Arrestohet Elvis Gaçaj, i dyshuar në vrasjen e Santiago Malkos

Arrestimi i 44-vjeçarit është kryer në rrugën “Taulantia” në Durrës. Në pranga u vu edhe shtetasi Klajdi Drizaj. Në momentin e arrestimit, Gaçaj ka qenë i armatosur me një armë pa leje. Për armëmbajtje rrezikon 15 vite burg.

Xhentila Gjoshi

Elvis Gaçaj, i njohur në botën e krimit në vend, ka rënë sërish në prangat e policisë. Arrestimi i tij është bërë nga Policia e Durrësit pak pas mesnatës të së martës, ndërsa 44-vjeçari është edhe si i dyshuar në vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Burimet nga policia bëjnë të ditur se, ai fillimisht i ka bërë rezistencë Policisë duke i ikur disa postblloqeve. Në momentin e arrestimit, Gaçaj ka qenë i armatosur me një armë pa leje. Emri i tij nuk është i panjohur për autoritetet vendase. Në prill të vitit 2018, ai bashkë me persona të tjerë u arrestuan në afërsi të shkollës “Partizani” në Tiranë. Policia në atë kohë tha se ata po bëheshin gati të kryenin një atentat, pasi u kapën me një pistoletë pa leje. Por nuk dihet se si ata kanë arritur t’i shpëtojnë drejtësisë dhe endeshin të lirë. 44-vjeçari ishte një prej tetë personave të shpallur në kërkim për këtë vrasje dhe dyshohet se ka qenë tepër aktiv në vrasjen e ish-efektivit të Policisë Santiago Malko. Në burg për këtë vrasje vazhdon të mbetet Belndi Teta, për të cilin Prokuroria ka kërkuar ndryshimin e akuzës nga “pengim i zbardhjes së të vërtetës” në “përfshirje në vrasje”. Ndërkohë, burime zyrtare të policisë thanë se bashkë me Elvis Gaçaj u kap edhe shtetasi Klajdi Drizaj. Policia bëri të ditur se fillimisht është bërë identifikimi i mjetit me të cilin lëviznin personat e dyshuar. Sipas policisë, automjeti kryente manovra të dyshimta në rrugë. Gjatë arrestimit Drizaj ka bërë rezistencë ndaj policisë duke tentuar largimin.

Vrasja e Santjago Malkos

Më datë 8 prill të këtij viti, policia njoftoi se ishte goditur një grup i strukturuar kriminal në fushën e trafikut të drogës. Në operacionin e afro 6 muajve më parë, morën pjesë forcat e Antidrogës, por edhe oficerë të Krimeve Kundër Jetës, të cilët arritën të arrestonin 4 persona, të dyshuar si pjesë e grupit kriminal, njëri i konsideruar si drejtuesi. Të arrestuarit e këtij operacioni ishin Leonard Duka, që dyshohej të ishte drejtuesi i grupit, si dhe dy personat, që po ashtu janë shpallur në kërkim bashkë me të për vrasjen e Santjago Malkos, Oltian Loga dhe Dritan Agaj. Në atë kohë u arrestua edhe 44-vjeçari Elvis Gaçaj, i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë, por për të cilin nuk ka prova të jetë i përfshirë në ngjarjen e fundit. Burimet thanë se këta persona po mbaheshin nën vëzhgim prej kohësh nga oficerët e Antidrogës, por policia është detyruar të ndërhyjë para përfundimit të hetimeve, pas një informacioni që kanë marrë nga qytetarët. Sipas grupit hetimor, përshpejtimi i këtij operacioni është bërë me qëllim parandalimin e një vrasjeje të mundshme që dyshohej se po planifikohej nga anëtarët e grupit. Por se për çfarë vrasjeje bëhej fjalë nuk u mor vesh asnjëherë. Megjithëse nuk përjashtohet mundësia të ketë qenë edhe ngjarja që ata dyshohet se kanë realizuar në muajin gusht, pra, ekzekutimi i Santjago Malkos. Gjatë aksionit, Policia sekuestroi armë, municion, drogë dhe një makinë e blinduar. Madje, edhe një ditë pas operacionit, Policia vazhdoi kontrollet në zonën ku ata qëndronin, duke gjetur edhe një tjetër pistoletë. Megjithatë, pak kohë më vonë, të gjithë personat e arrestuar u lanë të lirë nga Gjykata e Apelit, në rrethana ende të paqarta.

Kush është Elvis Gaçaj

Elvis Gaçaj, në vitin 2015 ka qenë objektiv i një atentati tek “Lulishte 1 Maji” në Tiranë, ku mbetën të vrarë gabimisht dy persona, ndërsa ai u plagos. Ai akuzohet edhe për parcelat e hashashit në zonën e Shëngjergjit, si personi që i dispononte dhe financonte me lëndë narkotike. Në atentatin tek Lulishte “1 Maji” u vranë gabimisht Aurora Oskian dhe Kevin Rugova. Nga atentati shpëtoi shoqja e Aurorës, Eda Gjura. Për këtë atentat, në muajin tetor të vitit 2016, togat e zeza të kryeqytetit dënuan me burg përjetë Sael Sulajn dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 35 vite burg. Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Vasiel Çavo u dënua me 30 vite burgim dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 20 vite burg. Sipas autorëve, shkaku i konfliktit mes tyre ishte sepse disa muaj para ngjarjes, i arrestuari në aksionin e sotëm, Elvi Gaçaj, u kishte propozuar që të punonin për të për të shpërndarë drogë, hashash, në zonën e Tiranës së Re dhe kompleksin sportiv “Dinamo”. Elvis Gaçaj, 44 vjeç, brenda viteve 2013-2015 u kishte shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, ndërkohë që sulmet e mëparshme për ta eliminuar ishin kryer me eksploziv. Në atentatin e parë u plagos lehtë nga shpërthimi i një sasie tritoli në makinë. Atentati i dytë mbeti në tentativë, pasi lënda plasëse nuk shpërtheu. Gaçaj akuzohet se ka kryer një vrasje në vitin 1992 dhe një plagosje në vitin 2008.

Policia

“Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri pa leje. Gjatë operacioni policor të koduar “Taulantia”, Policia kap dhe arreston dy persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje. Njëri prej tyre, i cili kishte dhe armë zjarri me vete ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për armëmbajtje pa leje. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Shërbimet e Policisë në rrugën “Taulantia” kanë bërë të mundur identifikimin e mjetit që lëviznin personat e dyshuar, automjet i cili kryente manovra të dyshimta në rrugë. Duke marrë parasysh informacionin e marrë se në këtë mjet mund të kishte persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Policia ka ngritur një perimetër të gjerë rrethimi për kapjen e tyre. Drejtuesi i automjetit sapo ka parë Policinë është larguar me shpejtësi së bashku me pasagjerin dhe gjatë largimit pasagjeri, i cili ishte dhe me masë sigurie “Arrest në shtëpi” ka hedhur në rrugë një armë zjarri pistolete me fishekë”, thuhet në njoftimin e policisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Lapërdhosja e shtetit

Rezart Prifti Këto ditë të bukura Tetori në Shqipëri diskutohet si përherë për surealen, për të paprekshmen, për atë që…

Abissnet