Arbitrazhi, vendi rrezikon të humbasë 2 mld euro

Publikuar më 03. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

4 procese që po zhvillohen pas padisë së kompanive të huaja kundër Shqipërisë rrezikojnë të falimentojnë shtetin

Shqipëria rrezikon të humbasë 2 miliardë euro nga gjyqet në Arbitrazhin Ndërkombëtar. Një dokument konfidencial që Ministria e Drejtësisë i dërgon kryeministrit Edi Rama zbulon fakte tronditëse mbi rreziqet financiare që po i kanosen vendit nga paditë e kompanive të huaja kundër qeverisë. Dokumenti, i cili mban datën 10 prill të këtij viti, zbulon se aktualisht në Arbitrazhin Ndërkombëtar po zhvillohen katër procese kundër Shqipërisë. “Vlera totale e dëmshpërblimit që kërkohet nga palët, vetëm për këto katër procese shkon mbi 2 miliardë euro” thuhet në shkresën konfidenciale që Ministria e Drejtësisë i dërgon Kryeministrit. Këto padí janë rrjedhojë e prishjes së njëanshme të kontratave nga qeveria shqiptare me kompanitë e huaja, edhe pse disa prej tyre kanë qenë të miratuara nga Parlamenti, çka u jep paditësve pozita shumë të forta në gjyq.

Situata

Edhe pse në shkresë nuk zbulohen emrat e kompanive, që kanë paditur Shqipërinë, burime nga Ministria e Drejtësisë, thonë se një prej çështjeve është ajo e biznesmenit italian Francesco Beçheti, i cili ka paditur qeverinë shqiptare për hidrocentalin e Kalivaçit, por edhe disa çështje të tjera.

Me tone alarmuese Ministria e Drejtësisë kërkon nga Kryeministri që të marrë masa urgjente për të parandaluar një krizë, e cila do të kishte pasoja të rënda për financat e shtetit. ‘Sipas komunikimeve me Avokaten e Përgjithshme të Shtetit ka shumë çështje të tjera në ministritë e linjës, kur kontratat janë zgjidhur në mënyrë të njëanshme nga pala shtetërore,” thuhet në shkresën e Ministrisë së Drejtësisë. Sipas të dhënave konfidenciale nga Avokatura e Shtetit, vetëm vitin e kaluar, Shqipëria u dënua me 70 milionë euro në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. “Një situatë e tillë është shumë shqetësuese dhe me pasoja tepër të rënda, të paparashikuara për financat e shtetit dhe pasurinë publike, e cila kërkon një analizë të thellë për çdo institucion shtetëror,” sugjeron Ministria e Drejtësisë.

Turp!

Eksperti i Ekonomisë, Zef Preçi e quan një turp të madh faktin që dokumenti i dërguar në zyrën e kryeministrit ka lënë të lirë zyrtarë të lartë politikë apo drejtues që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me rrezikun e destablitetit të vendit. Në një status në Facebook në rubrikën e parapëlqyer me titull “Ku shkojnë paratë e shqiptarëve”, Preçi shkruan si më poshtë.  “Pasi njihesh me këtë dokument zyrtar, natyrshëm kujtdo i lind pyetja: Përse nuk është ndëshkuar dhe as po ndëshkohet asnjë zyrtar i lartë politik, që për ca pará korrupsioni apo për paaftësinë e vet, cenon rëndë ligjet e shtetit, dëmton palë të treta vendase dhe të huaja dhe gjobat i paguan shteti. Domethënë, Shqipëria vazhdon të privatizojë përfitimet për politikanët e lartë dhe lobet e biznesit e oligarkinë e lidhur me të, ndërsa shoqërizon humbjet duke rrezikuar seriozisht stabilitetin e vendit dhe duke varfëruar qytetaret e saj. Kjo quhet keqqeverisje… Ndërsa shkruaja këto radhë, në TV jepej puntata e radhës e Portokallisë, që formalisht e quajnë edhe Kuvendi i Shqipërisë… Të thuash turp është pak…”, komenton Preçi.

N.Gj