Artistja malazeze, fituese e “Onufrit”

Publikuar më 29. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Fituesi i ekspozitës ndërkombëtare “Onufri XXIII” shpallet artistja malazeze Jelena Tomasevic. Sipas jurisë, artistja arrin të përcjellë një kolazh eksperiencash njerëzore nëpërmjet narracionit dhe metaforës, në një tablo të gjerë përjetimesh

Artistja malazeze Jelena Tomasevic është shpallur dje fituesja e edicionit të XXIII-të të ekspozitës ndërkombëtare “Onufri 2017”. Tematika qendrore e këtij “Onufri” ishte “Kujtesë kolektive, kujtime personale”, ndërsa juria përbëhej nga tre artiste; Lumturi Blloshmi, Greta Lami dhe Ledia Kostandini, të cilat kanë shpallur fituese veprën “Mixed Memor”, (2017), si më të arrirën e kësaj ekspozite me arsyetimin: “Jelena Tomasevic arrin të përcjellë një kolazh eksperiencash njerëzore nëpërmjet narracionit dhe metaforës, në një tablo të gjerë përjetimesh. Ajo koleksionon impulset që i ofron memoria. Tomasevic filtron eksperiencën kolektive përmes një gjuhe figurative tejet simbolike, duke ofruar qëndrimin e saj personal ndaj fenomeneve të ndryshme sociale”. ​

 

Ndryshe nga herët e tjera, që juria edhe artisti kanë një ballafaqim me medien, kësaj here GKA është mjaftuar me një njoftim të thjeshtë të medies, nëpërmjet email-t. Pas shqyrtimit për disa ditë nga juria, vendimi për çmimin “Onufri 2017” shkruajnë në njoftim, se vendimi është marrë dje. Artistja fituese vlerësohet financiarisht me  shumën 300 000 (treqind mijë) lekë. Ndërsa, buzheti në total për “Onufrin” është rreth 15 mln lekë të vjetra.

“Kujtesë kolektive, kujtime personale”

Kuratori Centrone me aq sa kishte mundur, ishte përpjekur për të gjetur një emërues të përbashkët që bashkon përvojën e shumicës mes artistëve shqiptarë, sepse filloi prej tyre në këtë hulumtim që dëshironte të ishte aktual dhe ndërkombëtar. Pas shumë studimesh ai doli në konkluzionin se Historia mbizotëron në punën e tyre. Por kuratori nuk kishte, si qëllim të ndërtojë një ekspozitë politike (kjo nuk ishte në planet e tij), duke qenë se ka një dallim të madh mes elementit kulturor dhe atij socio-politik. Në këtë pikë faktori kohë bëhet një element qendror. Mënyra se si koha gërryen në kokat tona dhe çfarë mbetet e konsiderohet ex- post. Dallimi midis kujtesës kolektive dhe kujtesës personale është shumë i paqartë, më shumë se sa mund të mendohet.

Dhe po ashtu dallimi mes njëjësit dhe shumësit është më kompleks se sa mund të mendohet. Ekziston një apo shumë kujtime kolektive? Dhe kush i formon ato? Dhe sa kujtime personale preken nga ngjarjet e historisë? Është e panevojshme të mohohet se në këtë pjesë të botës ngjarjet historike kanë hyrë shumë në jetën e popujve. Për zgjedhjen e titullit ne kërkuam një shprehje të mrekullueshme të gjuhës frënge: au fil du temps. Në  italisht, për shembull, mund të përkthehet me kalimin e kohës, por fjalë për fjalë ka bukurinë e saj në versionin origjinal: në fije të kohës. Një fije që ngjit Historinë me histori personale, duke shtyrë nga lart me zërat e ndryshëm polifonikë të një tregimi. Aktualiteti i së tashmes, historia në sfond. “Objektivi im kryesor për këtë edicion të “Onufrit” ishte të qëndroja në Tiranë, në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë në botë.

Këtë e bëra duke importuar disa copëza nga kjo botë dhe duke i sjellë ato në Tiranë. Kisha për qëllim që sëbashku me 10 artistët ndërkombëtarë dhe ata shqiptarë, (që sipas meje janë të mrekullueshëm , por të mbyllur brenda një sistemi, gjithsesi me mundësi të mëdha), të ndërtonim botën tonë. Gjërat nuk ndodhin rastësisht, jemi këtu me artistë që flasin disa gjuhë, por kuptojmë se edhe në Shqipëri ka një panoramë të artit bashkëkohor, e cila ka një vazhdimësi shumë interesante.

Kërkimi ishte gjithashtu edhe për të ftuar artistë nga i gjithë Ballkani,  që njohin rëndësinë e “Çmimit Onufri”. Vendosa t’a lejoja vehten të inspirohesha nga rëndësia që ka historia në pjesën më të madhe të artistëve, prandaj e zgjodha këtë shprehje përmes artit ka një poezi, ekziston një fije që lidh historitë e të gjithë këtyre të rinjve. E përdora fjalën “të rinj” për të treguar se vendosa të zgjedh artistë që i përkasin të njëjtit brez dhe që bashkohen nga fijet e kohës që ecin në mënyrë lineare, por që ka edhe deviacione. Dhe kam qenë i prirur që brenda historive të mëdha të gjej ato historitë e vogla që flasin për secilin nga ne.  Kjo është memoria jonë dhe mund të jetë memoria kolektive e cila është në ndërtim”, shprehet për “Onufrin”, Gaetano Centrone.

Ekspozita

Ekspozita ofron një itinerar ekspozues që zhvillohet në dhomat dhe ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Janë dhjetë artistë pjesëmarrës, që vijnë nga gjashtë vende; të gjithë të lindur në vitet ’70 dhe ’80 dhe me një cv të pasur ndërkombëtare: Zeni Ballazhi, Adi Haxhiaj, Koja, Perino & Vele, Leonard Qylafi, Calixto Ramírez, Jelena Tomasevic, Vangjush Vellahu, Alketa Xhafa Mripa, Fani Zguro. Ekspozita e kuruar nga Gaetano Centrone do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 30 janar 2018.