Artriti psoriatik, çfarë (nuk) duhet të hamë?

Publikuar më 18. 06. 2017 nga Eno Shkëmbi

Blertina Koka

Nëse vuani nga artriti psoratik, ka shumë arsye përse duhet të ushqeheni shëndetshëm. Sëmundja autoimunitare, që prek 30% të njerëzve që vuajnë nga psoriaza, mund të shkaktojë dhimbje, enjtje dhe tendosje të kyçeve. Duke qenë se kilet shtesë shtojnë edhe më shumë presion në kyçe – duke përkeqësuar kështu simptomat e artritit psoriatik dhe shkaktuar dëmtim të kyçeve me kalimin e kohës – pacientët duhet patjetër të mbajnë një peshë normale. Pacientët me psoriazë duhet të marrin gjithashtu në konsideratë se ajo rrit rrezikun për zhvillimin e problemeve të tjera shëndetësore, si: tensioni i lartë i gjakut, nivelet e larta të kolesterolit, obeziteti dhe diabeti etj. Kjo e bën më të rëndësishme për pacientët me artrit psoritaik, të cilët vuajnë gjithashtu edhe nga psoriaza (që zë 85%, sipas Shoqatës Kombëtare të Psoriazës) , të konsumojnë ushqime që mbrojnë zemrën dhe mbajnë nën kontroll nivelet e kolesterolit. Në të njëjtën kohë, ata duhet të shmangin ushqime që shkaktojnë inflamacion, përmbajnë kalori boshe që mund të çojnë në peshë ose kanë përmbajtje të lartë në kolesterol. Ja çfarë (nuk) duhet të hani nëse vuani nga artriti psoriatik.

Shmangni: Ushqimet e pasura me shumë sheqer

Ëmbëlsirat kanë shumë pak vlera ushqyese dhe mund të shkaktojnë shtim në peshë, rritje të niveleve të kolesterolit dhe tensionit të gjakut, si dhe rrezik më të madh për t’u prekur nga diabeti, kanceri apo sëmundjet e zemrës. Për më tepër, konsumimi i ushqimeve të përpunuara të pasura në niseshte dhe sheqer mund të rrisë prodhimin e molekulave që shkaktojnë inflamacion. Me pak fjalë, kufizimi në ngrënie i këtyre ushqimeve është një zgjedhje e zgjuar për të gjithë, sidomos për ata që vuajnë nga artriti psoriatik. Lajmi i mirë: Mund të ëmbëlsoheni duke ngrënë fruta të freskëta.

Shmangni: Pijet e gazuara

Ashtu si ëmbëlsirat, edhe pijet e gazuara shtojnë numrin e kalorive boshe dhe janë të pasura në sheqer (gati 3 lugë gjelle në një kanoçe 350 ml). Pijet dietike gjithashtu nuk janë më të mira: versionet dietike, që përmbajnë ëmbëltues artificialë, rrisin rrezikun për zhvillimin e diabetit të tipit 2, sëmundjeve të zemrës, depresionin dhe gërryerjen e dhëmbëve. Plus, pijet e gazuara dietike nuk kanë asnjë vlerë ushqyese dhe mund të shkaktojnë akoma shtim në peshë, edhe pse tregtohen si me zero kalori.

Shmangni Ushqimet e përpunuara

Biskotat, ushqimet e konservuara, picat e ngrira dhe produkte të tjera të prodhuara në fabrikë kanë gjithmonë përmbajtje të lartë në sheqer, kripë dhe konservues. Të gjitha këto nuk do t’u bëjnë asnjë favor kockave, lëkurës apo zemrës. Prandaj është e rëndësishme që të minimizoni konsumin e ushqimeve të përpunuara. Kontrolloni më parë listën e përbërësve, nëse mund ta përgatisni vetë në shtëpi, atëherë është në rregull.

Shmangni Proshutën

Edhe pse mund të jetë e vështirë të përcaktosh cila yndyrë është e mirë apo cila e keqe, mishi me dhjamë, sidomos tek ai i përpunuar, si proshuta, qëndron tek lista e “nuk duhen konsumuar”. Këto lloje mishrash përmbajnë yndyra të ngopura që mund të rrisin nivelet e kolesterolit të keq (LDL) dhe rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës. Njerëzit që vuajnë nga artriti psoriatik ose çdo problem tjetër me kockat, duhet të kufizojnë konsumin e mishit me dhjamë për të mos shtuar në peshë dhe mbajtur inflamacionin nën kontroll. Kujdes: ‘kufizuar’ nuk do të thotë ‘eliminuar’.

Ndoshta duhet të shmangni Produktet e qumështit

Produktet e qumështit mund të përkeqësojnë simptomat tek disa njerëz që vuajnë nga artriti psoriatik. Nëse nuk vëreni përkeqësim të simptomave edhe pse konsumoni produkte të qumështit, atëherë mund të vazhdoni t’i hani pa problem, vetëm se mundohuni të zgjidhni qumësht me yndyrë që përmban vlera ushqyese të rëndësishme dhe kos me probiotikë.

Hani Salmon

Nëse vuani nga artriti psoriatik, peshku i yndyrshëm si salmoni, trofta, skumbria duhet të jenë patjetër në menu. Ato janë të pasura me proteina dhe vitaminë D, lëndë ushqyese të rëndësishme për shëndetin mendor, si dhe ulin rrezikun e zhvillimit të problemeve me sytë të lidhur me diabetin. Acidet yndyrore omega 3 kanë gjithashtu efekte anti-inflamatore. Dhe, më e rëndësishmja për pacientët që vuajnë nga artriti psoriatik: acidet yndyrore omega 3 njihen si lëndët ushqyese kryesore për zemrën, pasi ulin rrezikun e zhvillimit të problemeve të këtij organi jetësor. Për të mbrojtur shëndetin kardiovaskular, Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon 2 racione me peshk në javë.

Hani Fruta të thata

Nuk ka pyetje për këtë – frutat e thata janë të mira për zemrën. Edhe pse të gjitha varietet përmbajnë yndyra të pangopura të shëndetshme për zemrën, arrat janë sidomos më të mira; ato janë të pasura në acid alfa-linoleik (ALA), një lloj i acideve yndyrore omega 3 që ulin inflamacionin tek arteriet pasi keni ngrënë një vakt të bollshëm të pasur në yndyra. Frutat e thata mund të ndihmojnë gjithashtu në parandalimin e sëmundjeve të tjera. Një studim i fundit ka zbuluar se njerëzit të cilët konsumojnë një grusht me fruta të thata (si bajame, fistikë, arra) janë 30% më pak të rrezikuar që të vuajnë nga sëmundjet e zemrës, 15% nga kanceri, 40% nga diabeti dhe 22% më pak rrezik që të vdesin para kohe nga çdo shkaktar. Frutat e thata mund të ndihmojnë gjithashtu në pakësimin e inflamacionit të dëmshëm në të gjithë trupin.

Hani: Boronica

Frutat dhe perimet e freskëta duhet të jenë pjesë e dietës së çdokujt. Frutat, si boronicat, luleshtrydhet, manaferrat etj, kanë fituar statusin e super-ushqimit, sepse janë një burim i mirë i antioksiduesve dhe polifenolëve, që parandalojnë sëmundjet e zemrës dhe ulin rrezikun për atak kardiak. Edhe më shumë arsye përse duhet t’i konsumoni ato: Boronicat janë të pasura me fibra dhe vitamina të mira për ju. Boronicat e freskëta janë më të mira në këtë rast, megjithatë mund të konsumohen edhe të ngrira kur janë jashtë sezonit. Burimi: Health