Asimetria e esadizmit dhe e patriotizmit të Ismail Qemalit

Mehdi Hyseni

Politika dhe propaganda e doktrinës së esadizmit të viteve të 20-ta të shekullit XX ishte eliminimi dhe vrasja e personaliteteve emblematike  dhe patriotike të kombit shqiptar siç ishin Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Avni Rustemi…etj., në mënyrë që shqiptarët dhe Shqipëria të mbeteshin edhe më tej nën suzerenitetin e osmanizmit dhe të sllavizmit pushtues kolonial dhe gjenocidal në Ballkan. Ndërkaq, neoesadizmi i viteve të 90-ta të shekullit XX ishte eliminimi nga skena politike dhe ushtarake e patriotëve më të devotshëm të çështjes kombëtare shqiptare, siç ishin komandantët heronj të lavdishëm të UÇK-së, Ilir (Halit) Konushevci, Dr. Hazir Malaj dhe Ahmet Krasniqi, të cilët në pabesi dhe pas shpine u vranë nga plumbat e tradhtisë dhe të terrorizmit banditesk të larvave të neoesadizmit. Edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, qëllim strategjik i vrasjes së tyre, ishte lufta dhe sëmundja epidemike për pushtet, korrupsioni, despotizmi, plaçka, nepotizmi lufta e ethshme për pasuri, për para dhe për karrierë, jo për komb, as për atdhe, as për Kosovë e as për Shqipëri, siç po gënjejnë, po manipulojnë, po mashtrojnë, po dezinformojnë, po falsifikojnë historinë e re të Kosovës kryeprotagonistët  dhe “kryearkitektët” e doktrinës së neoesadizmit të rinj(1990-2019). Në këtë frymë, qe  tri dekada, disa hyzmeqarë (të regjimeve marionete dhe të agjenturave të ndryshme të huaja, të infiltruara në Ballkan) po luftojnë që  me “shkencën”  dhe me “predikimet” e tyre degraduese  ta shtrembërojnë dhe ta retushojnë historinë e Skënderbeut, historinë e  Rilindjes Kombëtare Shqiptare (XIX-XX), të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (10 qershor 1878) dhe të Qeverisë së Vlorës (28 Nëntor 1912), me qëllim që ta justifikojnë tradhtinë e esadizmit dhe të hashotuxharizmit , gjoja se pavarësia e Shqipërisë  nuk është fryt dhe meritë historike, kombëtare dhe patriotike  e Ismail Qemalit dhe e shqiptarëve patriotë mendjendritur, por na  “qenka pjellë” dhe “meritë historike” e esadistëve feudalë, e bejlerëve çifligarë proturq, e disa hoxhallarëve dhe e  dervishëve shehlerë të  sulltanëve perandorakë, dhe e miqve të tyre monarkistë  grekë, malazezë, serbë dhe rusë. Duke qenë se kjo aleancë e panatyrshme  perandorake  osmane dhe sllavo-ruse mbretërore në kohën e tyre e ka shkruar historinë e falsifikuar për shqiptarët dhe për Shqipërinë Etnike, mirëfilli sipas këtyre burimeve të këtij konglomerati armiqësor antishiptar del se   Ismail Qemali “ka qenë agjent i tyre”, sepse  së bashku me bashkëpatriotët e tij atdhetarë shqiptarë dhe me ndihmën e drejtpërdrejtë të Austro-Hungarisë ia arriti, që të ngrejë Flamurin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë Etnike në Vlorën heroike, më 28 Nëntor 1912 . Kjo ishte “tradhtia më e madhe”, që  patrioti dhe kryediplomati më i shquar shqiptar, Ismail Qemali ua bëri pushtuesve anadollakë osmanë, serbëve, grekëve, malazezëve, rusëve, bullgarëve…etj., për të dalë nga kthetrat e robërisë së tyre kolonialiste dhe imperialiste shumëshekullore,  e, si politika, diplomacia, propaganda, si dhe e gjithë literatura shkencore dhe arkivore e derisotme  këtij konglomerati armiqësor osmano-sllav dhe e aleatëve dhe e mbështetësve të tyre evropianë, të  mos e shpifte, të mos e shantazhonte dhe të mos e damkoste Ismail Qemalin si “poliagjent” të tyre?!  Një cilësim i tillë, pa dyshim se është i pranueshëm për politikën, për diplomacinë, për propagandën mediatike, për shkencën dhe për literaturën pseudoshkencore të autorëve të ndryshëm të Perandorisë Osmane, të Serbisë, të Rusisë, të Greqisë, të Malit të Zi, të Bullgarisë…etj., si dhe për “shkencën  e historisë” së sotme të neoesadizmit pro-osman  dhe pro-sllav (1990-2019).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet