Artistët: Rama të tërheqë projektligjin për teatrin, ose greva nis të premten

Nga Valeria Dedaj

Shembja e Teatrit Kombëtar kthehet në kauzë për artistët. Nëse projektligji miratohet, ata shprehet, se nuk do të lejojnë shembjen e teatrit. Kjo do të ndodhë vetëm nëse Rama kalon mbi trupat dhe gjakun e tyre

Artistët vendosën mbrëmjen e djeshme, që t’i përgjigjen indiferencës së kreut të qeverisë Edi Rama dhe ministres së Kulturës me grevë. Gjuha e artistëve kësaj here është e njëjtë me atë të kreut të qeverisë; nëse Edi Rama nuk tërheq projektligjin për “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar” artistët ditën e premte nisin rezistencën. Ata nuk do të lejojnë, që trualli i Teatrit Kombëtar të tjetërsohet.

Regjisori Robert Budina shprehet qartë për vendimin unanim të artistëve: “Ne vendosëm që nëse deri të premten qeveria nuk përgjigjet për të tërhequr këtë projektligj, ne do të mblidhemi në teatër edhe nuk do të shkulemi më këtu. Nuk do të rrimë për teatrin, por do të rrimë për mbrojtjen e pronës publike. Politika është ndërtuar në bazë të heshtjes. Nga dita e premte qeveria duhet të kuptojë se nuk mund që të veprojë në mënyrë arbitrare. Ju ftojmë që të na mbështesni, që mos të na vijnë në krye Erdoganër edhe Putinër”. Të pranishëm në takimin e djeshëm ishte edhe specialistë të drejtësisë, përfaqësues të shoqërisë civile, artistë edhe ish-punonjës së Teatrit Kombëtar.

Adriatik Lapaj: Artistët të na udhëheqin, kjo kauzë është e humbur juridikisht

Avokati Adriatik Lapaj bëri një parantezë se çfarë do të ndodhë nëse miratohet ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar. Ai u kërkon artistëve që nëpërmjet kësaj kauze të shpëtojnë edhe shumë të tjera, të cilat qeveria i ka nëpërkëmbur, si media apo edhe gjyqësori.  “Ka disa lloj diktaturash, që të rrahin të shtypin dhe të hedhin tutje, por ka edhe diktatura, që përçudnojnë dhe tallen me mediet, gjyqësorët edhe mjekësinë. Mendoj dhe bëj thirrje, si njohës i ligjit, se këta po e kopsitin çdo vendim në aspektin ligjor, që mos të mbajnë përgjegjësi nesër. Në aspektin juridik kjo është një betejë e humbur. Ky ligj do e bëj fakt, gjykata është pushim nuk ke se ku e mbron. Të mbledhim mendjen, se kemi artistët në ballë. Le të na udhëheqin në një rezistencë model! Na lënë në rrugë të shkatërruara, na vendosin taksa kur të duan, por mos t’i lëmë të na marrin nëpër këmbë. Artistët kanë gjithë fuqinë, edhe më të madhe sesa e qeverisë së sotme, që po qeverisë vetëm me propagandë!”

Alert Çeloaliaj: Jemi përballë një arrogance të madhe, është arroganca e kartonëve në Parlament!

Aktori Alert Çeloaliaj, njëkohësisht edhe kryetar i Sindikatës së Pavarur të Skenës edhe Ekranit (SASE) ndali tek problemet kryesore, që shqetësojnë komunitetin teatror. Ai u shpreh, se si Ministria e Kulturës nuk e përfillë, qoftë duke mos u përgjigjur as ndaj shkresave zyrtare. Kërkesa e komunitetit teatror, e firmosur prej 800 firmash, kur kanë kaluar më shumë se dhjetë ditë, nuk i është përgjigjur ende MK. Për këtë institucion kërkesa që TK të shpallet monument Kulture i Kategorisë së II mesa duket nuk ka vlerë. Një tjetër shqetësim që ngre Çeloaliaj, është ai për godinën e TKES që nuk përmendet zyrtarisht në asnjë shkresë. Aktori e quan këtë që po bën qeveria Rama, arrogancë kartonësh.

“Ka disa probleme që na shqetësojnë ne si komitet i njerëzve të teatrit. Ky projekt shpaloset fill pasi u zbeh kjo lëvizja jonë, por jam i lumtur, që sot është rindezur ky zjarr. Është një arritje shumë e madhe me këtë problem që jemi duke u përballur. Në këtë institucion janë dy entitete TK dhe TKES, që ky i fundit as nuk ekziston fare. Pas 30 ditësh fati i tij nuk dihet, gjendemi përballë një arrogance të madhe. Është arrogancë kartonësh. Kartonët do të bëjnë punët e tyre, qoftë nëse ligji aprovohet ose jo. Por arroganca shkon edhe më tej, se ne kemi bërë një propozim, për Monument Kulture, me mbi 800 firma, që janë depozituar në MK. Edhe ne nuk kemi pasur asnjë mendim se çfarë u bë, u lexua apo jo. Mendimi ynë për MK është i barasvlershëm me zero.

Pjesa më e madhe që qëndrojnë këtu nuk janë njerëz që kanë interesa drejtpërdrejta me TK apo TKES. Nuk kanë interesa që mund të cenohen nga prishja e kësaj godine, është shumë më i lartë, se nuk kërkon që të ketë përfitim askush nga ne. Në takimin që kishim me Gramoz Ruçin, kryetarin e Kuvendit, u tha qartë se nuk do të ketë zgjidhje pa konsultim me grupin e interesit, por ja që po ndodh ndryshe. Nuk e di se dhe sa do të ketë shfaqje, por e vetmja rrugë ndaj kësaj arrogance është vetëm qëndresa që do të bëjmë ne këtu. Meqenëse e kemi hedhur si ide, mos ta lëmë vetëm teatrin, por janë edhe disa evente sportive, që t’i ndjekim këtu. Tani që teatri ka nevojë për spektatorin, të gjithë të jemi këtu”.

Alfred Trebicka-Ramës: ‘F*ck You!

Aktori Alfred Trebicka pas propozimit të artistëve për të bërë rezistencë deri në tërheqjen e projektligjit shprehet se nuk ka më asgjë për të diskutuar. Por, ai zgjedh që sikundër edhe njerëz të njohur në botë, që u janë kundërvënë krerëve të qeverisë, edhe me një fjalor jo të përshtatshëm, t’i thotë të njëjtën gjë edhe kreut tonë të qeverisë.Nuk ka më vend për të diskutuar! E kemi lexuar ligjin, por kur ta thotë një profesionit bindesh se çfarë katrahure është kjo punë. Diktaturat moderne, diktaturat e sofistikuara kam shembuj jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Por kam edhe shembuj kundër reagimi, do t’i themi edhe ne Edi Ramës: F*ck You!”.

Gani Karaj

Ish-punonjësi i Teatrit Kombëtar Gani Karaj mes emocioneve rrëfeu kujtimet e tij në këtë godinë, ai renditi disa nga shfaqjet më në zë që ka vënë asokohe plejada e aktrove, si Kujtim Spahivogli, Kadri Roshi, Mihal Popa etj. “ Jam i emocionuar! Ju ndjek nga Kanada, kam punuar këtu që në vitin 1956, kur kemi pasur probleme me tavanin, kam marrë inxhinierët më të mirë. E kemi ngritur tavanin. Më vjen keq që këta njerëz mohojnë punën e artistëve, jo vetëm të skenës, por edhe të kinematografisë, këtu janë vënë në skenë disa opera. Është fillimi i gjithë artit! Unë kam kaluar rininë, kemi pasur aktor që kanë vdekur, duke xhiruar film. Unë kam shëtitur shumë vende, në Detin e Veriut, atje ishte një shpi e vogël, ai thotë: Kjo është shtëpia muze e Lili Marleen, por kjo është shtëpia e qindra artistëve tanë. Kjo godinë është monument i artit, i kinematografisë. Është gjithçka! Mend s’ka ai që do ta prishë, por nëse ka ndonjë molekulë gjaku, të vërë dorën në zemër edhe mos të prishet”.

“Teatri Kombëtar është kthyer në kauzë, Rama do të shembë vetëm nëse kalon mbi trupat tanë”

Në një zë, dje artistë dhe qytetarë i kërkuan Edi Ramës, që mos ta tjetërsojë kulturën e vendit. Ata e konsiderojnë këtë kulturë, si pjesë të identitetit, edhe që nuk mundet që të zëvendësohet me asnjë gjë tjetër. Prandaj, Edi Rama nëse pretendon BE, shprehet një regjisor i ri, të bëjë atë që duhet bërë, pasi ky nuk është një veprim për të hyrë në BE. “Artistët kanë derdhur djers në skenë, këtë duhet që ta kuptojnë edhe ata që se kanë kuptuar ende”, thotë ai. Ndërsa, kryetari i Sindikatës, Reshat Ibrahimi shprehet se artistët nuk do të shkulen nga godina e Teatrit Kombëtar, prandaj ky projektligj duhet që të tërhiqet. Miratimi i një ligji për shembjen e një godine, që është më shumë sesa trashëgimi kulturore apo memorie historike, është vendi ku kanë zanafillën shumë zhanre të artit shqiptare, nuk është parë dhe as dëgjuar në asnjë vend të botës, aq më pak e influencuar nga njerëz që janë vetë artistë, pavarësisht detyrës zyrtare që kanë.

Reshat Ibrahimi: Kjo godinë është kthyer në kauzë, do të shembet vetëm nëse kaloni mbi trupat tanë!

Edhe kryetari i Sindikatës së Artistëve Reshat Ibrahimi shprehet i qartë në vendimin që artistët morën për ditën e premte. Ai i bën thirrje Edi Ramës që mos të veprojë, sepse këtë godinë artistët do ta mbrojnë me gjakun e tyre. Kjo godinë tashmë është kthyer në kauzë, të cilën Ibrahimi thotë se do të prishet vetëm nëse Edi Rama kalon në trupat e artistëve.

“Problemi qëndron këtu, se ky burrë i gjatë, një piktor i dështuar nuk merr vesh në atë që bëjmë ne. Në propozimin që u bë jemi dakord që të vijmë këtu edhe ta bëjmë me radhë qëndrimin. Kjo godinë është kthyer në kauzë. Edi Rama të kalojë mbi trupat tanë, duhet mbrojtur me gjakun tonë”.

Daniel Salari: Rama po bën atë që bëri Enver Hoxha në 1976 me objektet e kultit

Një aktivist, i cili ka marrë pjesë në takimet teatrore është edhe Daniel Salari. Ai shprehet se nuk e ka besuar asnjëherë faktin, që kryeministri i vendit do t’i shkonte deri në fund kësaj çmendurie të ndërmarrë. Ai mendon se po ndodh e njëjta gjë, që ndodhi në 1967 me objektet e kultit në diktaturë. “Nuk kam besuar se kishte kaq të çmendur, që t’i shkonin kësaj çmendure deri në fund. Por ajo që është e pamundur, është se nuk mundet që t’i jepet një truall një firme private. Ky është një kult që qeveria kërkon që ta rrafshojë, siç bëri Enver Hoxha në vitin 1967 me objektet e kultit. Mos të ndalemi, edhe nga dita e premte të jemi gjithmonë këtu, derisa ky kryeministër të dalë edhe ta tërheqë këtë projektligj”.

Kastriot Çipi

Regjisori Kastriot Çipi i emocionuar nga ish-profesori i tij Gani Garaj, rrëfen se se ai ka ruajtur në shtëpinë e tij një koleksion fotografik me çdo shfaqje që është vënë në skenë gjatë kohës që ka punuar. Ai u bën thirrje qytetarëve që të shpëtojnë teatrin. “Kur kam shkuar në shtëpi të profesor Ganiut, kam parë një koleksion me foto të çdo shfaqjeje përsa kohë ai ka punuar këtu, edhe përveç kësaj pashë se TK asokohe bënte 6-7 premiera. Më tha e ke gabim, se bëheshin katër të studentëve, në vite të caktuara është ndarë me operën, estradën edhe me cirkun. Njerëzit kanë punuar me pasion, kanë bërë montim çmondim dekori dy herë në ditë. Profesor Ganiu përfaqëson jo thjesht nostalgjinë. Qytetarët duhet që të shpëtojnë teatër”.

Artistët thirrje për rezistencë: Ne nuk do t’ju lejojmë të na grabisni një tjetër pasuri kombëtare!

Ka mbi 4 muaj që komuniteti i artistëve së bashku me një grup të gjerë intelektualësh dhe qytetarësh, ka dalë hapur kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Në çdo komunikim me publikun si edhe me politikanët apo të zgjedhurit, përfshirë Ministren e Kulturës, Kryetarin e Bashkisë Tiranë dhe Kryeministrin e Shqipërisë, si palë të njëanshme vendimmarrëse, kemi artikuluar qartë jo vetëm nevojën e ruajtjes të paprekur të godinës ekzistuese, por edhe domosdoshmërinë e restaurimit të godinës historike të Teatrit Kombëtar, të lënë qëllimisht në harresë. Nuk jemi lodhur së shpjeguari të gjithë aktorëve vendimmarrës se pse nuk duhet shembur Teatri Kombëtar për të ndërtuar kulla, u kemi folur mbi vlerat arkitekturore të godinës së projektuar nga arkitekti i njohur italian, kemi artikuluar pafund mbi nevojën e teatrove të tjerë dhe jo për shembjen e atyre që kemi, kemi shprehur qartë argumentet tona në mbrojtje të interesave publike për mostjetërsimin dhe uzurpimin e pronës publike nga oligarkët e lidhur me pushtetin dhe mafia e ndërtimit.

Sa e sa orë, ditë, muaj të shpenzuara pa u lodhur në përpjekjet tona të shumanshme për të bindur këta vendimmarrës të na dëgjojnë, për të bindur kryeministrin Rama të heqë dorë nga ideja e tij e çmendur dhe konstante e prej më shumë se 20 vjetëve për të shembur teatrin.

Por të gjitha këto kanë rënë në vesh të shurdhër! Përkundrazi, prej pak ditësh qeveria shqiptare ka propozuar një projektligj të jashtëzakonshëm për t’i dhënë një kompanie të vetme private, kompanisë Fusha sh.p.k, pa asnjë garë tokën e Teatrit Kombëtar, duke i hapur rrugë shembjes së godinës historike.

Mjaft më! Mjaft më! Mjaft më! Ne nuk do lodhemi t’ju shpjegojmë asgjë më tej! S’ka asgjë për të shpjeguar që ju nuk e kuptoni! Ju thjesht nuk doni. Ose më mirë doni të mbushni xhepat tuaj dhe të privatit në dëm të pasurisë publike. Nga fjala tek akti, nga ligjërimi tek rezistenca! Ne nuk do t’ju lejojmë të na grabisni një tjetër pasuri kombëtare, në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e këtij vendi! Ta dini se ne do na keni aty përballë, tek pasuria jonë e çmuar, Teatri Kombëtar! Do na keni përballë tek prona jonë publike që doni të na e rrëmbeni! Nëse nuk tërhiqeni, do na keni përballë me protesta edhe tek ministria, tek bashkia, tek kryeministria e tek parlamenti.

Jua premtojmë këtë!!

Ftojmë në këtë rezistencë paqësore, të gjithë aktorët dhe regjisorët e teatrit, te gjithë artistet dhe intelektualet, të gjithë banoret e Tiranës e qytetarët e këtij vendi, të na bashkohen edhe në ditët në vazhdim, në ora 20:00 përpara teatrit, që të tregojmë vendosmërinë dhe rezistencën tonë në mbrojtje të godinës historike të Teatrit Kombëtar, në mbrojtje të hapësirës sonë të përbashkët, në mbrojtje të trashëgimisë, historisë dhe identitetit tonë kulturor dhe kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Enklava apo komuna?

Emilie Fort Pothuajse një vit më parë, kur shkëmbeva disa email-e, me një profesoreshë në Beograd, unë theksova përdorimin e…

Abissnet