Artistët: Salla aktuale e Teatrit Kombëtar të mos shembet, por të rikonstruktohet dhe ruhet, si muze

Nga Valeria Dedaj

Artistët bëhen sërish bashkë për projektligjin për “Artin dhe kulturën” dhe godinën e Teatrit Kombëtar. Ata mendojnë se ndërtimi i një teatri në kryeqytet është domosdoshmëri. Por, kërkojnë që godina aktuale e teatrit të mos shembet, por të kthehet në muze, ku brezat që do të vijnë të mësojnë historinë e artit skenik shqiptar. Për realizimin e kësaj ideje artistët do të çelin një numër llogarie, ku mund të kontribuojë kushdo që është kundër shembjes së teatrit

Teatri kombëtar nuk do të shembet! Por, do të kthehet në një muze, që të rrëfejë historinë e artit skenik shqiptar tek brezat e ardhshëm. Për këtë do të çelet një numër llogarie, në të cilin mund të kontribuojë çdo shqiptar, që mbështet rikonstruksionin e kësaj godine 75-vjeçare dhe jo shembjen e saj. Pavarësisht hezitimit të ministres së Kulturës, për t’u kthyer një përgjigje kërkesave të tyre ky është qëndrimi që artistët mbajtën dje në takimin e radhës në sallën “Balck box” në Universitetin e Arteve.

Aktori Arben Derhemi i kërkon haptazi kryeministrit të vendit, Edi Rama, që mos ta trajtojë godinën e TK-së, si pronë të vetën, por si një pronë publike për fatin e së cilës duhet të ketë dijeni çdo qytetar.

Gjatë takimit të djeshëm nuk ra në sy vetëm mosprezenca e artistëve më në zë të skenës, por edhe e atyre që deri më tani kanë shpallur kandidaturën për drejtues të Teatrit Kombëtar, siç janë; Ema Andrea, Genci Fuga dhe Laert Vasili.

Arben Derhemi: Do të mbledhim fonde për rikonstruksionin e Teatrit Kombëtar

Aktori i njohur Arben Derhemi e nis fjalën e tij me etiketimin, që politikanët u kanë bërë artistëve: “Histerikë!” “Jemi etiketuar, si histerikë nga njerëz, që çuditërisht para 15 vitesh kanë pasur dëshira makabre për territorin e Teatrit Kombëtar”. Por, historia 75-vjeçare e godinës bën që Sindikata e Aktorëve të Pavarur të TK të mendojë se është e udhës, që godina aktuale të rikonstruktohet dhe të kthehet në një muze, në të cilën mund të luhen shfaqje pa asnjë lloj problemi. “Ajo nuk është thjesht një godinë, por një histori 75-vjeçare, që do të shërbente në historinë e këtij kombi. Ky komb jemi ne dhe nuk kemi si ta shkelim historinë e asaj godine”.

Deklaratat e bëra nga anëtarët e ndryshëm të qeverisë shqiptare, Derhemi i quan të papërgjegjshme. “Ministrja njëherë thotë, që territori i TK nuk do të lëvizë, por do të jetë po ai dhe do të ndërtohet një teatër i ri. Në grupin parlamentar thotë, që nuk do të shembet TK. Ndërsa, kryeministri thotë: Do ta shemb, sikur është nga Vunoi kjo pronë. Nuk e di se si duhet që të sillemi ne me këta njerëz, që gjejnë të drejtën të na quajnë ne histerikë. Nuk e di se ku qëndron histeria jonë që ata na thonë: Çfarë “plasje” kemi? Ç’të themi ne ç’plasje kemi? Kur thjesht duam që të punojmë në një vend që ka një histori. Në rast se ky shtet nuk ka dëshirë që të komunikojë me këta njerëz, që quhen artistë, atëherë të presim shtetin tjetër, që nuk do të vonojë të vijë pas tij dhe do të ketë dëshirën të na dëgjojë”.

Derhemi propozon se duhet të ngrihet një institucion për rikonstruksionin e TK-së dhe mbledhjen e fondeve. Ai mendon se qeveritarët kërkojnë të fshehin diçka, pasi nuk mundet që bashkia e një kryeqyteti të mos ketë një agjendë dhe të dalë në tavolinë me një projekt, që është 40 për qind e TK-së, ku thotë: “E ke me tre kate edhe ne do ta bëjmë 9 000 metër katror, meqenëse është me tre kate. A e kuptoni? Këta njerëz duan që të fshehin një gjë të brendshme”. Aktori shton se kryeministri thotë se do ta shembë, por nuk pranon që në vend të TK do ndërtohen kulla apo se teatri do të jetë poshtë kullave. Prandaj për këtë qytetarët 500-vjeçarë të Tiranës kanë të drejtë të pyesin për këtë territor në këtë qyteti. “Kush janë këta njerëz, që pronën publike mund ta jepkan, si kanë dëshirë? Si mund të na quajnë histerikë dhe të papërgjegjshëm ne?”. Shumë shpejt, shton artisti, do të krijohet një numër llogarie për të mbledhur donacione, nga kontributi i të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, që kjo godinë të jetë pjesë e historisë së këtij kombi.

“Ne jemi për ndërtimin e salle të re, që do të quhet salla e TK. Por, salla aktuale e TK-së të mos shembet, por të ruhet, si një sallë muze e këtij vendi, si një copë historie e kësaj Shqipërie, derisa shteti të jetë i përgjegjshëm për ndërtimin e një TK, që është domosdoshmëri në këtë kryeqytet”. Derhemi tregon se nga komunikimi që ka pasur me arkitektë, të cilët janë diplomuar në vende të ndryshme të botës, ka mësuar, se në asnjë vend ku ata kanë mbaruar shkollën nuk është shembur një teatër. “Na kanë thënë se TK është një kafaz betoni, që ka dhe materiale kancerogjenë. Për këtë material duhet që të mbajnë përgjegjësi. Ky material duhet të hiqet edhe vishet me një material jokancerogjenë. Megjithë dashurinë e arkitektit që na sollën para 20 vitesh, edhe na thanë, që: Teatri dhe një vit jetë ka. Në këtë teatër nuk ka lëvizur asgjë”.

Derhemi shton në fund të takimit se sjellja e artistëve në TK tashmë vlerësohet me notë. Kjo ndodh me kërkesë të ministres së Kulturës. “Anëtarëve, aktorëve të TK-së u është kërkuar për biografi dhe u është vënë notë për sjellje. Unë, si biografi më i keq kam marrë notën minimale. Është për të qarë, që drejtori i TK-së ka marrë urdhër nga ministrja direkt, që të vihet notë në sjellje për marrëdhënien e aktorit me institucionin. Kjo vjen nga mospasja e statusit të artistit, pasi ne kemi një status të nëpunësit civil. Ndërsa, ministrja e kulturës herë pas here na thotë: Ne sillemi shumë mirë me ju!”, përfundon aktori.

 

Josif Gjipali: Teatri le të ndërtohet me tre apo katër kate, por të gjitha të jenë teatër!

Tenori i njohur Josif Gjipali shprehu mbështetjen e tij për artistët e Teatrit Kombëtar. Ai gjatë takimit tha se artistët duhet që të japin mendimin e tyre, për atë që dinë të bëjnë më mirë. “Nuk jemi as arkitektë dhe as ekonomistë, prandaj për çështjen e teatrit propozoj që të jemi më të kujdesshëm edhe t’i zgjedhim pikat, që mund të ndërhymë duke qenë më të fortë”. Gjipali mendon se pika e parë është ruajtja e sipërfaqes. “Përse të mos bëhet një peticion apo një dokument, që të firmoset nga i gjithë komuniteti artistik dhe nesër këtë dokument, pavarësisht se si mund që të veprohet ta tregojmë. Ne duhet të jemi në rregull!” Ndërsa, përsa i përket godinës së TK-së tenori mendon se nuk ka rëndësi nëse e bëjnë me tre apo katër kate, por e rëndësishme është që ato tre apo katër kate të jenë të gjitha teatër. “Artistët mund të japin mendimin e tyre për kushtet, akustikën, ndriçimin, skenën etj., ndërsa arkitekturën le ta zgjedhin profesionistët”. Përsa i përket ligjit të ri artistët mendojnë që ministres për teatrin t’i propozojnë shembullin e ligjit francez, ndërsa Gjipali mendon se nuk duhet të merren shembuj shabllonë nga vendet e huaja. “Këta shembuj mund që të funksionojnë, por funksionojnë në Francë, ne këtu jemi në Shqipëri. Parimi im është që ne t’i shfrytëzojmë këto eksperienca, por që duhet të përshtaten për komunitetin tonë”.

Aktorja Taulanta Jupi: Po na heqin lirinë e fjalës!

Aktorja Taulanta Jupi e konsideron fatkeqësi që për të disajtën herë aktoret nuk festojnë për të drejtat dhe pozicionimet e grave, por janë në pozitën që duhet të vazhdojnë protestën kundër projektligjit për artin dhe projekteve për të shkatërruar historinë e TK shqiptar. “Ideja për të pasur një llogari bankare dhe për të ngritur një fondacion, që secili shqiptar që mendon se TK nuk duhet të prishet, jam e bindur që edhe me nga një lekë do t’i kundërvihet babëzisë së atyre njerëzve, që nuk pyesin para asgjëje”. Aktorja e konsideron këtë situatë të njëjtë me atë Godos, të përkthyer në shqip nga vet ministrja Kumbaro, “Në pritje të Godosë”. “Godoja për hir të vërtetës është një personazh që nuk vjen kurrë, por unë mendoj se Godoja ka ardhur në formën më të tmerrshme të tij, në formën e arrogancës. Godoja ka ardhur në formën e mashtrimit, të maskarallëkut. Kemi arritur në një pikë që ky komunitet është i varfër dhe po varfërohet çdo ditë. Po i shtypet fjala dhe liria. Si mundet që t’i shtypet fjala një artisti? A e mendoni dot këtë?” Të pranishëm dje në këtë takim ishin edhe tre deputetë, të cilët janë pjesë e Komisionit për Medien dhe Edukimin, Luçjano Boçi, Nora Malaj dhe Kejdi Mehmeti.  “U përpoqëm në të gjitha mënyrat që këtë çështje ta mbajmë larg politikës, por kështu janë përzier gjërat në këtë vend. Na kanë vënë përballë dy vetëve. Ne nuk mundet që të luftojmë dot kundër dy njerëzve njëkohësisht. Më vjen shumë keq, që këtu nuk janë kandidatët për drejtorë. Kanë nisur të mbjellin pemë dhe të lexojnë poezi”.

Adriana Tolka: Po jetojmë në një situatë terrori, ministrja nuk i sheh shfaqjet tona!

Aktorja e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ishte e pranishme për të rrëfyer shndërrimet e katër viteve të fundit, që kanë ndodhur në këtë institucion; strukturore dhe artistike. “Paralelisht me këtë kam qenë dëshmitare sesi MK ka mbajtur një qëndrim denigrues ndaj institucionit tonë. Së pari, duke akorduar një buxhet çdo vit edhe më ultë. Vet ministrja nuk ka denjuar, që të jetë prezent në teatër. Kur je një drejtues që mbahesh me taksa të qytetarëve je i detyruar të mos përfaqësosh vetëm veten”. Artistja shprehet se po jeton në një situatë terrori. “Unë e di që politika si ka marrëdhëniet mirë me artin, sidomos me teatrin, ku përmblidhen të gjithë format e artit dhe që historikisht ka qenë një altar i të vërtetave të mëdha, po në Shqipëri ndiej një mosrespekt të madh ndaj artistëve. Nëse nuk arrijmë dot me peticione, jam e mendimit për një referendum mbarëkombëtar. Teatri nuk mund të lihet në dorë të një njeriu, që sot është edhe nesër nuk është”. Aktorja rrëfen se i vjen turp që në teatër i trajtojnë si nxënës të klasës së parë. “Na kërkojnë librezën e ujit edhe të dritave, çfarë është ky kërcënim, që na tregojnë se sot të mbaj në punë dhe nesër të heq. Ndihem shumë e prekur edhe e pambrojtur nga shteti”.

Anxhela Çikopano: Taksapaguesit duhet të paguajnë edhe për institucionet private, të reagojmë pa qenë vonë!

Aktorja Anxhela Çikopano shpreh shqetësimin e saj, për një nga pikat e projektligjit të ri, që, sipas saj, është mbajtur i fshehur edhe është mjegulluar në debatet mediatike. “Është fakti që në projektligjin e ri, parashikohet që institucionet publike dhe private të financohen njësoj nga shteti. Jemi në të njëjtat kushte, siç ndodhi në arsimin privat, ku institucionet private do të mbahen nga taksapaguesit shqiptarë, njësoj si institucionet artistike kombëtare. Kjo do të thotë që mund të gjendemi shumë shpejt para faktit, që pas një viti të na vijë ndonjë ankim i çuditshëm nga lart dhe të na thotë që: “Një teatër privat ka produkt më të mirë se TK dhe shumë shpejt buxheti do t’u shkojë teatrove privatë. Kjo do të jetë e ligjshme. Kësaj nuk kemi se çfarë i bëjmë. Nëse politika na ka ndarë për çështje drejtorësh e bordesh, shumë shpejt do t’i vëmë duart njëri-tjetrit se do të gjendemi në rrethana buke. Për këtë gjë duhet që të jemi të gjithë të qartë. Kjo pikë duhet goditur para se të ndodhemi para faktit të kryer”.

 

Të tjera

Abissnet