Artistët e teatrit bashkë në një mesazh: Ja vlen të flijojmë ditën tonë për jetën dhe të ardhmen

Në Ditën Botërore të Teatrit “Shekulli” bën bashkë mesazhet e disa prej aktorëve dhe regjisorëve që këtë 27 mars kanë festuar në mungesë të duartokitjeve të publikut, për të shpresuar për një të ardhme më të sigurtë dhe për rikthimin e shpejtë në skenën magjike të teatrit.

Lorena Resulaj

27 marsi njihet si Dita Botërore e Teatrit, por këtë vit kjo ditë u festua me karrige të zbrazura, pa duartrokitjet që i japin jetë sallave magjike. Prej javësh skena teatrore ka mbetur bosh, sepse gjithçka ka ndalur për t’u siguruar për vazhdimësinë e jetës, teatrit dhe emocioneve të rralla që arti ofron. Pavarësisht se janë larg teatrit, për aktorët dhe regjisorët, që kanë dhënë gjithçka për të, kjo ditë mbetet e rëndësishme, madje në një situatë të tillë të paprecedentë merr akoma më shumë kuptim. “Shekulli” vendosi që në këtë ditë të shënuar të bënte bashkë mesazhet e artistëve, aktorë dhe regjisorë, të cilët teatrin e shohin si tempullin e tyre. Me shpresën se vitin tjetër të gjithë do të jenë të “karantinuar” në teatër, artistët bëjnë thirrje që këto ditë t’i shfrytëzojmë për të reflektuar për një të ardhme më të mirë pasi e gjithë kjo ëndërr e keqe të ketë marrë fund.

Zamira Kita

Teatri është jeta ime! Shpresoj që shumë shpejt të zgjohem nga kjo ëndërr e keqe dhe të jem përsëri në skenë! Dua të uroj kolegët e mi, gjithë krijuesit e teatrit dhe në mënyrë të veçantë artdashësit korçarë, gëzuar këtë ditë! Shumë shpejt do të jemi në sallën e bukur dhe skenën magjike të teatrit!

Suela Konjari

Të dashur bashkëatdhetarë! Situata që po jetojmë nuk është në një skenë TEATRI! Po e jetojmë të gjithë realisht! Në një ditë feste si kjo e Dita Botërore e Teatrit, mesazhi im për ju, për ne, është: Është koha të tregojmë që e duam realisht njëri-tjetrin, e jo vetëm në “Facebook”, ndaj rrimë në shtëpi me bindje e disiplinë ushtarake. Pasi të dalim nga kjo pandemi, i lutem Zotit, që politikbërësit tanë të kenë kuptuar që mjekët, farmacistët e infermierët , gjithë personeli mjeksor e vetë mjeksia, meritojnë shumë vëmendje, respekt e vlerësim! Përulem përpara bluzave të bardha me dashuri e mirënjohje! Jeni heronj!

Rrini në shtepi! Kujdesuni për higjienën! Zoti na mbroftë!

Elma Doresi

Teatri, vendi i vetëm që na lejon të shëtisim në çdo vend të botës brenda një ore dhe me një çmim modest (qesh). Sot do t’i uroja jetë të gjatë teatrit dhe sa më shumë krijimtari. Teatri kërkon shumë punë dhe padiskutim përgjegjësi të madhe. Do t’i uroja për një të nesërme me njerëz që e duan vërtetë. Do t’i uroja për një të nesërme me krijimtari dhe jetëgjatësi produksioneve. Dhe e fundit, do uroja që vitin e ardhshëm të gjithë komunitetin artistik, kjo ditë e shenjtë të na gjejë të “karantinuar” në teatër duke dhënë shfaqje e duke e festuar këtë ditë dhe duke dhënë mesazhe nëpërmjet asaj që ne dimë të bëjmë më mirë, që është: teatri!

