Aritmia e zemrës, shkaqet dhe pasojat

Nga Blertina Koka

Shpjegimet e mjekut Evin Dani për problemet me ritmin e zemrës. Si ta kuptojmë se vuajmë, shenjat dhe simptoma të bezdisshme, ndonjëherë edhe jetëkërcënuese. Trajtimet që mbajnë nën kontroll rrahjet e zemrës dhe mënyra e shëndetshme e jetesës që duhet adoptuar.

Problemet me ritmin e zemrës (aritmia e zemrës) ndodhin kur impulset elektrike që koordinojnë rrahjet e zemrës nuk funksionojnë siç duhet, duke shkaktuar kështu rrahje më të shpejta, më të ngadalta apo të çrregullta të zemrës. Disa nga aritmitë e zemrës mund të shkaktojnë shenja dhe simptoma të bezdisshme, ndonjëherë edhe jetëkërcënuese. Trajtimet për aritminë e zemrës mund të mbajnë nën kontroll rrahjet e shpejta, të ngadalta ose të çrregullta të zemrës. Gjithashtu mund të ulni rrezikun e aritmisë duke adoptuar një mënyrë jetese të shëndetshme.

Simptomat

Aritmia mund të mos shkaktojë asnjë shenjë apo simptomë. Prandaj mund të zbuloni se keni aritmi edhe gjatë një ekzaminimi rutinë tek mjeku. Gjithsesi, shenjat dhe simptomat e dukshme nuk do të thonë medoemos se keni një problem serioz. Simptomat e dukshme të aritmisë janë mungesë rehatie në gjoks, rrahje shumë të shpejta të zemrës (takikardi), rrahje të ngadalta të zemrës (bradikardi), dhimbje të kraharorit, marrje fryme, marrje mendsh, djersitje, plogështi ose gjendje të fikëti.

Kur duhet të paraqiteni tek mjeku

Aritmitë mund të shkaktojnë rrahje premature ose të shpeshta, ose mund të ndieni sikur zemra po rreh më shpejtë ose më ngadalë. Shenjat dhe simptomat e tjera lidhen me zemrën që nuk pompon siç duhet për shkak të rrahjeve shumë të shpejta ose të ngadalta. Këtu përfshihen problemet me frymëmarrjen, marramendja, plogështia, zbehje të fytyrës dhe gjendje të fikëti, si dhe dhimbje në të gjithë pjesën e kraharorit. Kërkoni kujdes mjekësor të menjëhershëm nëse i përjetoni këto shenja dhe simptoma krejt rastësisht ose shpesh, në një kohë që nuk e prisnit.

Fibrilacioni ventrikular është një nga llojet më vdekjeprurëse të aritmisë. Ndodh kur zemra rreh me impulse elektrike të shpejta dhe të çrregullta. Personit mund t’i bjerë të fikët brenda pak sekondash dhe mund të mos ketë puls. Në këtë rast duhet njoftuar menjëherë urgjenca mjekësore.

Kur ndodh aritmia?

Zemra është e ndarë në 4 dhoma-dy dhomat e sipërme (atriumi) dhe dy dhomat e poshtme (barkushet). Ritmi i zemrës normalisht kontrollohet nga një stimulues kardiak normal (nyja sinoatriale) i vendosur në atriumin e djathtë. Nyja sinoatriale prodhon impulse elektrike që nisin normalisht çdo rrahje zemre.

Nga nyjet sinoatriale, impulset elektrike kalojnë nëpër atrium, ku shkaktojnë tkurrje të muskujve të atriumit dhe rrjedhje të gjakut në barkushe.

Impulset elektrike më pas arrijnë në grupin e qelizave të quajtura nyje atrioventikulare – zakonisht është rruga e vetme që sinjalet të kalojnë nga atriumi në barkushe.

Nyjet atrioventikulare ngadalësojnë sinjalet elektrike para se të arrijnë në barkushe. Kjo vonesë lejon barkushet të mbushen me gjak. Kur arrijnë impulset elektrike tek muskujt e barkushes, tkurren, për t’u tejçuar gjaku më pas në mushkri dhe pjesë të tjera të trupit.

Një zemër e shëndetshme ka zakonisht 60-100 rrahje në minutë.

Ndërsa aritmia ndodh kur impulsi nuk lind në mënyrë korrekte tek nyja sinoatriale, por lind në një vatër tjetër, jashtë vatrës normale. Atëherë kemi formimin e aritmive atriale, pra që e marrin zanafillën tek atriumi.

Zemra, përveç muskulit të zemrës, përbëhet nga disa fije shumë të specializuara të cilat prodhojnë impulsin elektrik dhe e tejçojnë atë. Impulsi i gjeneruar nga nyja sinoatriale (një grup qelizash nervore që janë përgjegjëse për prodhimin e potencialit elektrik në zemër) përhapet në të dy atriumet si valë depolarizimi (vala P). Stimuli përçohet pastaj tek nyja atrio-ventrikulare ku ndalet për 1/10 e sekondës (intervali P-Q). Më pas impulsi kalon në dy degëzimet e tufës së Hisit, të majtën dhe të djathtën duke shkaktuar depolarizimin e barkusheve.

Llojet e aritmisë

Mjekët e klasifikojnë aritminë jo vetëm nga ku e ka origjinën (atriumi ose barkushet), por edhe nga shpejtësia e rrahjeve të zemrës që ata shkaktojnë:

Takikardia – i referohet rrahjeve të shpejta të zemrës (më të shpeshta se 100 rrahje në minutë)

Bradikardia – i referohet rrahjeve të ngadalta të zemrës (më pak se 60 rrahje në minutë).

Jo të gjitha takikarditë ose bradikarditë do të thonë se vuani nga ndonjë sëmundje me zemrën. Për shembull, gjatë aktivitetit fizik është normale të kesh rrahje më të shpejta zemre duke qenë se zemra punon më shumë për t’u siguruar indeve gjak me oksigjen. Ndërsa kur flini, nuk është e pazakontë që rrahjet e zemrës të jenë të ngadalta.

Takikardia  në atrium

Takikardia me origjinë atriumin përfshin:

Fibrilacioni atrial, është një shkallë e lartë fibrilacioni e shkaktuar nga impluset elektrike kaotike në atrium. Pasojat e këtyre sinjaleve janë pasoja në shpejtësi, në mungesë koordinimi, kontraksione të dobëta të atriumit.

  • Sinjalet elektrike kaotike bombardojnë nyjet Av, zakonisht rezultojnë të parregullta, aritmi të shpejtë të barkushes. Fibrilacioni atrial mund të jetë i përkohshëm, por disa episode apo raste nuk përfundojnë pa u trajtuar.
  • Fibrilacioni atrial mund të shkaktojë disa komplikacione, si goditja në tru.

Vibrim atrial, është ngjashëm me fibrilacionin atrial.  Rrahjet e zemrës në këtë rast janë shumë të organizuara dhe shumë më ritmike se fibrilacioni atrial. Edhe vibrimi artial mund të shkaktojë goditje në tru.

Takikardia supraventrikulare, është një term që përfshin shumë forma të aritmisë me origjinë sipër ventrikulës (barkushes).

Aritmitë ventrikulare (fillojnë në ventrikul, mund të jenë shumë të rrezikshme dhe kërkojnë kujdes të menjëhershëm mjekësor. Përfshihen takikardia ventrikulare dhe fibrilacioni ventrikular).

Rrahjet premature (forma më e shpeshtë e aritmive, janë të padëmshme, zakonisht pa simptoma).

Faktorët e rrezikut

Faktorë të caktuar mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të aritmisë. Këtu përfshihen: Sëmundja e arteries koronare, probleme të tjera me zemrën dhe një ndërhyrje e mëparshme kirurgjikale në këtë organ. Ngushtimi i arterieve të zemrës, ataku në zemër, çrregullime të valvulave të zemrës, një ndërhyrje e mëparshme në zemër, kardiomiopatia dhe dëmtime të tjera të zemrës janë faktorë për thuajse çdo lloj aritmie. Tensioni i lartë i gjakut, rrit rrezikun për zhvillimin e sëmundjes së arteries koronare. Ai mund të shkaktojë ngurtësim dhe trashje të mureve të barkushes së majtë, duke ndryshuar kështu rrugën nëpër të cilën kalojnë impulset elektrike.

Sëmundja kongjenitale të zemrës – Lindja me një çrregullim të zemrës mund të ndikojë tek ritmi i saj.

Problemet me tiroidet. Hipertiroidizmi dhe hipotiroidizmi gjithashtu mund të rrisin rrezikun e aritmisë.

Ilaçe dhe suplemente. Disa ilaçe të caktuara që përdoren për kollën ose ftohjen, të marra pa rekomandimin e mjekut, mund të shkaktojnë zhvillim të aritmisë.

Diabeti. Rreziku për zhvillimin e sëmundjes së arteries koronare dhe tensionit të lartë të gjakut rritet më shumë nëse nuk e mbani diabetin nën kontroll.

