Arta Dobroshi, një aktore 100 për qind vetvetja në rolet e saj

Publikuar më 27. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Rolet e saj ndër vite kanë treguar se ajo e tejkalon edhe veten, edhe aktrimin, fushën ku thotë se gjithmonë ndihet mirë dhe ku secilin personazh e jeton në momentin, kur regjisori kërkon që kamerat të aktivizohen. Bëhet fjalë për artisten e njohur Arta Dobroshi, e cila në një ditë me re dhe të vranët e kryeqytetit, ka zgjedhur të flasë për veten dhe për idenë e të qenit vetvetja, si secili prej nesh, pak më larg aktrimit dhe fjalimeve rreth të qenit aktore e suksesshme apo sfidave për të arritur diçka në jetë.

Dobroshi e ftuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, shkruan “Kultplus” para audiencës nisi një bisedë më relaksuese, me titullin “Ji vetvetja”. Ajo foli në ndërtesën të cilën e ka bashkëthemeluar gjyshja e saj, që sipas saj ndoshta ka qenë e shkruar që kësisoj, ajo spontanisht të jetë e pranishme me fjalimin e saj, që erdhi jo pak si një ligjëratë rreth të qenit vetja.

“Momenti kur kamera nis ‘action’ unë jam 100 për qind rehat. Ndoshta për këtë arsye më ka tërhequr aktrimi, sepse duhesh me qenë prezent në atë moment 100  për qind dhe mos me menduar asgjë tjetër. Para roleve të mia unë shkruaj biografi, bëj hulumtime, dhe jam prezente në jetën të cilën që luaj, sepse nuk kam kohë për të menduar për asgjë tjetër”, tregon Arta Dobroshi.

Para një audience të cilëve u interesoi aspekti i të qenit vetja e Dobroshit, si një aktore e cila e ka dëshmuar veten kur para disa vitesh parakaloi në tepihun e Festivalin e Filmit në Kanë, Arta në prapavijë pati një fotografi nga gjithësia, e realizuar nga Bill Anders në vitin 1968, në misionin e Apollo 8. Kjo, jo krejt e rastësishme.

“Kur e shoh atë fotografi, e shoh botën nga një tjetër perspektivë. Menjëherë ndihem ndryshe, sepse e kuptoj sa e vogël është bota, sa ndryshe jemi të gjithë ne bashkë”, tregon Dobroshi.

Bill Anders dhe Arta Dobroshi i lidhë e bukura, gjithësia, por edhe perceptimi për jetën. Anders i ka parë fjalimet e Artës dhe se si ajo i qaset botës dhe vetes duke lidhur hapësirën e eterit dhe emocionin njerëzor, e Arta ka parë një film të tij, dhe kësisoj dyshen e ka lidhur e njëjta frekuencë e mendimeve. Lidhja me astronautët filloi kur Arta morri pjesë në një program të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, me ç`rast udhëtoi për në Amerikë dhe u njoftua me këtë fushë goxha ndryshe prej aktrimit.

“Anders më ka treguar se si unë e kam ndihmuar për të menduar se nuk duhet të shkojë deri në orbitë, gjithësi, që për të pasur një perspektivë të përgjithshme”, është shprehur aktorja Arta Dobroshi në këtë bisedë me fansat e saj në Prishtinë.

Dobroshi u ndali edhe te vështirësitë të cilat i hasin të rinjtë e të rejat nga Kosova, që synojnë të bëhen aktorë e të kenë një karrierë në aktrim. “Mos i mendoni kushtet gjithmonë, atë çka ta do ty zemra dhe ajo që është ëndrra jote, është e vërtetë, në të kundërtën nuk do kishte ekzistuar”.

Arta Dobroshi është 37 vjeç. Ka qenë e nominuar për aktoren më të mirë në Çmimet Evropiane të Filmit. Ajo ka qenë edhe anëtare e jurisë në edicionin e 59-të të Festivalit të Filmit në Berlin.