Edhe pse është ende 18 vjeç, shkodrania Arilena Ara tashmë është bërë një këngëtare shumë e njohur për publikuan shqiptar, dhe jo vetëm. Mund të thuhet se ajo është sensacioni më i ri i muzikës moderne shqiptare. E dalë nga një “Talent Shoë”, tani që është në botën e artit si protagoniste, mendon dhe kujdeset për emrin e saj, kujdeset për veshjet, ndërsa ka ndryshuar edhe mënyrën e saj të të menduarit. Dikur ishte një konkurrente që afrohej e ndrojtur në kompeticionet muzikore, ndërsa tani ka kaluar në një stad tjetër. Këtë vit Arilena Ara merr pjesë për herë të parë në festivalin “Kënga Magjike” dhe kënga e saj “Nëntori” është pritur mjaft mirë nga publiku. Madje renditet si një nga këngët më të klikuara pjesëmarrëse. Kjo sipas këngëtares, ka ardhur në sajë të interpretimit që ajo i ka bërë kësaj balade, fabula e së cilës ka ditur të prekë padyshim edhe zemrat e dëgjuesve. Për gazetën “Shekulli” Arilena është shprehur sa modeste, aq edhe e vendosur në rrugën që ka nisur. Artin e të kënduarit e sheh pa aspirata të mëdha, por me sfida, të pandashme që e çojnë drejt një rrugëtimi të suksesshëm!
Arilena duket se ke ardhur fuqishëm me “Nëntori”-n, me pjesëmarrjen tënde në Këngën Magjike të këtij viti, bazuar kjo në klikimet dhe veçanërisht në ndjeshmërinë që i ke përcjellë publikut. Mendon se ke ditur t’i bësh për vete dëgjuesit duke i “prekur” ata në “plagët” e tyre, apo është interpretimi yt i ndjerë ai që ka luajtur rolë në këtë mes?
“Nëntori” filloi me shumë dashuri që në start. Punuam me një energji jashtëzakonisht pozitive dhe frymëzimi ka lindur natyrshëm me të gjithë stafin tim. Në çdo fjalë, në çdo tingull ka kaq shumë ndjenjë. Më ka kënduar shpirti!
Herë është thënë se kënga “Nëntori” i është dedikuar babait tënd të ndjerë dhe herë të tjera se ajo është një historie dashurie tragjike? Cila është e vërteta?
Balada “Nëntori” është një histori dashurie që pasqyron dhimbje dhe lot. Unë mendoj që çdo njeri mund të përfshihet në këtë këngë, cilado qoftë historia e tij. Ka kaq shumë ndjenjë në çdo fjalë dhe në çdo tingull. Sinqerisht përjetoj një emocion të papërshkrueshëm kur e këndoj.
Mbase ky “Nëntor” nuk është më i dëshiruar edhe për një arsye tjetër apo jo?
Fatkeqësisht po…
Si je ndjerë kur more vesh lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të kolegut tënd, Ergi Dini-t?
Sinqerisht, e shokuar, pa fjale, dhimbje pafund. Unë Ergin e njihja që e vogël dhe ngjarja e tij më ka prekur jashtë mase. E kam vlerësuar dhe respektuar talentin e tij të rrallë. Dua që jeta e tij në parajsë të jetë melodi, si muzika…
Kthehemi sërish te Kënga Magjike. Duke qenë se këtë vit, deri më tani, kemi parë të interpretohen shumë balada, a e ndjen veten të konkurruar?
Logjika e një festivali është konkurrimi dhe sa me shume “rritet” sfida aq më interesante bëhet gara.
Cilat janë realisht pritshmëritë e tua të pjesëmarrjes në këtë eveniment muzikor edhe pse është hera e parë që merrni pjesë?
Pres gjithçka, përveç gjërave që nuk janë të merituara. Gjithçka ndodhi pa plan në fakt! Ishte vetëm një demo në të cilën përsëritej fraza “It’s november” dhe e dashurova menjëherë. Magjia e vet nëntorit më çoi në “Këngën Magjike”.
Si i ke marrëdhëniet me kolegët e këngës Magjike? A të kanë mbështetur?
“Nëntori” është mirëpritur shumë mirë nga kolegët e mi që në orët e para të publikimit. Më kanë mbështetur dhe më kanë dhuruar një dashuri pa kushte! Kjo është ajo çfarë më bën të lumtur.
Nëse do të arrish në finale, do të ndryshosh diçka nga performanca jote?
Dua vetëm të këndoj me shpirt dhe të transmetoj emocionin që unë ndjej teksa debutoj “Nëntori”-n. Për detajet dhe çdo pjesë tjetër do kujdeset stafi im.
Keni plan për një videoklip të “Nëntori”-t? Nëse po, si e mendoni realizimin e tij?
Për momentin nuk është vendosur akoma. Mbase një video e thjeshtë, në një ambient të ngrohtë pranë oxhakut me një gotë vere të kuqe ndërsa jashtë mund të jetë duke rënë borë. Kështu mendoj se do të ishte bukur…
Dhe në fund, cila është aspirata jote më e madhe në rrugën që ke zgjedhur?
Në art nuk ka aspirata të mëdha, ka sfida, prandaj të sfidosh në art është pjesë e pandashme e një rrugëtimi të suksesshëm!
Bio
Arilena Ara ka marrë pjesë në shumë festivale për fëmijë në Shkodër. Tirana e lidhi Arilenën me TV Klan ku, si fillim, u prezantua në “Gjeniu i Vogël” dhe më pas ajo vendosi të konkurronte në “X Factor Albania”. Kjo ishte dëshira e babait të saj, i cili u nda nga jeta pak muaj para se Arilena të prezantohej në “X Factor 2”. Arilena fitoi kompeticionin duke i dedikuar fitoren babait të saj. Gjithashtu fitoi edhe një kontratë menaxhimi nga organizatorët e spektaklit “X Factor Albania”. Duke parë moshën e saj (atëherë vetëm 15 vjeç), menaxhimi i saj vendosi që mos të nxitohej me karrierën e Arilenës.
Një vit pas fitores në “X Factor”, Arilena kthehet në skenën e të njëjtit spektakël, në finalen e “X Factor “3 për të promovuar këngën e saj të parë me titullin “Aeroplan”. Shumë njerëz pyesnin se: “Ku përfundoi Arilena pas mbarimit të “X-Factor?”, “Çfarë po bën menaxhimi i ri për të dhe kur do të vi në skene?” dhe “Unë vi si Aeroplan”, ishte përgjigja që Arilena i dha opinionit në një moment delikat të karrierës së saj. Ndërkohë kënga u kthye në një tërmet që dominoi në radiot dhe televizionet muzikore.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply