Arrestimi/ A po i frikësohet Rama hijes së Kurtit në Tiranë?

Eno Shkëmbi

“Dhuna nuk është gjë tjetër përpos se manifestimi më flagrant i pushtetit”, do të shkruante në një nga esetë e saj “Mbi dhunën” filozofja e njohur Hannah Arendt. Spektakli si dhunë dhe dhuna si spektakël u përshfaqën më së miri në agimin e së dielës kur aktivistë dhe qytetarë u tërhoqën zvarrë dhe arrestuan nga kapuçonë të zinj, pa numra identifikimi, që mbanin mbi shpinë uniformën e “Policisë së Shtetit”.

Rezistenca mbi 2-vjeçare e artistëve dhe aktivistëve, të cilët kryeministri dhe kryebashkiaku i Tiranës u përpoqën t’i damkosin si të lidhur me Partinë Demokratike me kohën u zbulua të ishte një qëndresë shumë më e gjerë se kaq. Më shumë se sa një protestë e yshtur politikisht siç do ta karikaturonte Rama, ajo e Teatrit ishte një rezistencë e gjatë e artistëve, punëtorëve të skenës, intelektualëve, aktivistëve dhe qytetarëve të ndryshëm, që kishin një qëllim të përbashkët, mbrojtjen e publikes.

Një grupim që nuk kaloi pa u vënë re në protestë ishte Lëvizja Vetëvendosje me qendër në Tiranë, aktivistët e së cilës u shfaqën me banderolën “Një popull nuk mund t’i nënshtrohet një njeriu” dhe flamuj kuqezi. Qendra e VV-së e “festoi” 1-vjetorin e pranisë së saj në Shqipëri në rrugë, ndërsa drejtori ekzekutiv i saj Boiken Abazi u arrestua “për kundërshtim të forcave të Policisë”. Ajo çka bie në sy është fakti që Abazi vijon të mbahet në burg, ndërkohë që pothuajse të gjithë eksponentët politikë të pranishëm në protestë janë liruar. Natyrshëm lind pyetja: A është Boiken Abazi një i burgosur me urdhër të Edi Ramës?

Nëse hedhim një vështrim kronologjik në raportet e Edi Ramës me “Vetëvendosjen”, pyetja bën sens. Gjatë tubimeve për Teatrin, sikundër ka ndodhur rëndom në Shqipëri, kryeministri Rama përdori narrativën e instrumentalizimit të protestës nga Partia Demokratike. Sikundër  ish-kryeministri Berisha dikur, Rama e përdor këtë narrativë për relativizuar frymën e protestës dhe për të zbehur besueshmërinë e kauzës te publiku. Në këtë kontekst, prania e Lëvizjes Vetëvendosje në tubim mund ta ketë shqetësuar kryeministrin Rama.

Pse? Së pari “Vetëvendosje” është një lëvizje “ex novo” në Shqipëri që nuk mban mbi supe mëkate të së kaluarës. Ajo vepron si OJF, nuk ka asnjë aferë korrptive dhe shpërdorimi të pushtetit, të cilat Edi Rama mund t’i gjejë fare lehtë te Partia Demokratike dhe drejtues të saj. Përpos kësaj “Vetëvendosje” kundërshton lidhjet e oligarkisë me pushtetin, politikat neoliberale, është në një farë mase një formacion antisistemor, duke pasur një kredibilitet në rritje te populli. Edhe pse teza të ngjashme kanë ligjëruar edhe Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi duket se ato nuk kanë ngjitur, pasi ata nuk janë distancuar me të shkuarën, dhe kanë bashkëpunuar me të njëjtët “oligarkë”.

Një tjetër arsye përse Rama mund t’i frikësohet “Vetëvendosjes” është e shkuara e lëvizjes në Kosovë, ku qëndresa ka qenë radikale, konsistente, larg mirazhit të protestave në Shqipëri, ku revolta binte brenda ditës si kështjellë prej rëre, dhe ku shpeshherë protestuesit ishin të paguar që vinin prej rretheve. Ajo çka e përforcon idenë që Rama dhe Veliaj janë të shqetësuar nga prania e “Vetëvendosjes” në Tiranë janë deklaratat e tyre të mëhershme ndaj Albin Kurtit dhe lëvizjes. “Vetëvendosje” do të paralajmëronte një marshim Ditën e Pavarësisë më 28 nëntor të vitit të shkuar, që nxiti reagimin e menjëhershëm të Edi Ramës, i cili e konsideroi aksionin “një lajthitje të Albin Kurtit”.

Atëbotë Kurti do të përdorte një gjuhë disi të “drunjtë”, e kuptueshme për një kryeministër në ardhje, duke thënë se “Qendra e Vetëvendosjes në Tiranë nuk është as pozitë as opozitë, ajo është regjistruar si OJF. Ne e kemi frymën e përbashkët, por nuk dirigjojmë dhe drejtojmë njëri-tjetrin”. Ideja që sulmi ndaj “Vetëvendosjes” ishte i koordinuar dëshmohet edhe nga deklaratat e kryebashkiakut Erion Veliaj i cili po në nëntor do të shprehej se: “Vetëvendosja është e votuar që të qeverisë Kosovën, jo Tiranën”, a thua se po i referohej një formacioni politik të një shteti të huaj, dhe jo një lëvizjeje politike në gjysmën tjetër të kombit, që ekzistencën e saj e ka pazgjithshmërisht të lidhur me çështjen shqiptare.

Përgjatë viteve të fundit Albin Kurti nuk ka qenë indiferent ndaj zhvillimeve në Shqipëri. Ndërsa dikur do ta konsideronte protestën studentore si fillimin e pranverës shqiptare, pasditen e 17 majit ai do të mbante një qëndrim në raport me shembjen e Teatrit Kombëtar duke u shprehur se: “Arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet”, e duke përshëndetur artistët dhe qytetarët e Tiranës për rezistencën.

Nga ai moment kanë kaluar tre ditë, dhe sot do të dalin para Gjykatës  7 personat e arrestuar në protestë, mes të cilëve edhe Boiken Abazi. Për lirimin e këtij të fundit pati edhe një protestë nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje. Lirimi i Boiken Abazit është i pritshëm, por arrestimi i tij mund të shihet edhe si një mesazh i qartë i Edi Ramës për t’i treguar vijat e kuqe “Vetëvendosjes”. Ndërkaq VV nuk duket të jetë zmbrapsur, madje arrestimi i Abazit mund ta ketë faktorizuar në opinionin publik. “Dhuna është instrumenti i fundit i pushtetit lakuriq”, do të shprehej Boiken Abazi në letrën nga burgu, që është një kundërpërgjigje për Edi Ramën se lëvizja nuk ka ardhur për pushime në Tiranë, por sapo ka nisur betejën e saj në Shqipëri.

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet