Asani: Partizani nuk dorëzohet në garën për titull

Publikuar më 07. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Skuadra e Partizanit po zhvillon sezonin më të vështirë të viteve të fundit. 15 herë kampionët e Shqipërisë janë të detyruar të hidhen në merkaton e janarit për të përforcuar skuadrën me elementë cilësorë. Në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes ndaj Teutës, doli mesfushori Asani. Ai është optimist sa i përket  luftës për titullin kampion.

Si po ndiheni te Partizani?

Që kur erdha në fillim te Partizani e dija se më pret një punë e madhe në skuadër dhe të gjithë lojtarët më kanë mbështetur maksimalish nga dita e parë dhe ngadalë-ngadalë jam duke e kapur formën që më duhet të arrij.

Cilat janë pritshmëritë tuaja me skuadrën, prisnit më mirë apo më keq?

Unë kam shumë shokë te Partizani si Bunjamin Shabani, Ylber Ramadanin ata më kanë folur shumë për këtë skuadër dhe dëshira ime ishte të luaj dhe të ndihmoj klubin. Jemi në një situatë jo të mirë në renditje, pasi Partizani duhet të jetë në vendin e parë, por besoj se të gjithë lojtarët e dinë që duhet të japim maksimumin skuadra të jetë në vendin e parë.

Ju flisni rreth titullit kampion, por trajneri ka thënë se Partizani ka dalë nga ky objektiv…

Është ende faza e dytë për tu luajtur. Është shumë shpejt për të thënë që kampionati ka mbaruar për ne, pasi jemi duke u ringjallur dhe fitoret po vijnë. Besoj se do të arrijmë vendin e parë, pasi për ne nuk ka mbaruar kampionati dhe të gjitha ndeshjet janë finale. Të dielën luajmë ndaj Teutës dhe do japim të gjithë maksimumin.

Teuta nuk po kalon një formë të mirë, por “i mbytur të mbyt”. E shihni të vështirë takimin me durrsakët?

Ne në çdo ndeshje do të japim maksimumin për të fituar, pavarësisht emrit të kundërshtarit.

Ke luajtur mirë ndaj Skënderbeut, po ju pamë të mërzitur kur u zëvendësuat. E ndjeni se mund të luani gjatë 90 minutave një takim?

Kur erdha ditët e para nuk kisha shumë përgatitje dhe u desh pak kohë që të arrija formën e duhur, por tani forma ime do të vijë duke u rritur.

Te Partizani pritet një sulmuesi nga Pelisteri. Duke qenë se e njihni mund ta na thoni diçka?

Kemi luajtur kundër Lukas dhe është super lojtar dhe besoj se do ta na bëjë punë. Por, tani për tani duhet të mendojmë për ndeshjet e radhës.