Driada Dervishi

 

Kjo fotografi tregon një sallë teatri të mbushur plot, ku spektatorët, siç shihet qartë, mbajnë të gjithë maska. Është viti 2003 në Teatrin Kombëtar të Taipeit, (kryeqyteti i Tajvanit) në kulmin e epidemisë së virusit SARS. Masa parandaluese janë marrë kudo, kinematë janë bosh dhe restorantet të shkretë, mirëpo është pikërisht një performancë teatrale e dramaturgut dhe regjisorit Stan Lai, “Sand and a distant star”, që i bën njerëzit të fitojnë mbi terrorin e marrjes së virusit dhe të shkojnë në teatër. Cila është forca tërheqëse e kësaj shfaqjeje që e shtyn publikun të harrojë instiktin e mbrojtjes nga sëmundja? Një skenë që i shkrin të gjithë bashkë drejt një emocioni të pashpjegueshëm : Teatri! Gëzuar Ditën Botërore të Teatrit!

Sot për një arsye të fortë nuk jemi në skenë për të festuar Ditën Botërore të Teatrit, por pikerisht sot është dita e duhur për të kujtuar gjith emocionet e pafundme që vetëm teatri di të dhurojë! 

#qëndronështëpisot që të #shkojmënëteatërnesër

Lulzim Zeqja

Unë besoj dhe jam i sigurt që kjo kohë e vështirë që po kalojmë do jetë e shkurtër për njerzimin! Dhe njerëzit kanë per t’u kthyer shpejt në jetën e tyre normale! Jeta e tyre do filloj të jetë më dinamike, më ekologjike, më njerëzore, më e ndjerë, më domethënse. Në këtë kuadër dhe teatri, kinemaja, artet në përgjithësi,do jenë më krijuese dhe me një dinamikë tjetër! Unë besoj që teatri nuk është një pasqyrë e realitetit, por një lup ku njerëzit shikojnë deri në detaje jetët e tyre! Vita breve ars longa! Jeta e shkurtër arti i gjatë thotë një shprehje! Jam i sigurt që teatri do jetë më aktiv, më kompetitiv, më i fortë në vitet që do të vijnë! Të rinj do të vijnë në teatër do merren me të! Edhe në këtë kohë që po kalojmë njerëzit po mundohen me anë të rrjeteve sociale, medias të përcjellin mesazhe, të argëtohen. Imagjinoni në moment të një lirie të plotë njerëzit do të përdornin interaktivitetin, aktrimin e gjallë, emocionin e gjallë, përrallën e treguar aty, ndjenjën! Shumë shpejt në teatër! Së bashku për një të ardhme shumë më të mirë! Eja në teatër! Shumë shpejt do jetë realitet!

Neritan Liçaj

Franc Kafka ka thënë: Teatri është si një magazinë plot me ilaçe që shëron çdo sëmundje.

#rroftëteatri

#ejaninëteatër

Amos Zaharia

Pa jetë nuk ka teatër, dhe pa teatër jeta është e varfër. Edhe pse sot ështe Dita Ndërkombëtare e Teatrit, ja vlen të flijohet për një kauzë kaq të rëndësishme sa kjo që po kalojmë. Ars longa, vita brevis.

Rovena Lule

“Teatër do të thotë të jetosh seriozisht atë që të tjerët gjatë jetës e recitojnë keq!” Shihemi në teatër!

Genc Fuga

Teatri ka lindur nga një shoqëri ku Qytetaria ishte në kulmet e saj, dhe është e vetmja “fabrikë” që prodhon Qytetarë. Është ndër mediumet e para ndërmjet Zotave dhe “të vdekshmëve”. Do të mbetet mediumi i vetëm ndërmjet njeriut dhe botës së brendëshme të tij.
Teatri është unik dhe gjithpërfshirës i Arteve të lindura para tij dhe të gjithë llojeve artistike që do të lindin më pas!
Teatri është e vetmja pasqyrë, ku persona apo edhe vetë shoqëria mund “të bëj make-up”, pra të nxjerrë në pah më të bukurën e saj!
Teatri është “diagnostikuesi” më preçiz i universit të brendëshëm njerëzor! Kurimi ose jo i tij i takon vetë Njerëzimit!

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet