As perëndimi nuk i do lëngaraqët

Admir Malaj

Atëherë, personat që ikin nga Shqipëria, në thelb, zgjedhin të gjithë vendet e zhvilluara perëndimore. Nëse do ishte thjesht mungesë hapësire a lirie fjale, mund të zgjidhnin edhe vende të tjera në Amerikën Latine, Azi, Afrikë, Oqeani, ku ekonomia nuk është maksimumi, por shqiptarët mund të shpreheshin lirisht. Çështja është që të gjithë zgjedhin SHBA, Kanada, Australi dhe fuqimisht BE, e jo BE dosido, po Gjermani, Francë, Angli, Suedi etj. Si nuk dëgjova dikë të thoshte dua të emigroj në Kalabri apo Siçili? Atëherë, unë mendoj dhe besoj se shqiptarët emigrojnë për arsye ekonomike, vetëm ekonomike dhe sociale. Ata zgjedhin të jetojnë në vende ku garantohet minimumi jetik apo shërbime sociale e shëndetësore. Të gjithë shajnë Shqipërinë dhe lavdërojnë shtetet ku ikin dhe kanë të drejtë, sepse shtetet perëndimore të zhvilluara janë për t’u lavdëruar. Çështja është se asnjë nuk pyet pse këto vende janë të zhvilluara dhe ofrojnë kaq shumë shërbime për qytetarët e vet.

Atëherë, përgjigja është, kryesisht për dy arsye: E para, sepse kanë një surplus ekonomik të mbartur prej brezash, pra paraja ka zënë paranë, sepse këto kanë luftuar, kanë drejtuar tregjet dhe kanë bërë biznes duke vënë çmimin që donin. E dyta, sepse atje ka pasur revolucione të vërteta, brez pas brezi njerëzit janë ngritur dhe i kanë vënë zjarrin pushtetit që nuk u jepte hakun, pra që ato lekët e fituara tek pika e parë nuk jua rishpërndanin njerëzve që kishin luftuar dhe ishin gjymtuar në emër të flamurit dhe elitës që kishte pushtetin.

Çështja është pra, se e para, shqiptarët kurrë nuk kanë pasur mundësi t’i zërë leku lekun, sepse nuk ka ndodhur këto gjashtë shekujt e fundit që më shumë se dy breza të gëzonin. E dyta dhe më e rëndësishmja, nuk ka ndodhur këto gjashtë shekuj, që nga koha e Skënderbeut, që shqiptarët të ngrihen kundër pushtetit dhe të kërkojnë që edhe ato pak lekë që janë, të rishpërndahen drejtësisht. Përkundrazi, shqiptarët, në masë, kanë shitur votën dhe i janë përkulur pushtetit. Kështu elita rrugaçe shqiptare kurrë nuk e ka pasur frikë popullin e vet.

Atëherë, pikërisht këta shqiptarë, që nuk kanë as lekë, por dhe nuk kanë as m*ndere për të frikësuar elitën e vet kërkojnë të emigrojnë dhe ikin. Çështja është se e para, atje ku ikin, nga njëra anë gëzojnë elitën drejtuese, kryesisht internacionaliste dhe globaliste, që pikërisht për kësoj lloj njerëzish ka nevojë, nga ata të rrahur që në djep. Kjo elitë perëndimore internacionaliste dhe globaliste është po e njëjta që na ka bërë peshqesh elitën tonë rrugaçe, gjasme monarkiste, gjasme komuniste, gjasme liberale, gjasme, se në fakt janë elitë rrugaçe. Pra këta që i gëzohen imigracionit nga vende si Shqipëria, por më shumë akoma nga Afrika apo Azia, janë po të njëjtët që thonë se Shqipëria ka bërë hapa përpara dhe se jemi në rrugën e duhur, eko dhe me ngjyra ylberi. E dyta, atje ku ikim ka dhe nacionalistë të thekur, nga ata që kanë gjyshërit që kanë dhënë jetën për atdheun dhe prindër që kanë luftuar me pushtetin që fëmijët e tyre të gëzonin të mirat që tani emigrantët shkojnë dhe pretendojnë nga momenti zero i hyrjes. Këta, nga ana tjetër, nuk kanë lidhje me elitën tonë, po fare – fare, sepse këta kanë hallin e vendit të vet dhe as që merren me gjëra eko dhe ngjyrat. Këta janë ata që hapin puse nafte, punojnë çelikun dhe prodhojnë makina, janë ata që i thonë dorës dorë dhe krahut krahë. Këta nuk e shesin votën, këta luftojnë dhe këta nuk duan që të ngatërrohen me emigrantët, që jo vetëm shesin votën, por dhe nuk u thonë asnjëherë faleminderit për sakrificat që këta kanë bërë ndër breza që perëndimi të ishte perëndim.

Atëherë, e këtu përfundon, sot që në perëndim nacionalistët po marrin pushtetin nuk e di se sa zgjedhje do kenë shqiptarët, por zgjedhjen e duhur do e kenë gjithnjë aty: Ta luftojnë të keqen këtu në Shqipëri!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet