Astma bronkiale, rreziku dhe trajtimi

Publikuar më 29. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Elona Tereziu

Natasha Çela, mjeke pranë Qendrës Shëndetësore nr.1 në kryeqytet tregon faktorët e riskut. Krizat që shfaqen në rast se nuk mjekohet dhe rreziku për jetën nëse pacienti nuk merr ndihmën e duhur.

Astma bronkiale është sëmundje kronike obstruktive e rrugëve të frymëmarrjes. Karakterizohet nga sulme të përsëritura me vështirësi në frymëmarrje, shtrëngim në gjoks, marrje fryme dhe kollë, veçanarisht natën dhe herët në mëngjes. Shfaqet qysh në fëmijëri në një pjesë të pacientëve, pasi kalojnë një infeksion viral të rrugëve të frymëmarrjes. Natasha Çela, mjeke pranë Qendrës Shëndetësore nr.1 në kryeqytet tregon faktorët e riskut duke theksuar se në rast se nuk mjekohet, me kalimin e kohës fillojnë dhe shfaqen edhe krizat astmatike me vështirësi në frymëmarrje dhe gërhitje në gjumë. Kjo ndodh kryesisht natën dhe nëse pacienti nuk merr ndihmën e duhur, mund të rrezikojë edhe jetë.

Çfarë është astma bronkiale?

Fjala astmë vjen nga greqishtja dhe do të thotë gulçim, frymëmarrje me vështirë. Ky inflamacion shkakton episode të herëpashershme me fishkëllima dhe shtrëngim në gjoks, marrje fryme, kollë, vecanarisht natën ose herët në mëngjes etj. Vetë inflamacioni rrit hieraktivitetin bronchial ndaj stimujve të ndryshëm. (Hiperaktiviteti bronkial është reagimi i ekzagjeruar i bronkeve kundrejt stimujve fizikë apo farmalogjik që shprehet me ngushtim të rrugëve të ajrit). Astma bronkiale alergjike IgE vartëse zakonisht haset në moshat e reja <35 vjeç, në personat me anamnezë astmatike familjare. Në persona të tillë astma shkaktohet nga alergenë të jashtëm të cilët zbulohen nga testet kutane (provat kutane) ose edhe IgE specifike për alergenët e ajrit. Astma acarohet kur personi alergjik bie në kontakt me alergenin i cili mund të jetë polen i luleve ose qimet e kafshëve. Në përgjithësi këto pacientë kanë IgE të lartë. Astma jo alergjike prek moshat > 35 vjeç dhe shfaqet pas një infeksioni respirator. Një përqindje e pacientëve me astmë jo alergjike shfaqin polipozë nazale dhe intolerancë nga Aspirina. Marrja e aspirinës tek këta të sëmurë shpërthen një obstruksion akut të rëndë. Për këtë arsye pacientët me astmë jo alergjike këshillohen të jenë të kujdesshëm me aspirinën.

Me çfarë shenjash klinike shoqërohet astma bronkiale?

Astma shfaqet qysh në fëmijëri në një pjesë të pacientëve, pasi kalojnë një infeksion viral të rrugëve të frymëmarrjes. Ndërsa në moshat më të rritura krizat e astmës shfaqen: nga një infeksion viral dhe bakterial, pas një eforti fizik, pas ekspozimit ndaj alergenit apo kontakti me tymin e duhanit, gazra, erëra të forta, vaji i djegur etj. Astmën e gjejmë më shpesh në dhjetëvjeçarin e dytë të jetës dhe zakonisht është me natyrë alergjike, por mund të shoqërohet edhe me prurit alergjik dhe dermatit atopik.

Shpesh herë dëgjojmë se astma zhduket në adoleshencë por kjo është e gabuar sepse astma qetësohet përkohësisht në pubertet dhe rishfaqet pas disa viteve në ndikimin e faktorëve të ambjentit. Astma bronkiale mund të fillojë në forma të ndryshme. Kolla spastike, një nga shenjat e cila fillon pas një infeksioni në rrugët e frymëmarrjes. Ajo shfaqet si një kollë e thatë në formë krizash, është më e shprehur natën dhe acarohet në ambjente të ndotura nga gazrat, aromat e forta (deodorantët), në ambjente të ftohta. Në rastet kur s’mjekohet me kalimin e kohës shfaqen krizat e astmës bronkiale me vështirësi në frymëmarrje dhe gërhitje në gjumë. Kjo krizë fillon kryesisht natën dhe nëse pacienti nuk merr ndihmën e duhur mund të rrezikojë edhe jetën, kjo në varësi të gravitetit të sëmundjes.

Mjeku duhet të jetë i kujdesshëm me të sëmurin në marrjen e anamnezës së saktë. Diagnoza e astmës është e qartë, por duhet të dyshohet për çdo person me episode kolle, dispneje dhe ftohje të shpeshta. Të dhënat klinke dhe egzaminimet e nevojshme që folëm më sipër e bëjnë diagnostikimin në të lehtë dhe trajtimin më efikas. Përsa i përket mjekimit medikamentoz, këtë e përcakton mjeku në varësi të gravitetit të sëmundjes. Imunoterapia specifike është një mjet mjaft efikas që trajton dhe parandalon shfaqjen e Azmës Alergjike, ndryshon procesin e sëmundjes, parandalon rikthimin e reaksionit alergjik, ndryshon përgjigjen e sistemit imun.  Efektet e para të vaksinës duken që në fund të vitit të parë ku redukton ndjeshëm hieraktivitetin bronchial dhe  pakëson marrjen e mediakmenteve. Imunoterapia specifike jep efikasitet sidomos në të sëmurët me astmë fillestare.

Këshilla?

Astma alergjike në shumicën e rasteve shkaktohet nga akarienet, prandaj lufta ndaj tyre lehtëson gjendjen. Dhoma e të sëmurëve me astmë duhet të jetë e thjeshtë me pak orendi, të përdoret fshesa me korent. Në astmën nga polenet duhet mbyllja e dritareve. Mosdalja në ambjente me gjelbërim në orët e ngrohta të ditës, ul simptomtomat. Gjithashtu këshillohet të shmanget eforti fizik.