“Arrest në burg” për Hektor Xheçukën, përgjimet zbuluan vrasjen e Emiljano Boçit

Gjykata e Tiranës ka vlerësuar dje masën e sigurisë “Arrest në burg” për 30-vjeçarin Hektor Xheçuka. Ky i fundit ka mohuar se ka gisht në ngjarje, ndërsa prokuroria ka ngritur akuzë në gjyq vetëm për vrasjen e 32-vjeçarit në janar të këtij viti

Bleona Metushi

Gjykata e Tiranës ka vlerësuar dje masën e sigurisë “Arrest në burg”, për 30-vjeçarin Hektor Xheçuka, i arrestuar katër ditë më parë si i dyshuar për vrasjen e Emiljano Boçit, në muajin janar. Togat e zeza të kryeqytetit, kanë konfirmuar “Arrestin në burg” për të riun, duke e konsideruar si të ligjshëm. Referuar burimeve, prokurori i çështjes Artan Lazaj, e ka nxjerr 30-vjeçarin para gjykatës për ngjarjen në janar, ndërsa bëhet e ditur se ai ka mohuar akuzat e ngritura, duke thënë se nuk ka lidhje me ngjarjen. Nëpërmjet avokatit të tij, ai ka mohuar akuzat edhe për mediat, duke u shprehur se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se nuk është ai vrasësi i Boçit. Por pavarësisht pretendimeve të tij, organi i akuzës në seancën e djeshme mësohet se ka paraqitur prova bindëse që e implikojnë Xheçukën në vrasjen e 32-vjeçarit në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në kryeqytet. Burime pranë grupit hetimor thonë se Hektor Xheçuka u arrestua vetëm për vrasjen e Emiljano Boçit dhe plagosjen e shokut të tij Melvi Disha, ndërsa prej 10 muajsh, prokuroria e kryeqytetit e ka mbajtur nën vëzhgim 30-vjeçarin, i njohur dhe me emrin Tori, ku me anë të përgjimeve telefonike dhe ambientale si dhe me anë të metodave speciale, ranë në gjurmët e të riut dhe dolën në përfundimin se, ai është personi që ekzekutoi Boçin. Prokuroria tregohet e rezervuar dhe nuk jepen detaje të tjera, nëse Xheçuka e ka ekzekutuar Boçin për llogari të tij, apo është i paguar nga persona të tjerë për të kryer këtë vrasje. Por, burime thonë se Xheçuku dyshohet se është vrasës me pagesë.

Hetimet

Ndërkohë, referuar burimeve, autorësia e 30-vjeçarit për vrasjen në janar është provuar me prova shkencore, ndërsa shtojnë se hetimet janë duke vazhduar edhe për dy persona të tjerë, që dyshohet se kanë bashkëpunuar me të riun në vrasjen e Boçit. Por Xheçuka, nuk është i panjohur për autoritet në vend, pasi edhe më parë ka qenë i dyshuar për një vrasje të mbetur në tentativë, por që nuk është vërtetuar asnjëherë. Ndërkohë, burime thonë se mund të jetë përgjegjës edhe për ngjarje të tjera, por për momentin është akuzuar për rastin në fjalë. Burime thonë se, ka rezultuar se ka komunikime me disa grupe kriminale në vend dhe hetimet janë duke u kryer për të parë, nëse ka elemente të veprës penale dhe për këtë policia thotë se nuk mund të japë më shumë informacion. “Për arsye hetimi në funksion të zbardhjes së plotë të kësaj ngjarje, nuk bëhen me dije detaje të tjera”, njoftoi zyrtarisht policia në fillim të javës.

Arrestimi

30-vjeçari u arrestua në pikën kufitare të Kakavijës, duke u futur në Shqipëri, ndërsa i janë sekuestruar dy telefona që kishte me vete. “Kapet dhe vihet në pranga Tori (Hektor) Xheçuka, 30 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe të “ Prodhimit dhe mbajtjes së armëve luftarake”. 30-vjeçari është autor i dyshuar i ngjarjes së ndodhur në datën 14 janar 2018 në rrugën “Shefqet Musaraj”, ku mbeti i vrarë shtetasi Emiljano Boçi, si dhe autor i dyshuar i “Vrasjes së mbetur në Tentativë” të shtetasit M.D..”, njoftoi policia. Ndërkohë, sipas burimeve nga uniformat blu, atij nuk i është gjetur asnjë send tjetër i jashtëligjshëm. Dyshohet se gjatë kësaj kohe është larguar disa herë ilegalisht në Kosovë dhe Greqi. Xheçuka nuk qëndronte gjithmonë në të njëjtin vend, ndërsa ka jetuar për pak kohë në një banesë në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë. Gjithashtu, dyshohet se ai shpesh kalonte kufirin në mënyrë ilegale, duke mos u regjistruar në sistemin TIMS.

Atentati

Të dielën e 14 Janarit, Emiljano Boçi, me të dashurën e tij dhe mikun që ishte kthyer nga Gjermania, Melvi Disha, kanë qenë duke ngrënë drekë në një restorant që ndodhet në rrugën “Shefqet Musaraj”, në një rrugicë në krah të Policisë Bashkiake në Tiranë. Ata kanë qëndruar për disa orë aty dhe kanë dalë rreth orës 19:50 nga lokali, duke hipur në makinën “Range Rover” të Boçit, që ishte e parkuar pranë restorantit që të rinjtë darkuan. Në vendin e shoferit ka qenë i ulur 32-vjeçari Emiljano Boçi, i cili njihet edhe me emrin Roland apo Landi, në krah të tij ka qenë e ulur e dashura e tij, ndërsa në sediljen pas tij ishte ulur 26-vjeçari, Melvi Disha. Makina nuk ishte ndezur ende, kur një person ende i paidentifikuar, ka qëlluar 5 herë nga mbrapa saj, në drejtim të shoferit. Sipas Policisë, në këto rrethana në atë kohë u sqarua se objektiv i atentatit, ka qenë Emiljano Boçi. Por duke qenë se shoku i tij ishte në të njëjtin drejtim me të, në sediljen e pasme, ka mbetur i plagosur edhe ai.

Vrasja e Edison Harizajt, hetimi është përqendruar te hakmarrja

Hetimet për vrasjen mafioze, të ndodhur në qytetin e Durrësit, ku mbeti i vrarë Edison Harizaj dhe shoku i tij Genci Caci, janë përqendruar tek hakmarrja, ndërsa dyshohet se porosia është dhënë nga Belgjika. Kjo pasi 39-vjeçari Edison Harizaj, ka një të shkuar kriminale dhe emri i tij është mjaft i njohur jo vetëm nga autoritetit e qytetit të tij, por dhe ato qendrore. Harizaj, ka qenë nën hetim për zhdukjen e Albano Xhaferrit verën e këtij viti, Xhaferri nuk kishte shumë që ishte kthyer nga Belgjika. Kështu, hetimet e grupit hetimor janë përqendruar nga vrasja për hakmarrje, në lidhje me ngjarjet e rënda të viteve të fundit në Vlorë, tek ekzekutimi si pasojë përplasjes mes bandave. Burime nga grupi hetimor në lidhje me vrasjen e të “fortit” të Vlorës bëjnë me dije se pista kryesore që po hetohet është se dyshohet se hakmarrja për shkak të veprimtarisë kriminale dhe konflikteve në të kaluarën. Burime thonë se janë rihapur dosjet e vjetra për një seri ngjarjesh që fillojnë prej vitit 1999, në të cilat 39-vjeçari rezulton i përfshirë brenda apo jashtë Shqipërisë. Hasmëria e parë që familja e Edison Harizit ka pasur në Vlorë daton në vitin 1999 ku një prej tre vëllezërve familjes Veseli, i vrau njërin dajë dhe i plagosi dajën tjetër, pas një konflikti të nisur për një gërvishtje makine. Kjo ngjarje pasoi me një seri ekzekutimesh nga të dyja familjet, ndërsa nga tre vëllezërit Veseli, aktualisht jeton vetëm njëri, i cili aktualisht ndodhet jashtë Shqipërisë. Këto konflikte janë pista kryesore që grupi hetimor po heton për vrasjen e 39-vjeçarit. Viktima e atentatit, Edison Harizaj është përmendur publikisht edhe në lidhje me një sërë krimesh të rënda në Vlorë. Kujtojmë se në një dëshmi në prokurorinë e Fierit, Harizaj përmendet nga një dëshmitar dhe si personi që kishte urdhëruar rrëmbimin në verë të Albano Xhaferrit. Sipas dëshmisë, Harizaj ishte urdhërues për zhdukjen Albano Xhaferrit në qershor të këtij viti, vetëm një muaj pasi ishte kthyer nga Belgjika. Në vendimin e gjykatës, përmenden emrat e tre personave të cilët, sipas dëshmitarit, kishin dërguar viktimën në ambientet e një kompleksi në pronësi të Harizajt. Ndërsa rrëmbimi ishte bërë pasi Xhaferri, dyshohej si një prej personave të përfshirë në atentatin e ndodhur më 1 Tetor 2017 ku mbeti i plagosur Ferdinad Llanaj. Gjithashtu dyshohet se Xhaferri mbante në vëzhgim lëvizjet e Harizajt, duke ja transmetuar ato personave të tjerë që 39-vjeçari ishte në konflikt. Viktima Edison Harizaj njihej si një nga të fortët e Vlorës, dhe kishte tre pseudonime. I pari daton që nga vegjëlia “Edison Faqedjeguri”, për shkak të një njolle në faqe, si pasojë e një djegie në fëmijëri. I dyti është “Il Padrino” ose padrinoja, për shkak të ndikimit që kishte në botën e krimit në Vlorë. Ndërsa i treti është “Edisoni i shtatë pallateve”, për shkak se rrinte në zonën e njohur si “Shtatë pallatet” në Vlorë. Ai njihet edhe si anëtar i grupit të Emiljano Shullazit, i dënuar me dhjetë vite burg për vrasje, dënim të cilin e kishte vuajtur në burgun e Fushë Krujës, prej nga dyshohet se përfitoi lirinë në vitin 2010 duke paguar para.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet