“Asnjë nuk do të lërë shtëpinë e tij, hapini dyert mos u bëni primitivë”

Nga Valeria Dedaj

Aktorja e njohur Arta Dobroshi rrëfen peshën e të ndierit mbi supe, të qenit refugjate. Fjalët prekëse të Dobroshit, historia e saj, janë fjalët e një aktoreje, por mbi të gjitha një bije, shoqeje, mikeje, qytetareje të Botës

Ka një motiv të rëndësishëm Arta Dobroshi, se përse ka zgjedhur të vendos fytyrën dhe zërin e saj brenda imazhit të botës. Ajo nuk është thjesht fytyra e Artës, por e një gruaje që ka ndier mbi supet e saj peshën e të qenit “refugjat”. Në një moment kaq kritik për botën, por mbi të gjitha për njerëzit që vijnë nga vende në luftë, ajo ka vendosur të lançojë një mesazh për të gjitha ato vende që mund të bëjnë diçka, të hapin dyert dhe të shpëtojnë jetë njerëzish. Fjalët prekëse të Dobroshit, historia e saj, janë fjalët e një aktoreje, por mbi të gjitha një bije, shoqeje, mikeje, qytetareje të Botës.

“Së pari, më lejoni t’ju tregoj se çfarë është një refugjat. Një refugjat është një qenie e lumtur njerëzore që duhet të zhvendoset, pasi i duhet të lërë jetën e tij. Në vitin 1999 kam qenë duke studiuar aktrim në Kosovë. Isha duke bërë prova në Akademi me kolegët e mi dhe skena që ne po përgatisnim po shkonte shumë mirë. Po punonim një pjesë nga Shekspiri dhe ishim shumë të entuziazmuar t’ia tregonim gjithë këtë profesorëve tanë. Epo, kjo nuk ndodhi kurrë, pasi situata në vendin tim po bëhej gjithnjë e më keq. Masakrat, vrasjet po shtoheshin dhe qëndrimi ynë në Kosovë po bëhej shumë i rrezikshëm. Ishte me rrezik të madh vënia në skenë e pjesës sonë, ishte shumë e rrezikshme të luanim Shekspirin.

Kështu që ne u larguam, dhe “Shekspirit” i duhej të priste. Në momentin që ne lamë vendin tonë u quajtëm refugjatë. Pra, ti tani je i njëjti person, por mban mbi supe një epitet. Vendet që jetonin në liri dhe që vendosën të na hapnin dyert ndonjëherë zgjidhnin të shikonin vetëm këtë epitet dhe jo njeriun që ti ishe, pavarësisht se ti jetoje me ta në të njëjtin qytet, në qytetin e quajtur ‘Tokë’. Pra ti je i njëjti person, me këtë dua të them se unë isha po i njëjti person. Një qenie njerëzore, bijë, motër, shoqe, aktore, që po i gëzohesha skenës së Shekspirit me koleget e mia ndërsa sa hap e mbyll sytë lashë jetën time dhe u gjenda përballë dyerve të një vendi tjetër. Dhe në momente të tilla këto dyer rrinë të mbyllura sepse këto shtete edhe pse jetojnë në liri, nuk i duan refugjatët, nuk duan të na pranojnë.

Ndërkohë që ti je duke menduar, dreqin, unë as që dua të jetoj ne vendin tuaj, unë thjesht dua të vazhdoj të luaj Shekspirin, por për momentin armët janë të drejtuara mbi mua dhe ajo që duhet të bëni është të hapni dyert tuaja. Unë ndihem kaq e trishtuar për faktin që mu desh të lija shtëpinë time dhe ju, nuk mundeni as të më falni një buzëqeshje , një përqafim?! Në momentin që e gjitha kjo do të mbarojë unë mezi pres të kthehem përsëri, dhe është pikërisht kjo ajo që ndodhi. Në momentin që lufta në Kosovë mbaroi unë u ktheva, dhe është kjo ajo që shumica e njerëzve bënë, u kthyen.

Mezi prisja të shikoja shtëpinë time, ose nëse shtëpia ime ishte shkatërruar thjesht të shikoja kopshtin tim, ta ndieja atë vend. Të shijoja ajrin e vendit tim, aromën e lirisë dhe të paqes.

Pas 50 vitesh kur fëmijët apo nipërit tanë të kthejnë kokën pas duhet të ndihen krenar për prindërit apo gjyshërit e tyre, të thonë: “Shiko sa gjest fisnik ata kanë bërë, hapën dyert dhe shpëtuan jetë njerëzish. Ne ndihemi krenar”. Ose ata mund të thonë: ‘Ka qenë një veprim kriminal ajo që prindërit dhe gjyshërit tanë bënë, ata zgjodhën të mos hapin dyert dhe ky është një reagim primitiv’. Kështu të gjitha ju vende që jetoni në liri e keni në dorë të zgjidhni vetë atë që fëmijët tuaj do të thonë për ju, atë që nipërit tuaj do të thonë për ju. Kjo është aq primitive sa mohimi i të drejtës për të votuar për gratë qindra vjet më parë.

Ne nuk duhet të harrojmë se ne të gjithë jemi duke jetuar sëbashku në një qytet të quajtur “Botë”, dhe ne të gjithë jemi duke udhëtuar sëbashku përgjatë kësaj hapësire.

Të tjera

Lavdi sportit!

Nga Enver Robelli Në çdo Kampionat Botëror të futbollit është mirë të lexohet libri “Lavdërimi i sportit” i profesorit Hans…

Abissnet