Armand Duka fiton mandatin e 5-të, me 38 vota

Nga Klevis Deda

Votimi i Asamblesë Zgjedhore të FSHF-së rezultoi fitues me 38 vota presidentin në detyrë, ndërsa Bashkim Fino grumbulloi 24. Pas rizgjedhjes, Duka premton një epokë të re, ndërsa rivali i tij tha se do të ankohej në KAS. Çfarë ndodhi brenda sallës ku kishte shumë tension dhe siguri

Armand Duka u zgjodh për herë të pestë radhazi president i Federatës Shqiptare të Futbollit. Asambleja Zgjedhore e FSHF-së startoi dje në orën 09:00 në “Hotel Adriatik”, në qytetin bregdetar të Durrësit e shoqëruar me forca të shumta policie ku përveç ambienteve të jashtme, në sallën ku zhvillohej procesi ndodheshin 7 punonjës të sigurisë. Pak minuta para nisjes së Asamblesë, Armand Duka është ulur në kafen e resortit. Ai u takua me presidentin e Kukësit, Safet Gjicin dhe administratorin e Flamurtarit, Sinan Idrizin. Më pas në ambientin e hotelit u paraqitën vëzhguesit e UEFA-s, dhe FIFA-s, për të monitoruar nga afër këtë proces shumë të rëndësishëm për futbollin shqiptar. Kandidati tjetër, Bashkim Fino pati një bashkëbisedim  me përfaqësuesit e klubeve.

Ndryshe nga herët e tjera, në këto zgjedhje ra në sy mungesa e presidentit të Federatës së Kosovës, Fadil Vokrri dhe trajneri i Kombëtares Shqiptare, Kristian Panuçi. Nuk munguan dy legjendat e kombëtares, Alban Bushi dhe Erjon Bogdani. Bashkim Fino u shpreh i pakënaqur nga protokolli pasi thekson se të tre kandidatët duhet të vendoseshin në mënyrë të barabartë dhe në shenjë pakënaqësie ai u ul në fundin e sallës së bashku me trajnerin e Partizanit, Sulejman Starova. Në sallë u tensionua gjendja pasi kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe ka kërkuar llogari për çështjen e shoqatave. Sipas tij rezultojnë vetëm dy shoqata të regjistruara ndërsa 10 të tjera nuk janë regjistruar në gjykatë.

I menjëhershëm ishte dhe përgjigja e juristit të federatës, Aldi Topçiu i cili theksoi se komisioni është i vetmi autoritet i autorizuar nga kjo Asamble për të bërë verifikime dhe vlerësime. Presidenti i federatës, Armand Duka mbajti fjalimin përpara të pranishmëve duke i kërkuar anëtarëve me të drejtë vote, që t’i besonin edhe këtë mandat për të mirën e futbollit. Gjatë fjalimit të fundit të presidentit Duka, ra në sy dalja nga salla e presidentit të Partizanit, Gaz Demi, Bashkim Finos, Sulejman Starovës dhe disa personalitete të tjera. Më pas u votua buxheti për vitin aktual 2018 dhe ka vetëm një votë kundër. Kompania që u zgjodh për menaxhimin e financave të federatës është “Deloitte Albania”. Pas disa minutave pushim, u caktua komisioni i verifikimit të zgjedhjeve dhe numërimit të votave për kreun e FSHF-së, dhe anëtarët e komitetit ekzekutiv.

Ky komision u përbë nga 3 anëtarë: Kastriot Guraj, Julian Çota dhe Iljaz Haxhiraj. Erdhi radha e Bashkim Finos për të mbajtur fjalimin para votimit dhe në momentin që ai po shkonte për t’u ulur në karrige, Duka i tha: Eja, ulu këtu! Fino ia ktheu: Jo mor jo, kam hall tjetër! Në këtë Asamble votuan 65 delegatë të regjistruar nga 66 që ishte numri total për shkak se klubi “Bilisht Sport” nuk mori pjesë në votim. Shkak u bë mospajisja me dokumentacion në kohën e duhur. Procesi i votimit filloi me Ardjan Takaj, presidentin e skuadrës së Skënderbeut. Kujtojmë që votimi u krye në bazë të renditjes së skuadrave në kampionat. Pas mbylljes së procesit të votimit, nisi numërimi i votave. Rezultatet folën për 39 vota në favor të Dukës, 22 vota në favor të Finos dhe 4 vota ishin të pavlefshme. Kandidati Shpëtim Hala nuk mori asnjë votë. Asnjëri nga kandidatët nuk arriti të sigurojë 2/3 e votave dhe zgjedhjet u kaluan në raundin e dytë.

Në raundin e dytë, kandidatët Armand Duka dhe Bashkim Fino duhet të mblidhnin gjysmat e votave për tu shpallur fitues, që i bie 33 vota duke marrë parasysh që votuan 65 anëtarë. Pas numërimit, Armand Duka rezultoi fitues me 38 vota ndërsa Bashkim Fino grumbulloi 24 të tilla ndërkohë që tre vota u shpallën të pavlefshme. Armand Duka u rikonfirmua në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ky do të jetë mandati i tij i pestë si president i institucionit më të lartë futbollistik në vend. Pas zgjedhjes së presidentit, delegatët votuan për 9 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Në raundin e parë nuk u zgjodhën dot të gjithë, por u zgjodhën vetëm 5 prej tyre. Pesë anëtarët e zgjedhur për Komitetin Ekzekutiv janë: Arben Dervishaj, Lufti Nuri, Vasil Bici, Bardhyl Jera dhe Abdyl Kuriu.

Në raundin e dytë u zgjodhën edhe katër anëtarët e mbetur për Komitetin Ekzekutiv. Edvin Libohova, Enkeleid Alibeaj, Edmond Spahiu dhe Bardhyl Minxhozi. Pas përfundimit të Asamblesë së Përgjithshme, zv.presidenti i UEFA-s, Dimitris Sukis tha se se institucioni më i lartë i futbollit evropian ka njohur zgjedhjet e FSHF-së. “Të nderuar Miq! Jam shumë i lumtur që marr pjesë sot në këtë Asamble, e cila na tregoi se familja e futbollit në Shqipëri, vepron në bazë të tolerancës dhe demokracisë. Do të doja të përgëzoja zotin Duka, për fitoren e një tjetër mandati dhe për të drejtën për të udhëhequr futbollin edhe për vitet e tjera. Sot u vërtetua se ka solidaritet, ka tolerancë, transparencë dhe demokraci. Bashkohuni të gjithë rreth futbollit dhe të kujdesemi të gjithë bashkë për të”, tha Sukis.

9 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv

  1. Arben Dervishaj (Inxhinier) 42 vota
    2. Abdyl Kuriu (Pedagog) 40 vota
    3. Bardhyl Jera (Biznesmen) 37 vota
    4. Lutfi Nuri (Biznesmen) 34 vota
    5. Vasil Bici (Ish futbollist) 32 vota
    6. Enkelejd Alibeaj (Politikan) 29 vota
    7. Edvin Libohova (Bankier) 26 vota
    8. Bardhyl Minxhozi (Administrator Sigurimesh) 21 vota
    9. Edmond Spahiu (Administrator kompanie) 18 vota

Politikanet që votuan

Voltana Ademi

Luljeta Dollani

Florjana Koka

Miranda Rira

Fino: Garë e pandershme, do ta çoj çështjen në KAS

Kandidati për president i Federatës Shqiptare të Futbollit, Bashkim Fino ka theksuar pas zgjedhjeve se e priste që të humbiste. Ai shprehet se ky proces zgjedhor ishte i pandershëm për shkak të listës së delegatëve. Fino u zotua se do ta ndjekë këtë çështje deri në KAS, “Këshilli Arbitrazhit Sportiv”, e njohur ndryshe si gjykatë arbitrazhi i cili ndodhet në Lozanë të Zvicrës.  “Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar për mbështetjen që më keni dhënë. Nga sot fillon një gjë akoma më e vështirë për mua. Kjo Asamble u krye brenda të gjitha standardeve. Nuk dua të veçoj asnjë votues, për mua janë të gjithë të barabarta. Kam shumë besim që do të bëjmë më të mirën në të ardhëm. Do doja të falënderoja të gjithë të ftuarit. Përkushtimi im do të jetë akoma më i madh. Uroj një vit të mbarë.

Nuk jam i zhgënjyer. Unë e prisja diçka të tillë. Procesi qe i parregullt në listat e delegatëve. Po të shikoni diferencën janë ato që i kemi thënë gjatë gjithë këtij mua. Ne do të vazhdojmë procesin tonë gjyqësor. Vendosja e disa ekipeve që nuk janë pjesë e futbollit, dhe vendosa e delegatëve. Kam përshtypje që diferenca e pasqyroi këtë gjë. Po të mos ishin 12 shoqatat dhe këto 5-6 klube që janë vendosur në mënyrë ilegale do të ishte garë më e ndershme. Ju e patë që komisioni i verifikimit lexoi një raport që e kishte bërë gati FSHF. Do ishte më e ndershme të kishte juristë të pavarur. Ne do e çojmë në fund çështjen, për të mirën e futbollit.

Ne do të respektojmë, gjykatat shqiptare, më pas do të shkojmë jo vetëm në KAS por edhe në FIFA. Në momentin që ne kundërshtuam 12 shoqatat, unë kam të drejtë të vazhdoj procesin ligjor. Unë i urova sukses Dukës. Unë i kam thënë dhe i kam dërguar UEFA-s gjithë dokumentacionin e shoqatave. Futbolli nuk fiton apo humbet me një njeri në krye. Varet si e kanë lexuar anëtaret e Asamblesë platformën. Koha ishte shumë e shkurtër për ta shpalosur tamam. Ata do vijnë në mendimet e mija. Gjysma e presidentëve në Europë, janë deputetë apo politikanë. Për mua qe një garë sportivë. Anëtaret e interesuar për futbollin të jenë pjesë e Komisionit. Ata janë aktorët kryesor. Nuk mund të jenë një grup njerëzish që mund të marrin vota. Iu uroj anëtareve të komitetit ekzekutiv, të mësojnë kompetencat që kanë. Unë e respektova gjithë procesin dhe do të qëndrojë në sallë”, tha Fino.

Duka: Epoka e re sapo ka filluar

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka falënderuar të gjithë për besimin që i dhanë dhe thekson se ndihet shumë i lumtur për besimin që i dhanë për të drejtuar FSHF-në, edhe për një mandat tjetër. Ai vuri në dukje zhvillimin normal të Asamblesë duke u shprehur se jemi një organizatë me standarde të larta. Armand Duka tha se do të mundohet që të ribashkoj edhe votat që mori kundër në Asamble. “Jam i lumtur dhe emocionuar, jo për faktin se do jem presidenti, por për besueshmërinë dhe ndjej obligimin e madh se nga sot fillon një gjë akoma më e vështirë për mua. Asambleja u zhvillua brenda standardeve, dëshmon se ne jemi një organizatë me standarde të lartë brenda shoqërisë, ju garantoj të gjithëve se ato që janë diskutuar në këto muaj para zgjedhor do të jenë pjesë e diskutimit, do i korrigjojmë dhe do bëjmë më të mirën.

Falënderoj shumë kandidatët, të ftuarit. Ju premtoj se përkushtimi im do të jetë akoma më i madh, më ka dhënë shumë mësime kjo asamble. Familja jonë është një standard tjetër. Zoti Fino e tha në fjalimin e tij, ku citoj Pelenë, se për të arritur një rezultat, duhet shumë punë dhe ne të gjitha i kemi arritur me punë. Emocionet e Europianit nuk mund t’i krahasoj aspak me këto të zgjedhjeve. Ato të Europianit ishin tejet të veçantë. Organizimi i Asamblesë ishte në një nivel shumë të lartë, dhe kjo u pa qartë. Unë jam president i sapo zgjedhur dhe mendoj për të realizuar jo vetëm ato që kam premtuar, por do mendoj si të ribashkoj të gjitha ato votat kundra që kisha në familjen e madhe”, tha Armand Duka pas përfundimit të Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore .

Para votimit

Armand Duka u shpalosi para votimit sukseset e FSHF-së , dhe synimet për mandatin e ardhshëm. Ai nuk mbeti pa “ngacmuar” pak kandidatin tjetër, Bashkim Fino duke e akuzuar se nuk hoqi dorë nga mandati i deputetit. “Futbolli shqiptar i këtyre viteve ka qenë ndër të paktat arritje, që i ka bërë shqiptarët kudo ndodhen të thonë shprehjen  “O sa mirë me qenë shqiptarë”. Sot mund të them me bindje se FSHF është një institucion model në vendin tonë. Nëpërmjet projekteve synojmë dyfishimin e lojtarëve të regjistruar. Infrastruktura është përmirësuar ndjeshëm. Jemi duke u përfaqësuar në nivele të larta, jo vetëm në nivelin e kombëtares, por edhe të klubeve. Kemi gara me një kualitet superiore. Po përfaqësohemi denjësisht edhe në futbollin e femrave. Një arritje tjetër, është pranimi i Kosovës në FIFA dhe UEFA, ku padyshim edhe FSHF ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë proces.

Ëndrra e çdo shqiptari u plotësua në vitin 2016 me pjesëmarrjen në Europianin e Francës. Në tërë këto vite sfida më kanë dhënë një leksion që më është ktheu në normë pune. Me dhjetëfishin e energjisë kam sakrifikuar shumë gjëra që ta bëj Shqipërinë të jetë e barabartë mes më të mëdhenjve dhe për këtë nuk ka mjaftuar një vit, dy apo katër. Më duket gabim nëse ky investim, të mos na lejojë të shkojmë më lartë, por të jetë dikush tjetër që duhet ta fillojë kështjellën nga e para. Kërkoj votën tuaj me besim të plotë më shumë se kurrë. Tashmë e kemi ngritur stekën e suksesit mjaft lartë. Sot jo vetëm unë, por edhe ju që votoni keni një përgjegjësi të madhe. Kundërshtari është një deputet që nuk pranoi të garonte vetëm me dëshirën e futbollit, por mbajti edhe atë të deputetit. Sot ju keni në dorë të jepni mesazhin që futbolli duhet të jetë i pavarur”, tha Armand Duka.

Të tjera

Abissnet