes tjerash se udhëheqësit antidemokratik në demokracitë e brishta, kanë provuar të trembin mediat duke përdorur mjete ekonomike, ligjore dhe joligjore për të heshtur gazetarët kritik dhe për të forcuar mediat ‘miqësore’. Raporti thekson ndikimin botëror të retorikës kundër mediave të përdorur nga presidenti amerikan Donald Trump. Gazetarët gjithandej në botë kanë më pas arsye të besojnë se Uashingtoni do t’u vijë në ndihmë nëse shkelen të drejtat e tyre themelore. Sipas të dhënave të Freedom House, liria e medias është përkeqësuar në mbarë botën gjatë dekadës së fundit, me forma të reja të shtypjes që zbatohen si në shoqëritë e hapura edhe në shtetet autoritare. Trendi është më i shprehur në Evropë, më parë një fortesë e lirive dhe në Euro-Azi e në Lindjen e Mesme, ku janë të përqendruara shumë nga diktaturat më të mëdha në botë. Në disa prej demokracive më me ndikim në botë, thuhet në raport, shtresa të mëdha të popullsisë nuk marrin më lajme dhe informacione të paanshme. Kjo nuk ndodhë se gazetarët janë futur në burg, siç mund të ndodhë në shtetet autoritare. Në vend të kësaj, thuhet në raport, mediat kanë rënë pre e përpjekjeve për të mbytur pavarësinë e tyre. Metodat e zakonshme përfshijnë mes tjerash edhe trysninë ligjore e financiare, çështjet e pronësisë dhe denoncimet publike të gazetarëve të ndershëm. Qeveritë gjithashtu kanë ofruar mbështetje për mediat ‘miqësore’ përmes masave të tilla si kontrata shtetërore fitimprurëse, vendime të favorshme rregullatore dhe qasje preferenciale në informacionin shtetëror. Qëllimi është që shtypja t’u shërbejë atyre që janë në pushtet në vend të publikut, thuhet aty. Në raport përmenden qeveria e Viktor Orbanit në Hungari dhe administrata e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që kanë arritur “sukses” në heshtjen e gazetarisë kritike. Të dy udhëheqësit, thuhet në raport kanë përqendruar pronësinë mbi mediat, në duart e miqve të tyre. Të dyja këto vende kanë nga 2 pikë në një matje nga 0 deri ne 4 ku rezultati 0, përfaqëson shkallën më të vogël të lirisë dhe ai 4, shkallën më të lartë të lirisë. Shqipëria dhe Kosova, po ashtu kanë nga 2 pikë sikurse edhe të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet