Arben Bajo/ Skandaloze! Në Tiranë, vetëm tre galeri për artistët (FOTO)

Publikuar më 24. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Artisti Arben Bajo prezanton ekspozitën personale në galerinë e Fakulteteve të Arteve Pamore. Personazhet e atelierit të tekstilit i kthen në skulptura nudo sensuale e romantike. Nudoja e madhe, mbi karrige është manifest i botëkuptimit të Bajos mbi moralin, botën dhe trupin e zhveshur. Artisti e quan skandaloze faktin që në Tiranë ka vetëm tre galeri ku artistët mund të ekspozojnë veprat e tyre

Sapo hyn në sallën qendrore në galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore ulur në një karrige qëndron Nudoja e madhe e skulptorit Arben Bajos. Një nudo, kjo që i ka marrë pothuaj tre muaj kohë për t’u realizuar. Vet artisti Arben Bajo në një intervistë për gazetën “Shekulli” na rrëfen se këto vepra përbëjnë sintezën e kërkimit të tij mbi natyrën njerëzore, marrëdhënien e tij me trupin dhe me tjetrin. “Pikërisht trupi kthehet në testamentin e tij estetik, me dimensionet imponente përmbi natyralen, linjën sensuale, e psikologjinë e zhveshur nga droja. Si manifest i botëkuptimit të tij mbi moralin, sa dhe mbi botën, trupi i zhveshur, përhumbur në dimensionin e vet mbi karrige, e përkufizon atë çka artisti në disa dekada kërkon në morfologjinë femërore.

E trajtuar pak, në të tilla dimensione, Nudoja e madhe e Bajos hap një kapitull tjetër për artin vendas. Ajo njëherazi pozicionohet mbi temën e mediumin në një ballafaqim të ri, si manifest maksimal i forcës së vet krijuese, gjuhës plastike, natyralizmit dramatik, por dhe cenues të moralit konservator nostrom”, shkruan studiuesi i arteve pamore, dr. Ermir Hoxha. Në sallën ngjitur, figura femërore në dimensione më të vogla shumëfishohet vallëzuese me një copë të stërmadhe. Në sallën djathtas, autori propozon një medium tjetër, atë të instalacionit. Shpërndarë në hapësirë, ai ndërtohet nga kallëpet e skulpturave që flenë në studio.

Zoti Bajo, riktheheni me ekspozitën tuaj të nëntë personale, e cila në qendër ka nodon femërore. E rikonceptuar në tre hapësira, ju prezantoni te publiku gjithë procesin e punës. Por, cila është zanafilla e kësaj ekspozite?

Këto nudo janë influencuar nga një atelier tekstili në FAB, që është prezantuar këtu para pesë vitesh. I kam pasur si imazhe në studio edhe më pëlqente loja, që bënte vajza me draperin e bukur. Prandaj mendova që t’i ktheja në plastikë. Marrëdhënia dukej shumë interesante, pasi në këtë rast nuk kemi një figurë të zhveshur provokative, por që ka një lloj sensualiteti që duket në lëvizje edhe nga mënyra se si e mban draperin.

Sa hyn në këtë ambient ekspozimi, nudoja e madhe që qëndron ulur në karrige, nuk mundet që të mos tërheq vëmendjen… A ka një histori të veçantë realizimi i kësaj vepre?

Jo, nuk ka! Unë kam parë shumë skulptura të autorëve, edhe kjo gjë nuk është risi për mua. Por këtë e kam bërë, sepse doja që edhe unë të lija një punë timen, të një nudoje në karrige. Procesi ka zgjatur rreth tre muaj, ndërsa derdhja e saj është mundësuar nga një artdashës.

Ku do ta ruani në vazhdim. Do ta ktheni në studio?

Ende nuk e di.

Cili është koncepti juaj për nudot, por mbi të gjitha për figurën femërore?

Nuk është se kam një koncept të veçantë, por unë duhet që të them se skulpturën nuk e shoh nëse është femër, mashkull, pasi në këtë rast është femër, por ka edhe rast të tjera që kanë qenë fëmijë, pleq. Në këtë rast më intereson plastika dhe psikologjia, pasi epitetet janë pjesë e asaj që unë nuk mundet që t’i shpreh, sepse janë në subkoshiencën time. Por, edhe është një pjesë, që u përket kritikëve të artit pamor (qesh). Por, realisht mendoj se një skulpturë apo një pikturë është më mirë ta shijosh, sesa të flasësh për të. Ndërsa, koncepti im për figurën femërore, është se Zoti kur mendoi për bukurinë krijoi femrën. Kështu që do të ishte anormale, që unë mos të e pëlqeja figurën femërore.

Përsa i përket realizimit të plastikës, cilat janë ato tipare që të marrim më tepër kohë?