Apnea obstruktive e gjumit. Ky çrregullim, ku njerëzit përjetojnë bllokim të frymëmarrjes ndërsa flenë, mund të rrisë rrezikun e bradikardisë, fibrilacionit atrial dhe llojeve të tjera të aritmisë.

Mosbalancim të elektroliteve. Substancat në gjak të quajtura elektrolite, si kaliumi, sodiumi, kalciumi dhe magnezi, ndihmojnë në tejçimin e impulseve elektrike në zemër. Nivelet shumë të larta ose të ulëta të elektroliteve mund të ndikojnë tek impulset elektrike të zemrës dhe çojnë në zhvillimin e aritmisë.

Abuzimi me alkoolin- Konsumimi i shumtë i alkoolit mund të ndikojë tek impulset elektrike në zemër dhe rrisë predispozitat e zhvillimit të fibrilacionit atrial.

Përdorimi i kafeinës ose nikotinës. Kafeina, nikotina dhe stimulantë të tjerë gjithashtu mund të shkaktojnë rrahje shumë të shpejta të zemrës dhe zhvillimin e aritmive. Llojet e jashtëligjshme të drogës, si kokaina, mund të kenë pasoja të rënda në zemër dhe çojnë në vdekje të papritur për shkak të fibrilacionit ventrikular.

Analiza

Aritmi të caktuara mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të gjendjeve të tilla si goditja në tru apo problemet me zemrën. Për të diagnostikuar aritminë, mjeku duhet të njihet fillimisht me simptomat dhe historinë mjekësore, dhe më pas kryen një vizitë mjekësore. Ai mund t’ju pyesë ose kontrollojë për gjendje shëndetësore që nxitin aritminë, si sëmundjet e zemrës ose një problem me gjëndrën tiroide. Pasi bën vizitën mjeku e rekomandon pacientin të bëjë analiza si:

Elektrokardiogram (EKG ose filmi i zemrës). Është test jo invaziv, shumë i thjeshtë, një ekzaminim që përcakton aktivitetin elektrik të zemrës. Është një ndër ekzaminimet e para që kërkohet për të gjykuar mbi patologji të ndryshme kardiake. Me anë të këtij ekzaminimi të thjeshtë matet koha dhe kohëzgjatja e çdo faze elektrike në rrahjet e zemrës.

Monitorimi dinamik sipas Holter (Holter EKG): Holteri kardiak është një pajisje e vogël, portative, që vendoset në kraharor nëpërmjet disa elektrodave, jo invazive, për të regjistruar në mënyrë të vazhdueshme EKG, dhe jo të përkohshme, zakonisht monitorimi zgjat 24 orë, në raste të rralla mjeku mund të vazhdojë monitorimin edhe për 72 orë. Ky lloj Monitorimi me Holter EKG përdoret për të zbuluar parregullsitë në ritmin e zemrës, aritmitë e ndryshme, takikarditë (rrahjet e shpejta), bradikarditë (rrahjet e ulëta), të cilat nuk janë regjistruar më parë gjatë një elektrokardiograme bazë.

Ekokardiografia (ekokardiograma transtorakale). Një ekzaminim joinvaziv ku përdoren valët e ultrazërit, të cilat nuk paraqesin asnjë rrezik për njeriun. Së bashku me EKG dhe vizitën kardiologjike janë ekzaminimet bazë të një vlerësimi të zemrës.

Trajtimet kirurgjikale

Në disa raste mund të rekomandohen edhe ndërhyrjet kirurgjikale apo bypass-i koronar, i cili mund të përmirësojë rrjedhjen e gjakut në zemër.

Shumë faktorë mund të shkaktojnë ose çojnë në aritmi, përfshirë:

  • Sulm i menjëhershëm në zemër
  • Dëmtime të indeve të zemrës nga një sulm i mëparshëm në zemër
  • Ndryshime në strukturën e zemrës, si nga kardiomiopatia
  • Bllokimi i arterieve në zemër (sëmundja e arterieve koronare)
  • Tensioni i lartë i gjakut
  • Hipertiroidizmi (gjëndër tepër aktive e tiroides)
  • Hipotiroidizmi (gjëndër jo mjaftueshëm aktive e tiroides)
  • Duhanpirja
  • Abuzimi me alkoolin ose kafeinën
  • Abuzimi me drogën
  • Stresi
  • Ilaçe dhe suplemente të caktuara, përfshirë ilaçet kundër ftohjes dhe alergjive, si dhe suplementet me lëndë ushqyese
  • Diabeti
  • Apnea e gjumit
  • Gjenetika

Të tjera

Abissnet