Artistët të zhgënjyer nga politika: Ndihemi të papërfaqësuar! (FOTO)

Publikuar më 16. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

E teksa data e zgjedhjeve parlamentare, 25 qershor 2017, në vendin po afron, artit ende nuk i është dhënë hapësira e duhur. Por, si i thonë asaj shprehjes: “Shpresa vdes e fundit!”. Mbase, premtimet për artistët do të shpalosen gjatë ditëve të fundit të kësaj fushate zgjedhore, në mënyrë që të harrohet ccka është bërë për statusin e tyre në këto 27 vite demokraci. E megjithatë, pa i hyrë askujt në hak, sepse ka edhe artistë, që kanë lejuar që imazhi i tyre të përdoret nga politikëbërsit, qoftë edhe për përfitime vetjake,  nuk duhet harruar se ka edhe nga ata artistë, që kësaj here janë kundër këtij fenomeni. Artistët: Konjari, Smaja, Gjoka, Shllaku, Liçaj dhe Bako për “Shekulli”-n shprehen se, ndihen të papërfaqësuar nga partitë politike. Sipas tyre, në platformat zgjedhore kësaj here nuk ekziston askund fjala art. Ata mendojnë se vëmendja e tyre është e fokusuar te timonët dhe tepsitë, ndërsa kulturës nuk i ka ardhur radha akoma. E në fund të fundit, si mundet që ta kenë vëmendjen ndaj kësaj fushe, kur as nuk e frekuentojnë apo shijojnë artin, që prodhohet në institucionet tona kulturore; opera, galeri arti, muze apo teatro!

Suela Konjari: Nuk mund të presim platforma partish për artin, nga njerëz që nuk kanë parë një shfaqje

Aktorja Suela Konjari mendon se realiteti që jetojmë, fatkeqësisht na provon se politikëbërësit nuk kanë kujdes për shpirtin…,  edhe ky fakt për të është i trishtë! “I dëgjojmë në tubime që flasin e flasin për gjithfarëlloj temash, por për Artin e Artistët as nuk kujtohen… Nuk ka deri tani platforma partish për artin…, e me dhimbje them se: Ç’të pres platforma e vëmendje prej kësi soji politikëbërësish që, më fal o Zot mos të hyj në gjynah, po nuk kanë parë një shfaqje teatri, aq sa njëri syresh diku më pyeti:Po ju ku i mçifni mikrofonat që flisni e ju nigjojn robt, apo i fusni nëpër xhepa…. Tmerr! Eh! Kohë të vështira jetojmë që të besojmë se do ta kthejnë vëmendjen nga ne shton aktorja! “Duhet ta kuptosh, shijosh hijeshinë e artit, edukimin e informimin përmes tij dhe më e rëndësishmja ushqimin që merr shpirti nga arti, që të mendosh të kontribuosh për të! E deri më tani nuk kemi asgjë nga këto, le të shpresojmë për aq kohë sa ende themi që: Shpresa vdes e fundit!”, përfundon Konjari.

Merita Smaja: Po ndërtojmë një shoqëri ku njeriu nuk shet vetëm mallra, por edhe vetveten

“Zgjedhjet po afrojnë e ne të gjithë në mënyrën tonë, presim natyrshëm ndryshim, presim diçka që të na jap më shumë shpresë se ky vend do bëhet, e se ne do bëjmë një jetë më të mirë. Por, jo gjithmonë pritja është në favorin tonë, e atëherë pyesim veten: Ne çfarë bëmë për të ndryshuar diçka? Ne sa luftuam për veten e të dashurit tanë? Ne sa u përpoqëm të ndriçojmë të tjerët për atë që na nevojitet e është domosdoshmëri?, këto pyetje ngre aktorja e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, Merita Smaja. Ajo shprehet se, edhe pse dëgjon e shikon me vëmendje turret elektorale, fjalimet plot pasion të liderëve, për artin e kulturën nuk thuhet asnjë fjalë. “Vetëm shajnë njëri-tjetrin, grinden, e deri më tani nuk ka asnjë platformë, që të hedh dritë mbi planet e zhvillimit për artin e kulturën. Thjesht për teatrin as nuk e merr kush mundimin të flasë”.  Aktorja shton se, i ka humbur edhe kureshtja për të ndjekur këto lloj takimesh, sepse gjithçka është klishe, asgjë e re as në fjalët e tyre, sepse në vepra as që mund të mendohet. “Sheh përfaqësuesit e të gjitha partive, por rtistët nuk ekzistojnë. E në këtë rast faji nuk është vetëm i politikanëve, por edhe i artistëve që janë lodhur nga jeta dhe varfëria e nuk kanë dëshirë të merren me fjalë boshe”. Më tej Smaja shton se, jo vetëm nuk ndjehem e përfaqësuar si artiste, por ndjehem edhe e lënë jashtë çdo vëmendje. “Kam frikë se po ndërtojmë një shoqëri ku njeriu nuk shet vetëm mallra, por shet edhe vetveten e më pas ndihet, si mall! Për fat të keq!”. E megjithatë Smaja i qëndron shprehjes se, shpresa nuk duhet humbur! “Le ta rrokim fort qoftë edhe një rreze të vogël e të shpresojmë se politikanët do të kuptojnë se pa art e kulturë, nuk mund të ketë një shoqëri të qytetëruar”.  Ajo dëshiron që partia fituese të mos kishte vetëm fjalë, se ndihet e lodhur nga fjalët boshe, por të ketë platforma të qarta për zhvillimin e kulturës e të artit, e të ndërtohet një sistem i vërtetë kulturor, si në çdo shtet tjetër. “Me mbarimin e mandatit, Presidenti i Republikës mbushi duart plot e shpërndau tituj pa fund për artistët, duke ju përkëdhelur sedrën, sepse e dinë, që artistët e vërtetë kënaqin vetëm shpirtin”.

Behar Gjoka: Merita e vetme e politikës, ka ndarë artistët, shkrimtarët dhe historianët, në varësi të partive

Shkrimtari Behar Gjoka gjithashtu mendon se fushata e partive po flet për tepsi, timon dhe timonier dhe kulturën, vetëm librin nuk ka në fokus. “Kur nuk ka program fare si mundet të jesh i përfaqësuar”, thotë Gjoka, duke shtuar se nuk ka besim për ndryshim të gjendjes as te partia që do të fitojë zgjedhjet. “Nuk ma do mendja! Nuk do të ketë kohë, sepse për kulturën dhe librin qeveritë nuk kanë pasur kohë. Në një kuptim më mirë, por për të bërë dëm merren, mesa kanë në dorë kulturën, monumentet e kulturës, librin dhe gjithçka politika i ka kthyer në shërbesë të qeverive që shkojnë e vijnë”.  Shkrimtari mendon se, politika, qeveritë, kanë meritën e mbrapshtë, se edhe artin dhe artistët, shkrimtarët dhe historianët, i ndanë në varësi të partive…

Neritan Liçaj: Nuk kam dëgjuar asnjë fjalë nuk për artin nga liderët politikë!

Edhe aktori Neritan Liçaj, i cili nuk ka hezituar asnjëherë që të flasë për problemet në art, shkruan në profilin e tij në “Facebook” se deri më tani nuk ka dëgjuar asnjë fjalë nuk për artin nga liderët politikë! “Kaq i parëndësishëm për ta është arti dhe kultura e vendit të tyre?! Kjo më hidhëron vërtet. Apo ndoshta e kanë lënë në fund të çdo gjeje, si”qershia mbi tortë”?! Liçaj edhe më herët është shprehur se, premtimi që Ministria e Kulturës, bëri në 6-mujorin e parë të qeverisjes, për ligjin për artin dhe statusin për artistin, nuk u bë asnjëherë realitet. Liçaj mendon se do të kishte qenl fat i madh, nëse artistët do të njihnin emrat e atyre, që përbëjnë Komisionin Parlamentar për Artin, që në katër vite nuk u mblodh asnjëherë për të diskutuar rreth tyre.

Suela Bako: Artistët në politikë, sa për imazh

Aktorja Suela Bako gjykon sesa herë që diskutohet për një person të caktuar (artist), që i bëhet një vlerësim nga institucionet e politikës, vë re më shumë një denigrim sesa një vlerësim i mirëfilltë. “Tek ta nuk ndjen një lloj vlerësimi moral, por thjesht një mundësi që u jepet për të tejkaluar veten diku”. Prandaj, shton Bako, në një situatë të tillë, jo vetëm që nuk është e përfaqësuar në art, por as që merr mundimin që të ndjek apo jetë pjesë e fushatave. “Normalisht që nëse arti përmendet diku, ky do të jetë lajmi i parë për ata që i ndjekin edhe i mbështetin politikëbërsit tanë. Nuk kam dëgjuar asnjë gjë të tillë, me përjashtim të përdorimit të imazhit, të emrit. Edhe të them të drejtën për këtë më vjen keq. Ndodh një gjë e çuditshme, si valë, që hidhet një shashkë, duhet një vlerësim i përgjithshëm, njerëzit përdoren dhe gjithçka mbetet aty”. Bako ndalet te ky fenomen, duke ndalur te rastet konkrete që njeh. “Mund të them se duke qenë aktorë, ata dinë ta bëjnë shkëlqyer punën e piarit. Janë shumë të mirë edhe shumë të talentuar në mënyrën se si i mbështetin politikanët, kur ata ndihen mangët, këta çojnë zërin më tutje”. Por aktorja këtë fakt e sheh me dhimbje, faktin që brenda tyre fshihet një dëshirë e fshehtë për të kapur një pozicion, drejtues qoftë apo ndonjë pretendim më i madh. “Personalisht ndihem shumë keq në këtë aspekt, jo se unë dua që ata të jenë në një pozicion të caktuar, por sepse përdorja e imazhit është kaq e shëmtuar. Interesi është kaq personal, saqë përsëri ai nuk do të mundet kurrë, që të më përfaqësojë mua, punën dhe dinjitetin tim profesional”. Bako mendon se në Shqipëri mungon shumë hapja e mundësive. “Në fund të fundit, unë besoj se artisti ka nevojë për t’u shprehur, jo për elozhe. Personalisht jam në një moment, që kam nevojë për mundësi të krijoj”.