Kjo varet nga skulptura edhe nga koha se kur bëhet, por edhe nga mënyra se si e koncepton një formë. Janë gjëra momentale, që vijnë vetvetiu, si ndodh me një libër të pashkruar, që ti shikon se çfarë ke bërë në fund. Rri mendon se përse ka dalë kështu një vepër, përse e bëra kështu? A ishte kjo ajo që doje etj.? Prandaj edhe unë ka raste, të cilat nuk mundet që t’i shpjegoj se si janë bërë. Arti figurativ është një art shumë kompleks, pasi nuk është si letërsia. Por e sheh edhe të pëlqen, sepse ke një afeksion ndaj një imazhi, për shkak të asaj që të përcjellë.

A keni një skulptor të huaj, prej të cilit motivoheni gjatë punës suaj?

Unë motivohem nga e gjitha historia e artit, jo vetëm nga skulptorë. Në bibliotekën time kam më shumë autorë, që janë piktorë, sesa skulptorë, pasi këta të fundit më duket sikur i kam rezauruar brenda vetes sime. Më pëlqejnë të gjitha epokat e artit, që nga lashtësia deri te modernizmi. Çdo epokë ka artin e vet, të rejat e veta, perceptimet e veta, që shpesh ndodhin edhe për shkak të vet njerëzimit, të teknologjisë etj.

Mendoni se skulpturat tuaja mund të përshtaten edhe në një park?

Patjetër, mundet që të rrinë të bashkuara, edhe veç e veç, në një park. Por problemi është që nuk ka parqe. Të gjitha veprat që bëjnë artistët, edhe janë shumë, pasi në kohët e regjimit ishin elita e artit, që një pjesë të krijimtarisë së tyre e kishin të fshehur në studiot e tyre, por që mund edhe të qëndronin shumë mirë në parqe. Por këto janë politika shtetërore, që nuk i takojnë artistit, por qeverisë.

Megjithatë edhe artisti ka nevojë që të ndihet i motivuar…

Patjetër, por mendoj se kjo nuk e vë në faj artisin, pasi artisti mendoj se duhet që t’i jepen mundësit, që të ekspozojë. Tirana është një qytet me gati 1 mln banorë edhe me tre galeri (Galerinë Kombëtare, Galerinë e Arteve dhe Zetën). Kjo gjë është skandaloze. Ky është një problem shumë i madh, por mesa duket nuk ka ardhur momenti, duhet që të kalojë ende kohë, që shqiptarët të mendojnë për art dhe kulturë.

Dhe së fundmi, si mbijeton një artist, i cili për të vazhduar punën, besoj se duhet që të ketë edhe një feed back?

Me rrogat që kemi është e pamundur, jo vetëm që të jetosh, por edhe të krijosh. Nuk kemi komoditete të mëdha, pasi jemi një vend i varfër me problematika të mëdha. Asnjë se ka mendjen se çfarë bëjnë artistët. Prandaj hera-herës detyrohemi të bëjmë edhe punë komerciale për të jetuar.

Biografia

Skulptura e Bajos e nisi rrugëtimin e vet në fillim-vitet ’90, kohë kur ndryshimet politike i imponoheshin realitetit duke tronditur nga themelet të gjithë shoqërinë shqiptare. Për të, diskutimi i ri estetik mbi mediumin mund të zhvillohej vetëm mbi trupin e njeriut, ndërsa gjuha plastike manifestohej me shtrembërime atipike, gërvishtje, a gropëzime. Në ekspozitën e tij të nëntë personale, pas rreth tri dekadash karriere tejet dinamike, ky “konflikt” ekzistencial mbi figurën njerëzore duket se përbën ende epiqendrën e kërkimit të autorit. E dëshmon këtë, dimensioni imponues i Nudos së madhe në sallën qendrore, aq sa vallëzimi shkëlqyes e i ftohtë i figurës në sallën tjetër. Si një nga zërat më të rëndësishëm të skulpturës vendase, ai mbetet gjithnjë besnik dhe shijues i formës nga natyra, ndërsa hetimi mbi figurën e njeriut është sintezë e këtij kërkimi. Raporti që ai ka me realitetin, kalon pikërisht prej kësaj marrëdhënieje, ndërsa gjuha e tij synon dimensionin ekzistencial të saj, sa edhe pozicionin me artin pamor bashkëkohor.

DramaNëna dhe fëmija” rikthen, pas “Equus” regjisorin Mustafic në Tiranë

Vepra dramatike “Nëna dhe fëmija” e Jon Fosse-s do të prezantohet nën regjinë e Dinos Mustafic këto ditë në Tiranë (tek Tulla Center). Në të luajnë aktorët Ema Andrea dhe Matia Llupa.

Në “Nëna dhe fëmija” flet për rikthimin e një djali tek nëna e tij pas shumë vitesh larg njëri-tjetrit pa u parë. Ata zbulojnë se ndihen të huaj për njëri-tjetrin. Gjatë kohës që ata kalojnë së bashku, përpiqen të kuptojnë se kush janë, raportin kundrejt vetes dhe njëri-tjetrit, Në këtë pjesë mekanizmi nënë-fëmijë janë është tërësisht i eksploruar.

Ndjehet prania, diku më shumë, diku më pak e antagonizmit, ndërmjet fëmijëve dhe prindërve të tyre, mungesa e mirëkuptimit, heshtja si dhe vetmia. Por në shfaqjet e Fosse-s konfliktet janë më të ndërlikuara se sa duket. Tek “Nëna dhe fëmija”, djali i cili pas një kohë të gjatë viziton të ëmën, mund të jetë një Hamlet që vjen për ta akuzuar atë se si ja ka vështirësuar jetën duke menduar vetëm për karrierën e saj. Edhe pse ai largohet pa e akuzuar atë. Asnjëherë nuk tregohet kulmi i konfliktit, duke nënkuptuar se konflikti qëndron në atë që nuk deklarohet. Fosse bën që ata t’i mbajnë mendimet dhe ndjenjat e tyre për vete, duke na bërë ne të pasigurt për atë që i bën personazhet të bëjnë atë që ata bëjnë, apo se çfarë zemrat tona dinë vërtet për njëra-tjetrën.

Shfaqja këta njerëz, të cilët vuajnë nga izolimi total, vetmia dhe që kanë vështirësi komunikimi, i sjell si të burgosurit e përjetshëm, të cilët ngarkojnë veten dhe të tjerët. Po ata nuk janë krijesa indiferente, por janë plot shqetësim shpirtëror, që e cila mund të quhet aftësi parandjenje. Karakteret e Fosse-s janë të ngecur në mendimet e veta, dhe prandaj fjalët të shprehura në fakt janë monologë, të cilët ndonjëherë rrëshqasin dhe bëhen komunikim, i cili për t’i parapritur për dështim. Atmosfera e sikletshme e tregon sekretin, i cili është i mbytur në të kaluarën dhe çdo komunikim është pak nostalgjik, zbulon ose mbetet i shtypur në egon e karakterit. Por në atë ndjesi melankolike dhe boshllëku as nëna e as fëmija egzistencialisht nuk gjejnë qetësinë dhe heshtjen e dëshiruar, nuk janë në gjendje të bien në paqe me demonët (shpirtrat) personal, të cilët i përndjekin.

Hapësira në dramat e Fosse-s zakonisht është një banesë në të cilën dikush sapo ka hyrë për të banuar, dikush tjetër ka lëvizur nga ai vend, sikur kërkohet vend i përshtatshëm për sekrete, për të filluar nga e para. Mamaja tek “Nëna dhe fëmija” jeton në “këtë banesë” prej shumë vitesh, e ikur nga një provincë në qytet. Por provinca, fushë beteja (arena) e ngjarjeve traumatike të rinisë së saj, të cilat flenë brenda saj deri në momentin kur i shfaqet djali para derës  dhe ia kthen dobësinë e saj të kaluarën….

“Vizatime, objekte dhe video të përzgjedhura” të Rosemarie Trockel te GKA

Ekspozita “Vizatime, objekte dhe video të përzgjedhura”, e artistes së famshme gjermane Rosemarie Trockel (lindur në vitin 1952 në Schwerte, Gjermani) çelet sot, ora 19.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Kjo ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve i mundëson publikut shqiptar për herë të parë një udhëtim eksplorues në veprat e kësaj artisteje shumëdimensionale: duke nisur nga vizatimet, fotografitë, tablotë e famshme me thurje e deri tek “Malmaschine” dhe video-instalacionet.

Skena artistike, e dominuar për kohë të gjatë nga meshkujt, e ka nxitur Rosemarie Trockel-in qysh herët për kundërvënie ndaj saj. Ajo vazhdimisht formulon pozicione kundërshtie dhe pasqyron pikëpamjen e saj si një përfaqësuese e botës së theksuar artistike femërore, dhe nuk kursehet as me kritika parimore ndaj sistemit ekzistues të artit. Por, pavarësisht qëndrimit të saj kritik, veprat e Rosemarie Trockel-it shfaqen për vizitorin si projektime të vrullshme mendimesh plot fantazi dhe si skica artistike qartësisht bindëse.

Në punët e Rosemarie Trockel, në mënyrë rituale dhe të pandërprerë, mediet tradicionale dhe ato të reja shkrihen në lidhje të befasishme për shikuesin. Kjo është veçanërisht e dukshme në vizatimet me tush, karbon, laps, kolazhet apo dhe vizatimet kompjuterike, të cilat zënë një vend të rëndësishëm në veprën e saj. Çdo fazë e re e punës së Rosemarie Trockel shoqërohet me vizatime, të cilat janë dhe skica që vënë në dukje vëzhgimet dhe idetë e saj në proces krijimi, por, siç është veçanërisht e dukshme në veprat aktuale të formatit të madh, ato gjithashtu formojnë edhe një trup të pavarur pune dhe krijimtarie. Si rrjedhim, kjo ekspozitë vë një theks të veçantë në veprat në këtë medium, por edhe në videot e saj.