Arratisja nga burgu grek, bashkëpunëtorë të shqiptarit edhe mafiozë grek

Publikuar më 08. 02. 2018 nga Xhentila Gjoshi

Disa ditë pas zbulimit të skenarit të arratisjes nga burgu të shtetasit shqiptar, të tjera detaje janë bërë publike nga autoritetet greke.
Ato kanë dhënë detaje të reja mbi planin e arratisjes nga burgu i Koridalosit, që kishte hartuar i burgosuri shqiptar Fabio Dushku. Policia ka deklaruar se plani do të vihej në zbatim të dielën, më 4 shkurt, ditën e manifestimit të protestës kundër emrit të Maqedonisë, ku do të përqendrohej gjithë vëmendja e forcave të rendit.
Por policia greke kreu një operacion të befasishëm në qelinë e shqiptarit Fabio Dushku që po kryen një dënim të gjatë në burgun e Koridhalosë, njoftojnë mediat greke.
Sipas policisë, plani parashikonte arratisjen e disa prej krerëve të mafias greke, por edhe pjesëtarëve të grupit guerril “Komploti i celulave të zjarrit”, që vuajnë dënime për akte terroriste. Kontrolli erdhi pas dyshimeve se ai kishte fshehur brenda qelisë, pajisje dhe armë që mund t’i përdorte për t’u arratisur nga burgu.
Përfundimisht, Policia greke zbuloi dy laptopë brenda në qeli, të cilët ishin të lidhur me internet. Po ashtu, gjeti thika të sajuara, telefona celularë, grepa dhe sende të tjera. Fabio Dusko dyshohet se po përgatiste arratisjen dhe e kishte deklaruar hapur me krenari miqësinë e tij për grupin grek “Bërthamat e zjarrit”.
Një polic që foli për mediat greke tha se ishte hera e parë që kapej një laptop në burgjet greke. Ndërkohë, policia shpjegon edhe planin e arratisjes së shqiptarit bashkë me të tjerët. Të burgosurit do të merrnin peng gardianët dhe do t’i kërcënonin derisa t’u hapeshin dyert e hekurta dhe rruga drejt lirisë. I njëjti plan ishte tentuar dhe në vitin 2015, vetëm se atëherë parashikohej hedhja në erë e murit rrethues të burgut.